Gjoni 15

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Bashkësia intime midis Jezusit dhe të shpenguarve të tij

15:1 “Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari.

15:2 Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.

15:3 Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova.

15:4 Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.

15:5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.

15:6 Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen.

15:7 Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t`ju bëhet.

15:8 Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.

15:9 Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.

15:10 Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.

15:11 Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.

15:12 Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.

15:13 Askush s`ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.

15:14 Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.

15:15 Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç`bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.

15:16 Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t`i kërkoni Atit në emrin tim, ai t`jua japë.

15:17 Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.

15:18 Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush.

15:19 Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.

15:20 Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t`ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.

15:21 Të gjitha këto gjëra do t`jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar.

15:22 Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre.

15:23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.

15:24 Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim.

15:25 Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak".

15:26 Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t`ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua.

15:27 Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi“.