Ezekieli 45

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ndarja e vendit: pjesa e caktuar Zotit dhe Levitëve

45:1 “Kur ta ndani me short vendin në trashëgimi, ju do të vini mënjanë, si ofertë për Zotin, një pjesë të shenjtë të vendit, të gjatë njëzet e pesëmijë kubitë dhe të gjërë dhjetëmijë; do të jetë e shenjtë në të gjithë shtrirjen e saj.

45:2 Nga ajo do të merrni për shenjtëroren një katror me përmasa pesëqind herë pesëqind kubitë, me një hapësirë të lirë rreth e qark prej pesëdhjetë kubitësh.

45:3 Në këtë shtrirje do të matësh një siperfaqe me një gjatësi prej njëzet e pesëmijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetëmijë kubitë; brenda asaj do të jetë shenjtërorja, vendi shumë i shenjtë.

45:4 Do të jetë pjesa e shenjtë e vendit e caktuar për priftërinjtë, ministrat e shenjtërores, që i afrohen Zotit për t`i shërbyer; do të jetë një vend për shtëpitë e tyre dhe një vend i shenjtë për shenjtëroren.

45:5 Një sipërfaqe e gjatë njëzet e pesëmijë kubitë dhe e gjerë dhjetëmijë kubitë do t`u përkasë Levitëve që kryejnë shërbime në tempull; ata do të kenë pronësinë e njëzet dhomave.

45:6 Si pronë të qytetit do të caktoni një sipërfaqe prej pesëmijë kubitësh të gjerë dhe njëzet e pesëmijë kubitësh të gjatë përbri pjesës së caktuar për shenjtërore; ajo do t`i përkasë tërë shtëpisë së Izraelit”.

Pjesa që i caktohet princit

45:7 Princit përkundrazi do t`i jepet një sipërfaqe këtej dhe matanë pjesës së shenjtë dhe pronës së qytetit, përballë pjesës së shenjtë të ofruar dhe përballë pronës së qytetit, që shtrihet nga ana e perëndimit drejt perëndimit dhe nga ana lindore drejt lindjes, me një gjatësi të barabartë me njerën pjesë që u është dhënë fiseve, nga kufiri perëndimor në kufirin lindor.

45:8 Kjo pjesë e vendit do të jetë pronë e tij në Izrael; princat e mi nuk do ta shtypin më popullin tim, por do t`i japin kusurin e vendit shtëpisë së Izraelit sipas fiseve të tij”.

45:9 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Mjaft më, o princa të Izraelit! Lini mënjanë dhunën dhe grabitjet, zbatoni ndershmërinë dhe drejtësinë, hiqni dorë nga të zhveshurit e popullit tim”, thotë Zoti, Zoti.

45:10 “Kini kandare të sakta, efa të saktë dhe bato të saktë.

45:11 Efa dhe batoja do të kenë po atë kapacitet, dhe kështu batoja do të ketë të dhjetën pjesë të një homeri dhe efa të dhjetën pjesë të një homeri; kapaciteti i tyre do të rregullohet nga homeri.

45:12 Sikli do të jetë njëzet geresh; njëzet sikle, njëzetepesë sikle dhe pesëmbëdhjetë sikle do të jetë mina juaj.

45:13 Kjo është oferta që do të merrni: një të gjashtën e një efe nga një homer gruri, dhe një të gjashtën e një efe nga një homer elbi.

45:14 Kjo është norma e vajit (domethënë bato e vajit), dhe një e dhjeta e batos nga çdo kor; një kor është një homer ose dhjetë bate, sepse dhjetë bate bëjnë një homer.

45:15 Nga kopeja do të merret një dele për çdo dyqind krerë nga kullotat e të pasura të Izraelit, dhe kjo do të shërbejë për blatime të ushqimit, për olokaustet dhe për flijimet e falenderimit për të bërë shlyerjen për ato”, thotë Zoti, Zoti.

45:16 “Tërë populli i vendit do të jetë i detyruar ta bëjë këtë ofertë për princin e Izraelit.

45:17 Përkundrazi do të jetë detyrë e princit të sigurojë olokaustet, blatimet e ushqimit dhe libacionet për festat, për hënat e reja, për të shtunat dhe për të gjitha solemnitetet e shtëpisë së Izraelit; ai do të sigurojë flijimin për mëkatin, blatimin e ushqimit, olokaustin dhe flijimet e falenderimit për të bërë shlyerjen për shtëpinë e Izraelit”.

Ofertat e kërkuara për raste të veçanta

45:18 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Muajin e parë, ditën e parë të muajit, do të marrësh një dem të ri pa të meta dhe do të pastrosh shenjtëroren.

45:19 Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi për mëkatin dhe do ta vërë mbi shtalkat e portës së shtëpisë, mbi katër qoshet e platformave të altarit dhe mbi shtalkat e portës së oborrit të brendshëm.

45:20 Do të veprosh në të njëjtën mënyrë ditën e shtatë të muajit për atë që ka mëkatuar për nga mosdija dhe për naivin; kështu do të kryeni shlyerjen për tempullin.

45:21 Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit për ju do të jetë Pashkë, një festë shtatë ditëshe; do të hahet bukë pa maja.

45:22 Atë ditë princi do të ofrojë, për vete dhe për tërë popullin e vendit, një dem si flijim për mëkatin.

45:23 Në shtatë ditët e festës do t`i ofrojë si olokaust Zotit shtatë dema dhe shtatë deshë pa të meta, çdo ditë për shtatë ditë me radhë, dhe një kec në ditë si flijim për mëkatin.

45:24 Do të ofrojë gjithashtu një efa blatim ushqimor për çdo dem dhe një efa çdo dash, bashkë me një hin vaji për çdo efa.

45:25 Në muajin e shtatë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, në festë, ai do të ofrojë po ato gjëra për flijimin për mëkatin, për olokaustin për blatimin e ushqimit dhe për vajin”.