Gjoni 18

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Arrestimi i Jezusit në Gjetsemani

18:1 Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij.

18:2 Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij.

18:3 Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.

18:4 Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t`i ndodhte, doli dhe i pyeti: “Kë kërkoni?“.

18:5 Ata iu përgjigjën: “Jezusin Nazareas“. Jezusi u tha atyre: “Unë jam!“. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta.

18:6 Sapo ai u tha atyre: “Unë jam“, ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.

18:7 Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: “Kë kërkoni?“. Ata thanë: “Jezusin Nazareas“.

18:8 Jezusi u përgjigj: “Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë“;

18:9 që të përmbushej fjala që kishte thënë: “Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë“.

18:10 Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.

18:11 Por Jezusi i tha Pjetrit: “Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?“.

Jezusi përpara sinedrit; mohimi i Pjetrit

18:12 Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.

18:13 E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti.

18:14 Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.

18:15 Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit.

18:16 Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri.

18:17 Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: “Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?“. Ai u përgjigj: “Nuk jam“.

18:18 Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.

18:19 Por kryeprifti e pyeti Jezusin për dishepujt e tij dhe për doktrinën e tij.

18:20 Jezusi iu përgjigj: “Unë i kam folur haptas botës; gjithmonë kam mësuar në sinagogë e në tempull, ku mblidhen të gjithë Judenjtë, dhe s`kam thënë asgjë në fshehtësi.

18:21 Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar ç`u kam thënë atyre; ja, ata i dinë gjërat që kam thënë“.

18:22 Posa i tha këto fjalë, një nga rojat që i rrinin afër, i ra Jezusit me shuplakë, duke thënë: “Kështu i përgjigjesh kryepriftit?“.

18:23 Jezusi i tha: “Po të kem folur keq, trego ku është e keqja; por, po të kem folur mirë, përse po më bie?“.

18:24 Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te Kajafa, kryeprifti.

18:25 Ndërkaq Simon Pjetri qëndronte aty e ngrohej. I thanë, pra: “Mos je dhe ti nga dishepujt e tij?“. Ai e mohoi dhe tha: “Nuk jam“.

18:26 Por një nga shërbëtorët e kryepriftit, farefisi i atij, të cilit Pjetri ia kishte prerë veshin, tha: “A s`të pashë në kopsht me të?“.

18:27 Dhe Pjetri e mohoi sërish, dhe menjëherë këndoi gjeli.

Jezusi përpara Pilatit

18:28 Pastaj nga Kajafa e çuan Jezusin në pretorium; ishte mëngjes herët. Por ata nuk hynë në pretorium, që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin Pashkën.

18:29 Dhe kështu Pilati doli jashtë drejt tyre dhe tha: “Ç`padi sillni kundër këtij njeriu?“.

18:30 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Nëse ai të mos ishte keqbërës, nuk do ta kishim dorëzuar“.

18:31 Atëherë Pilati u tha atyre: “Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj“ Por Judenjtë i thanë: “Neve nuk na lejohet të vrasim njeri“.

18:32 Kjo ndodhi që të përmbushej fjala që kishte thënë Jezusi, kur kishte thënë se me ç`vdekje duhej të vdiste.

18:33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: “A je ti mbreti i Judenjve?“.

18:34 Jezusi iu përgjigj: “E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?“.

18:35 Pilati iu përgjigj: “Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?“.

18:36 Jezusi u përgjigj: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej“.

18:37 Atëherë Pilati i tha: “Ti, pra, qenke mbret?“. Jezusi u përgjigj: “Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim“.

18:38 Pilati e pyeti: “Ç`është e vërteta?“. Dhe, si foli këtë, doli përsëri para Judenjve dhe u tha atyre: “Unë nuk po gjej në të asnjë faj!

18:39 Por ndër ju është zakon që unë t`ju liroj dikë për Pashkë; a doni, pra, që t`ju liroj mbretin e Judenjve?“.

18:40 Atëherë të gjithë bërtitën përsëri, duke thënë: “Jo këtë, por Barabanë!“. Por Baraba ishte një kusar.