Gjoni 7

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Mosbesimi i vëllezërve të Jezusit

7:1 Pas këtyre gjërave, Jezusi përshkoi Galilenë, sepse nuk donte të endej nëpër Jude, nga që Judenjtë kërkonin ta vrisnin.

7:2 Por festa e Judenjve, ajo e Tabernakujve ishte afër.

7:3 Prandaj vëllezërit e tij i thanë: “Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t`i shohin veprat që ti bën.

7:4 Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të nijhet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!“.

7:5 Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.

7:6 Atëherë Jezusi u tha aytre: “Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.

7:7 Bota nuk mund t`ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.

7:8 Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar“.

7:9 Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.

Jezusi mëson në tempull, në ftesën e Tabernakujve

7:10 Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.

7:11 Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshnin: “Ku është ai?“.

7:12 Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshnin: “Ai është i mirë!“. Të tjerë thoshnin: “Jo, madje ai e mashtron popullin“.

7:13 Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e Judenjve.

7:14 Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.

7:15 Dhe Judenjtë mrrekulloheshin duke thënë: “Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?“.

7:16 Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: “Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.

7:17 Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.

7:18 Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.

7:19 A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?“.

7:20 Turma u përgjigj dhe tha: “Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?“.

7:21 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mreku-lluar.

7:22 Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.

7:23 Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësishtë një njeri të shtunën?

7:24 Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!“

7:25 Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: “A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?

7:26 E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?

7:27 Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është“.

7:28 Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: “Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s`kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.

7:29 Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi“.

7:30 Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s`kishte ardhur akoma.

7:31 Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: “Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?“.

7:32 Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur.

7:33 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar.

7:34 Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini“.

7:35 Prandaj Judenjtë thonin në mes tyre: “Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis Grekëve, dhe të mësojë Grekët?

7:36 Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?“.

7:37 Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.

7:38 Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë“.

7:39 Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.

7:40 Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: “Ky është me të vërtetë Profeti!“.

7:41 Të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti“. Kurse të tjerë thoshnin: “Vallë nga Galilea vjen Krishti?

7:42 A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?“.

7:43 Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.

7:44 Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

7:45 Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: “Pse nuk e sollët?“.

7:46 Rojet u përgjigjen: “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri“.

7:47 Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: “Mos u gënjyet edhe ju?

7:48 Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?

7:49 Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar“.

7:50 Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:

7:51 “Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç`ka bërë ai?“.

7:52 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s`ka dalë kurrë profet“.

7:53 Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.