Ezekieli 16

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Pabesia e Izraelit dhe gjykimi pasues i Perëndisë

16:1 Fjala e Zotit m`u drejtua përsëri, duke thënë:

16:2 “Bir njeriu, bëja të njohura Jeruzalemit veprimet e tij të neveritshme,

16:3 dhe i thuaj: Kështu i thotë Zoti, Zoti, Jeruzalemit: Prejardhja jote dhe lindja jote janë nga vendi i Kanaanit; ati yt ishte një Amoreas dhe nëna jote një Hitease.

16:4 Kur linde ti, ditën që dole në këtë botë, nuk t`u pre kërthiza, nuk të lanë me ujë për t`u pastruar, nuk të fërkuan me kripë as të mbështollën në pelena.

16:5 Asnjë sy nuk u kujdes për ty që të të bënte qoftë edhe një nga këto gjëra, duke i ardhur keq për ty; përkundrazi ditën që linde të hodhen në fushë të hapur, për shkak të neverisë që kishin për ty.

16:6 Unë të kalova afër, pashë që po përpëliteshe në gjak dhe të thashë, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd: “Jeto!”. Po, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd të thashë: “Jeto!”.

16:7 Të bëra të rritesh si mori si filizat e arave; dhe ti u rrite, ubëre e madhe dhe u bëre shumë e bukur. Gjiri t`u formua, flokët t`u rritën shumë, por ti ishe lakuriqe dhe nevojtare.

16:8 Unë të kalova afër dhe të shikova, dhe ja, koha jote ishte koha e dashurisë. Kështu shtriva cepin e rrobave të mia mbi ty dhe mbulova lakuriqësinë tënde; të bëra një betim, lidha një besëlidhje me ty dhe ti u bëre imja”, thotë Zoti, Zoti.

16:9 “Të lava me ujë, të pastrova krejt nga gjaku dhe të leva me vaj.

16:10 Pastaj të vura të veshësh rroba të qëndisura, të vura sandale prej lëkure baldoseje, të rrethova kokën me li të hollë dhe të mbulova me mëndafsh.

16:11 Të zbukurova me stoli, të vura byzylykë në kyçet e dorës dhe një gjerdan në qafë.

16:12 Të vura një unazë në hundë, vathë te veshët dhe një kurorë të mrekullueshme mbi krye.

16:13 Kështu u zbukurove me ar dhe argjend dhe u veshe me li të hollë, me mëndafsh dhe me qëndisje. Ti hëngre majë mielli, mjaltë dhe vaj; u bëre shumë, shumë e bukur dhe arrite të mbretërosh.

16:14 Nami yt u përhap midis kombeve për bukurinë tënde që ishte e përsosur, për shkak të shkëlqimit tim të madh që kisha vendosur mbi ty”, thotë Zoti, Zoti.

16:15 Por ti vure besim në bukurinë tënde dhe u kurvërove për shkak të namit tënd dhe ia falje kurvërimet e tua çdo kalimtari, që i pranonte.

16:16 Ti more disa nga rrobat e tua, bëre vende të larta me ngjyra të ndryshme në të cilat u kurvërove, gjëra që nuk duhet të kishin ndodhur dhe as që të ishin.

16:17 More gjithashtu xhevahiret e tua të bukura të bëra me arin dhe argjendin tim, që unë të kisha dhënë, bëre prej tyre figura njeriu dhe u kurvërove me to;

16:18 pastaj more rrobat e tua të qëndisura, i mbulove dhe ofrove para tyre vajin dhe temjanin tim.

16:19 Edhe bukën time që të kisha dhënë, majën e miellit, vajin dhe mjaltin me të cilin të ushqeja, i vure para tyre si një parfum me erë shumë të këndshme; kështu ndodhi”, thotë Zoti, Zoti.

16:20 “Përveç kësaj more bijtë e tu e bijat e tua që më kishe lindur dhe i sakrifikove ata, që të gëlltiten. Mos vallë ishin pak gjë kurvërimet e tua,

16:21 që ti të therje bijtë e mi dhe t`ua ofroje atyre duke i kaluar nëpër zjarr?

16:22 Me gjithë veprimet e tua të neveritshme dhe kurvërimet e tua, nuk i kujtove ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq dhe nevojtare dhe përpëliteshe në gjak.

16:23 Tani mbas gjithë ligësisë sate, “mjerë, mjerë ti!””, thotë Zoti, Zoti;

16:24 “në çdo shesh ke ndërtuar një kamare dhe ke bërë një vend të lartë;

16:25 në krye të çdo rruge ke ndertuar një vend te lartë, e ke bërë të neveritshme bukurinë tënde, dhe i ke hapur këmbët e tua çdo kalimatari, duke i shumuar kurvërimet e tua.

16:26 Ti gjithashtu je kurvëruar me Egjiptasit, fqinjët e tu trupmëdhenj, dhe i ke shumuar kurvërimet e tua për të provokuar zemërimin tim.

16:27 Prandaj, ja, unë kam shtrirë dorën kundër teje, kam pakësuar racionin tënd të caktuar, të kam lënë në dorë të atyre që të urrejnë, bijave të Filistejve, që u vjen turp nga qëndrimi yt i poshtër.

16:28 Ende e pa kënaqur, je kurvëruar me Asirianët; po, je kurvëruar me ata, por pa qenë e kënaqur.

16:29 Kështu i ke shtuar kurvërimet e tua me vendin e Kanaanit deri në Kalde, por as me këtë nuk je kënaqur.

