Ezekieli 40

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Profeci mbi Izraelin. Vegimi i tempullit të ri

40:1 Në vitin e njëzet e pesë të robërisë sonë, në fillim të vitit, ditën e dhjetë të muajit, në vitin e katërmbëdhjetë që nga pushtimi i qytetit, po atë ditë dora e Zotit qe mbi mua dhe më çoi atje.

40:2 Në vegime të Perëndisë më çoi në vendin e Izraelit dhe më la në një mal shumë të lartë, në anën jugore të të cilit ishte një ndërtim që i ngjante një qyteti.

40:3 Ai më çoi atje, dhe ja një burrë, që dukej si prej bronzi, me në dorë një kordhelë prej liri dhe një kallam për të matur; ai rrinte më këmbë te porta.

40:4 Ky burrë më tha: "Bir njeriu, shiko me sytë e tu, dëgjo me veshët e tu dhe kushtoji kujdes të gjitha gjërave që do të të tregoj, sepse ty të kanë sjellë këtu që unë të t`i tregoj. Njoftoi shtëpisë së Izraelit të gjitha ato që ke për të parë".

40:5 Dhe ja, kishte një mur në pjesën e jashtme të tempullit, rreth e qark. Kallami për matje në dorën e atij burri ishte i gjatë gjashtë kubitë, secili ishte i gjatë një kubit dhe një pëllëmbë. Ai mati

40:6 Pastaj erdhi te porta që shikonte nga lindja, i ngjiti shkallaret e saj dhe mati pragun e portës: ishte një kallam i gjërë; dhe pragu i portës tjetër ishte i gjërë një kallam.

40:7 Çdo dhomë ishte një kallam e gjatë dhe një kallam e gjërë. Midis dhomave kishte një hapësirë prej pesë kubitësh. Pragu i portës në afërsi të atriumit të portës së brendshme ishte një kallam.

40:8 Ai mati dhe atriumin e portës së brendshme: ishte një kallam.

40:9 Pastaj mati atriumin e portës: ishte tetë kubitë, ndërsa shtyllat e tij ishin dy kubitë. Atriumi i portës ishte në pjesën e brendshme.

40:10 Dhomat e portës nga lindja ishin tri nga një anë dhe tri nga ana tjetër; që të tria kishin po atë madhësi; të njëjtën madhësi kishin gjithashtu shtyllat nga njëra anë dhe nga ana tjetër.

40:11 Mati gjërësinë e hyrjes së portës: ishte dhjetë kubitë; gjatësia e portës ishte trembëdhjetë kubitë.

40:12 Hapësira përpara dhomave ishte një kubit në një anë dhe një kubit nga ana tjetër; çdo dhomë ishte gjashtë kubitësh nga një anë dhe gjashtë kubitësh nga ana tjetër.

40:13 Pastaj mati portën nga çatia e njërës prej dhomave deri te çatia e tjetrës; gjërësia nga një portë te tjetra ishte njëzet e pesë kubitë.

40:14 Mati shtyllat: ishin gjashtëdhjetë kubitë të lartë; nga shtyllat shtrihej oborri rreth portave.

40:15 Në pjesën e përparme të portës së hyrjes deri në pjesën e përparme të atriumit të portës së brendshme kishte pesëdhjetë kubitë.

40:16 Dritaret dhe mbajtëset e tyre përbrenda portave kishin kanate rreth e qark; e njëjta gjë ndodhte për harqet. Kishte gjithashtu dritare rreth e qark në pjesën e brendshme dhe mbi mbajtëset ishin përfytyruar disa palma.

40:17 Pastaj më çoi në oborrin e jashtëm dhe ja, aty kishte dhoma dhe një kalldrëm rreth e qark oborrit; tridhjetë dhoma shikonin nga kalldrëmi.

40:18 Gjatësia e kalldrëmit i përgjigjej gjatësisë së portave; ishte kalldrëmi i poshtëm.

40:19 Pastaj mati gjërësinë e portës që nga pjesa e përparme e portës më të poshtme deri te pjesa e përparme e portës së jashtme të oborrit të brendshëm: ishin njëqind kubitë në lindje dhe në veri.

40:20 Mati gjithashtu gjatësinë dhe gjërësinë e portës që shikon nga veriu në oborrin e jashtëm.

40:21 Dhomat e saj ishin tri nga njëra anë dhe tri nga ana tjetër; shtyllat e tyre dhe harqet e tyre kishin po atë madhësi të portës së parë: pesëdhjetë kubitë gjatësi dhe njëzet e pesë kubitë gjërësi.

40:22 Dritaret e saj, harqet e saj, palmat e saj kishin po atë gjerësi të portës që shikonte nga lindja; ngjiteshe aty nëpër shtatë shkallore, përpara të cilave ishin harqet e saj.

40:23 Oborri i brendshëm kishte një portë që ishte përballë portës veriore, pikërisht ashtu si ishte për portën lindore; bëri matjen nga një portë te tjetra: njëqind kubitë.

40:24 Pastaj më çoi nga jugu, dhe ja, një portë që shikonte nga jugu; mati shtyllat dhe harqet e saj që kishin po ato madhësi të të mëparshmëve.

