Ezekieli 23

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Mëkatet e kurvërimit të Samarias (Oholahut) dhe të Jeruzalemit (Oholibahut)

23:1 Fjala e Zotit m`u drejtua, duke më thënë:

23:2 “Bir njeriu, na ishin dy gra, bija të së njëjtës nënë,

23:3 që u kurvëruan në Egjipt. U kurvëruan në rininë e tyre; aty u shtërnguan gjitë e tyre dhe atje u shtërngua gjiri i tyre virgjëror.

23:4 Emrat e tyre janë: Oholahu më e madhja dhe Oholibahu e motra. Ato ishin të miat dhe lindën bij dhe bija. Emrat e tyre janë: Oholahu është Samaria, Oholibahu është Jeruzalemi.

23:5 Ndonse ishte imja, Oholahu u kurvërua dhe mori zjarr për dashnorët e saj, Asirët që ishin fqinj të saj,

23:6 të veshur me purpur, qeveritarë dhe princa, të gjithë të rinj tërheqës, kalorës të hipur mbi kuaj.

23:7 Ajo u kurvërua me ta, me gjithë njerëzit më të mirë të Asirisë, dhe u ndot me të gjithë ata për të cilët ndez, bashkë me gjithë idhujt e tyre.

23:8 Nuk braktisi kurvërimet e Egjiptit, kur kish rënë me të gjatë rinisë së saj, kishin shtërnguar gjirin e saj të virgjër dhe kishin derdhur mbi të kurvërimet e tyre.

23:9 Prandaj e braktisa në dorë të dashnorëve të saj, në dorë të bijve të Asirisë, për të cilët kishte marrë zjarr.

23:10 Ata zbuluan lakuriqësinë e saj, morën bijtë e saj dhe bijat e saj dhe i vranë me shpatë. Asaj i doli nami midis grave dhe zbatuan kundër saj ndëshkimin.

23:11 Motra e saj Oholibahu e pa këtë, por në dashurinë e saj u bë edhe më e korruptuar nga ajo dhe kurvërimet e saj qenë më të këqija nga ato të së motrës.

23:12 U ndez për bijtë e Asirisë, fqinj të saj, qeveritarë dhe princa të veshur në mënyrë të shkëlqyer, kalorës të hipur mbi kuaj, të tërë të rinj tërheqës.

23:13 Unë pashë që ishte molepsur, që të dyja ndiqnin po atë rrugë.

23:14 Por ajo i shtoi kurvërimet e saj; pa burra të pikturuar mbi mur, figura të Kaldeasve të pikturuara në të kuq,

23:15 me breza rreth ijëve, me çallma të mëdha në kokë, të gjithë me pamje krerësh, të ngjashëm me bijtë e Babilonisë në Kalde, tokë e tyre e lindjes.

23:16 Sa i pa, ajo u ndez për ta dhe u dërgoi lajmëtarë në Kalde.

23:17 Atëherë bijtë e Babilonisë erdhën tek ajo në shtratin e dashurive dhe e molepsën me kurvërimet e tyre. Ajo u moleps me ta, por pastaj u largua prej tyre.

23:18 Ajo i nxori sheshit kurvërimet e saj dhe nxori sheshit turpin e saj; prandaj unë u largova nga ajo, ashtu siç isha larguar nga e motra.

23:19 Megjithatë ajo i shumoi kurvërimet e saj, duke kujtuar ditët e rinisë së saj, kur ishte kurvëruar në vendin e Egjiptit.

23:20 Mori zjarr për dashnorët e saj, mishi i të cilëve është si mishi i gomarëve dhe rrjedhja e të cilëve është si rrjedhja e kuajve.

23:21 Kështu ti kujtove shthurjen e rinisë sate, kur Egjiptasit shtrëngonin gjirin tënd për shkak të gjive të tu rinorë.

23:22 Prandaj, Oholibahu, kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të nxis kundër teje dashnorët e tu, prej të cilëve je larguar dhe do t`i sjell kundër teje nga të gjitha anët:

23:23 bijtë e Babilonisë dhe gjithë Kaldeasit, ata të Pekodit, Shoas dhe Koas, tërë bijtë e Asirisë bashkë me ta, tërë të rinjtë tërheqës, qeveritarët dhe princat, kapitenët dhe njerëzit e famshëm, të gjithë të hipur mbi kuaj.

23:24 Ata do të vijnë kundër teje me armë, qerre dhe rrota si dhe me një shumicë popujsh; do të vendosin rreth e qark teje mburoja të vogla dhe të mëdha dhe përkrenare. Do t`u jap atyre gjykimin e tyre dhe ata do të gjykojnë sipas ligjeve të tyre.

