Ezekieli 15

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Jeruzalemi do të trajtohet si druri i hardhisë, që vlen vetëm për zjarr

15:1 Fjala e Zotit m`u drejtua përsëri, duke thënë:

15:2 “Bir njeriu, ç`është vallë druri i hardhisë në krahasim me gjithë drurët e tjerë ose me çfarëdo dege që ndodhet në drurët e pyllit?

15:3 A mund ta marrësh drurin për të bërë ndonjë punë? A mund të përftosh prej tij një kunj për të varur ndonjë send?

15:4 Ja, e hedh në zjarr për t`u djegur; zjarri djeg dy anët e tij dhe pjesa e tij qendrore karbonizohet. A mund të jetë vallë i dobishëm për ndonjë punë?

15:5 Ja, në se edhe kur ishte i plotë nuk vlente për asnjë punë, aq më pak do të mund të vlejë për ndonjë punë kur zjarri e ka djegur dhe karbonizuar.

15:6 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: Ashtu sikur, ndër drutë e pyllit, kam caktuar që druri i hardhisë të digjet në zjarr, kështu do të veproj edhe me banorët e Jeruzalemit.

15:7 Do të kthej kundër tyre fytyrën time. Kanë dalë nga një zjarr, por një zjarr tjetër do t`i gllabërojë. Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, kur të kthej kundër tyre fytyrën time.

15:8 Kështu do ta bëj vendin të shkretë sepse kanë qenë vazhdimisht jobesnikë”, thotë Zoti, Zoti.