40:25 Në të dhe në harqet e tyre kishte rreth e rrotull dritare, ashtu si dritaret e tjera: pesëdhjetë kubitë të gjata dhe njëzet e pesë të gjëra.

40:26 Ngjiteshe aty nëpër shtatë shkallore, përpara të cilave ishin harqet; ajo kishte palma, një nga një anë dhe tjetra nga ana tjetër mbi shtyllat e veta.

40:27 Oborri i brendshëm kishte një portë nga jugu; mati largësinë midis portave në drejtim të jugut: njëqind kubitë.

40:28 Pastaj më çoi në oborrin e brendshëm nëpër portën e jugut dhe mati portën e jugut që kishte po ato madhësi.

40:29 Edhe dhomat e saj, shtyllat e saj dhe harqet e saj kishin po atë madhësi. Ajo kishte dritare dhe harqe rreth e qark me një gjatësi prej pesëdhjetë kubitësh dhe një gjërësi prej njëzet e pesë.

40:30 Rreth e qark kishte harqe të gjatë njëzetepesë kubitë dhe të gjërë pesë kubitë.

40:31 Harqet e saj shikonin në oborrin e jashtëm; kishte palma mbi shtyllat e saj dhe ngjiteshe në to nëpërmjet tetë shkallareve.

40:32 Pastaj më çoi në oborrin e brendshëm që shikon nga jugu dhe mati portën: kishte po ato përmasa.

40:33 Edhe dhomat e tij, shtyllat e tij dhe harqet e tij kishin po ato përmasa. Ajo kishte dritare dhe harqe rreth e qark dhe kishte një gjatësi prej pesëdhjetë kubitësh dhe një gjërësi prej njëzet e pesë kubitësh.

40:34 Harqet e tij dilnin mbi oborrin e jashtëm; kishte palma mbi shyllat e tij nga njera dhe nga tjetra anë, dhe ngjiteshe në to nëpërmjet tetë shkallareve.

40:35 Pastaj më çoi te porta e veriut dhe e mati: ajo kishte po ato përmasa,

40:36 ashtu si dhomat e tij, shtyllat e tij dhe harqet e tij; kishte dritare rreth e qark; ajo ishte pesëdhjetë kubitësh e gjatë dhe njëzet e pesë kubitë e gjërë.

40:37 Shtyllat e tij jepnin mbi oborrin e jashtëm; kishte disa palma mbi shtyllat e tij nga njëra dhe nga tjetra anë dhe ngjiteshe në to nëpërmjet tetë shkallarve.

40:38 Kishte gjithashtu një dhomë me hyrjen pranë shtyllave të portave; aty laheshin olokaustet.

40:39 Në atriumin e portës kishte dy tryeza nga një anë dhe dy tryeza nga ana tjetër, mbi të cilat thereshin olokaustet, flijimet për mëkatin dhe shkeljen.

40:40 Në anën e jashtme të atriumit, sapo dikush ngjitet në hyrjen e portës së veriut, kishte dy tryeza, bashkë me dy tryeza nga ana tjetër e atriumit të portës.

40:41 Kështu në anët e portës kishte katër tryeza nga një anë dhe katër tryeza nga ana tjetër: tetë tryeza gjithsej mbi të cilat thereshin flijimet.

40:42 Për olokaustet kishte edhe katër tryeza prej guri të latuar, të gjata një kubitë e gjysmë, të gjëra një kubitë e gjysmë dhe të larta një kubitë; mbi to viheshin mjetet me të cilat thereshin olokaustet dhe flijimet e tjera.

40:43 Në pjesën e brendshme, rreth e qark dhomës, ishin varur çengela një pëllëmbë të gjata; mbi tryezat vihej mishi i ofertave.

40:44 Jashtë portës së brendshme kishte dy dhoma për këngëtarët në oborrin e brendshëm; njëra ishte pranë portës së veriut dhe shikonte nga jugu, tjetra ishte pranë portës së jugut dhe shikonte nga veriu.

40:45 Ai më tha: "Kjo dhomë që shikon nga jugu është për priftërinjtë që kryejnë shërbime në tempull;

40:46 dhoma që shikon nga veriu është për priftërinjtë që kryejnë shërbim në altar; këta janë bijtë e Tsadokut, ndër bijtë e Levit, që i afrohen Zotit për t`i shërbyer".

40:47 Ai mati oborrin: ishte katror me një gjatësi prej njëqind kubitësh dhe një gjërësi prej njëqind kubitësh; altari ishte përballë tempullit.

40:48 Pastaj më çoi në atriumin e tempullit dhe mati shtyllat e atriumit: ishin pesë kubitë nga një anë dhe pesë kubitë nga ana tjetër; gjërësia e portës ishte tre kubitë nga një anë dhe tre kubitë nga ana tjetër.

40:49 Gjatësia e hajatit ishte njëzet kubitë dhe gjërësia njëmbëdhjetë kubitë; ngjiteshe në të nëpërmjet shkalloreve; pranë mbajtësve kishte shtylla, njëra nga një anë dhe tjetra nga ana tjetër.

Shpërndaje këtë