23:25 Do të drejtoj xhelozinë time kundër teje, dhe ata do të të trajtojnë me tërbim; do të të heqin hundën dhe veshët, dhe mbeturinat e tua do të bien nga shpata; do të marrin bijtë e tu dhe bijat e tua dhe mbeturinat e tua do të gllabërohen nga zjarri.

23:26 Do të të zhveshin nga rrobat e tua dhe do të të marrin xhevahiret e tu të bukur.

23:27 Kështu do të marrin fund shthurja jote dhe kurvërimi yt që nisën në vendin e Egjiptit; nuk do t`i ngresh më sytë drejt tyre dhe nuk do ta kujtosh më Egjiptin”.

23:28 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë po të jap në duart e atyre që ti urren, në duart e atyre prej të cilëve je larguar.

23:29 Do të të trajtojnë me urrejtje, do të të marrin tërë frytin e punës sate dhe do të të lënë lakuriqe dhe nevojtare. Do të dalë në shesh poshtërsia e kurvërimeve të tua, po, shthurja e kurvërimeve të tua.

23:30 Këto gjëra do t`i bëjnë sepse je kurvëruar duke u shkuar pas kombeve, sepse je ndotur me idhujt e tyre.

23:31 Ti ke ecur në rrugën e motrës sate, prandaj do të të vë në dorë po atë kupë”.

23:32 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Ti do të pish kupën e motrës sate, të thellë dhe të gjërë; do të të përqeshin dhe të të tallin, sepse kupa nxë shumë.

23:33 Do të jesh plot me dehje dhe me dhembje, do të jetë, kupa e dëshpërimit dhe shkretimit, kupa e motrës sate Samaria.

23:34 Ti do ta pish, ti do ta shkullosh, do ta bësh copë e çikë dhe do të çash gjirin tënd; sepse unë fola”, thotë Zoti, Zoti.

23:35 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Duke qenë se më ke harruar dhe më ke hedhur prapa krahëve, do të vuash edhe ti dënimin për shthurjen tënde dhe për kurvërimet e tua”.

23:36 Pastaj Zoti më tha: “Bir njeriu, nuk do t`i gjykosh ti Oholahun dhe Oholibahun? Shpallju, pra, veprimet e tyre të neveritshme.

23:37 Në fakt kanë kryer shkelje kurore, kanë gjak mbi duart e tyre, kanë kryer shkelje kurore me idhujt e tyre, madje i kanë kaluar nëpër zjarr që të gllabërohen, bijtë e tyre që më kishin lindur.

23:38 Edhe këtë më kanë bërë: po atë ditë kanë ndotur shenjtëroren time dhe kanë përdhosur të shtunat e mia.

23:39 Mbasi ua flijuan bijtë e vet idhujve të tyre, po atë ditë erdhën në shenjtëroren time për ta përdhosur; ja çfarë kanë bërë në mes të tempullit tim.

23:40 Përveç kësaj dërguan të thërrasin njerëz nga vende të largëta, të cilëve u dërguan lajmëtarë; dhe ja, ata erdhën. Për ta u lave, i ngjeve sytë dhe u veshe me rroba të zbukuruara me stoli të shkëlqyera.

23:41 U shtrive mbi një shtrat madhështor para të cilit ishte shtruar një tryezë dhe mbi këtë vure tejmanin tim dhe vajin tim.

23:42 Rreth saj ishte zhurma e një morie njerëzish të shkujdesur; së bashku me turmën suallën edhe të dehur nga shkretëtira, që vunë byzylykë në kyçet e dorës dhe kurora të mrekullueshme mbi kokat e tyre.

23:43 Pastaj thashë për atë që kishte një përvojë të madhe në shkeljet e kurorës: “A do të kryejnë tashti kurvërime me të, dhe ajo me ata?”.

23:44 Pastaj ata hynë tek ajo siç i hyhet një prostitute; kështu hynë tek Oholahu dhe Oholibahu, gra të shthurura.

23:45 Por njerëz të drejtë do t`i gjykojnë ashtu si gjykohen shkelëset e kurorës, ashtu si gjykohen gratë që derdhin gjak, sepse janë shkelëse të kurorës dhe kanë gjak mbi duart e tyre”.

23:46 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Bëj që të dalë kundër tyre një turmë dhe lëri në mëshirë të tmerrit dhe të plaçkitjes.

23:47 Ajo turmë do t`i qëllojë me gurë për vdekje, do t`i bëjë copë-copë me shpatën e saj; do të vrasë bijtë dhe bijat e tyre dhe do t`u vërë flakën shtëpive të tyre.

23:48 Do t`i japë fund shthurjes morale në vend, dhe të gjitha gratë do të mësohen të mos kryejnë më shthurjet tuaja morale.

23:49 Do të bëjnë që të bjerë mbi ju shthurja juaj morale dhe do ta vuani kështu dënimin e mëkateve me gjithë idhujt tuaj. Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, Zoti”.