Gjoni 19

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI


19:1 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin.

19:2 Dhe ushtarët thurrën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën siper një mantel të purpurt,

19:3 dhe thoshnin: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve“; dhe i binin me shuplaka.

19:4 Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: “Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj“.

19:5 Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: “Ja njeriu!“.

19:6 Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: “Kryqëzoje, kryqëzoje!“. Pilati u tha atyre: “Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj“.

19:7 Judenjtë iu përgjigjën: “Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë“.

19:8 Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë;

19:9 dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: “Nga je ti?“. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.

19:10 Për këtë arsye Pilati i tha: “S`po më flet? ti s`e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?“.

19:11 Jezusi u përgjigj: “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh“.

19:12 Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë: “Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit“.

19:13 Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha";

19:14 tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha Judenjve: “Ja mbreti juaj“.

19:15 Por ata bërtitën: “Largoje! Largoje! Kryqëzoje!“. Pilati u tha atyre: “Ta kryqëzoj mbretin tuaj?“. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: “Ne s`kemi mbret tjetër përveç Cezarit!“.

19:16 Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.

Kryqëzimi

19:17 Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota",

19:18 ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes.

19:19 Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE".

19:20 Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga Judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.

19:21 Prandaj krerët e priftërinjve të Judenjve i thanë Pilatit: “Mos shkruaj: "Mbreti i Judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i Judenjve"“.

19:22 Pilati u përgjigj: “Atë që kam shkruar, e kam shkruar!“.

19:23 Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund.

19:24 Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: “Nuk e grisim, por hedhim short kujt t`i bjerë“; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: “I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time“. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra.

19:25 Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë.

19:26 Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: “O grua, ja biri yt!“.

19:27 Pastaj i tha dishepullit: “Ja nëna jote!“. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.

19:28 Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: “Kam etje!“.

19:29 Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja.

19:30 Kur Jezusi e mori uthullën, tha: “U krye!“. Dhe duke ulur kryet, dha frymën.

19:31 Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t`u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej.

19:32 Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të;

19:33 por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë,

19:34 por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë.

19:35 Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni.

19:36 Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: “Nuk do t`i thyhet asnjë eshtër“.

19:37 Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: “Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar“.

Varrimi i Jezusit

19:38 Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.

19:39 Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash.

19:40 Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë.

19:41 Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush.

19:42 Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.