16:30 Sa e shthurur është zemra jote”, thotë Zoti, Zoti, “kur bën tërë këto gjëra të një prostitute pa cipë!

16:31 Ti ndërtoje kamaren në krye të çdo rruge dhe bënje vendet e larta në çdo shesh por nuk ishe si një prostitutë, sepse përbuzje pagën,

16:32 por si një grua që shkel kurorën, që në vend të bashkëshortit të saj pret të huajt.

16:33 Të gjitha prostitutave u bëhen dhurata, por ti u ke bërë dhurata gjithë dashnorëve të tu dhe me dhurata i ke bërë të vijnë nga çdo anë te ti për kurvërimet e tua.

16:34 Në kurvërimet e tua je sjellë krejt ndryshe nga gratë e tjera; askush nuk të ndiqte nga pas për t`u kurvëruar, sepse ti jepje pagesën në vend që ta merrje atë; kështu je sjellë krejt ndryshe nga të tjerat”.

16:35 Prandaj, o prostitutë, dëgjo fjalën e Zotit.

16:36 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Duke qenë se paratë e tua janë shkapërderdhur dhe lakuriqësia jote është zbuluar në kurvërimet e tua me dashnorët e tu dhe me tërë idhujt e tu të neveritshëm dhe për shkak të gjakut të bijve të tu që u ke ofruar atyre,

16:37 ja, unë do të mbledh tërë dashnorët e tu me të cilët ke bërë qejf, të gjithë ata që ke dashuruar bashkë me ata që ke urryer; do t`i mbledh nga çdo anë kundër teje dhe do të zbuloj para tyre lakuriqësinë tënde, me qëllim që ata të shohin gjithë lakuriqësinë tënde.

16:38 Do të të gjykoj si gjykohen gratë që shkelin kurorën dhe ato që derdhin gjakun dhe do të sjell mbi ty gjakun e tërbimit dhe të xhelozisë.

16:39 Do të të jap pastaj në duart e tyre dhe ata do të shembin kamaren tënde dhe do të hedhin poshtë të gjitha vendet e tua të larta do të të zhveshin gjithashtu nga rrobat e tua, do të marrin xhevahiret e tua të mrekullueshme dhe do të të lënë lakuriq dhe nevojtare.

16:40 Pastaj do të bëjnë të dalë kundër teje një turmë e madhe dhe do të të vrasin me gurë dhe do të të shpojnë me shpatat e tyre.

16:41 Do t`u vënë flakën shtëpive të tua dhe do të zbatojnë vendime kundër teje para syve të shumë grave; do të të bëj të heqësh dorë nga kurvërimi dhe nuk do të japësh më asnjë pagë.

16:42 Kështu do ta fashit zemërimin tim mbi ty dhe xhelozia ime do të largohet nga ti; do të qetësohem dhe nuk do të zemërohem më.

16:43 Sepse ti nuk i ke kujtuar ditët e rinisë sate dhe më ke bërë të tërbohem me të gjitha këto gjëra, ja, edhe unë do të të bëj që të bien mbi kokën tënde veprimet e tua”, thotë Zoti, Zoti, “kështu ti nuk do të kryesh poshtërsi të tjera përveç veprimeve të tua të neveritshme.

16:44 Kushdo që do të thotë proverba, do të thotë këtë proverb kundër teje: “Si nëna është edhe e bija”.

16:45 Ti je me të vërtetë bija e nënës sate që ka mohuar bashkëshortin e saj dhe bijt e vet, dhe je motër e motrave të tua që kanë mohuar burrat dhe bijtë e tyre. Nëna juaj ishte një Hitease dhe ati juaj një Amoreas.

16:46 Motra jote më e madhe është Samaria, që banon me gjithë bijat e saj në të majtën tënde; motra jote më e vogël është Sodoma, që banon me gjithë bijat e saj në të djathtën tënde.

16:47 Ti jo vetëm ke ecur në rrugët e tyre dhe ke kryer veprimet e tyre të neveritshme, por, sikur kjo të ishte fare pak, në të gjitha rrugët e tua je korruptuar më shumë se ato.

16:48 Siç është e vërtetë që unë rroj”, thotë Zoti, Zoti, “motra jote Sodoma dhe bijat e saj nuk kanë bërë atë që ke bërë ti bashkë me bijat e tua.

16:49 Ja, kjo qe paudhësia e motrës sate Sodoma: ajo dhe bijat e saj jetonin në kryelartësi, në bollëkun e bukës dhe në një plogështi të theksuar, por nuk përkrahnin dorën e të përvuajturit dhe të të varfërit.

16:50 Ishin fodulle dhe kryenin veprime të neveritshme para meje; prandaj i hoqa nga mesi, kur e pashë këtë.

16:51 Samaria nuk ka kryer as gjysmën e mëkateve të tua; ti i ke shumuar veprimet e tua të neveritshme më shumë se ato dhe ke justifikuar motrat e tua me të gjitha veprimet e neveritshme që ke kryer.

16:52 Ti, që ke gjykuar motrat e tua, mbaje turpin tënd, sepse me mëkatet që ke kryer je bërë më e neveritshme se ato; ato janë më të drejta se ti. Po, ki turp, dhe mbaje për vete turpin, sepse ke justifikuar motrat e tua.

16:53 Kur do t`i kthej robërit e tyre, robërit e Sodomës dhe bijat e saj, robërit e Samarias dhe vajzat e saj, atëherë do t`i kthej edhe robërit nga robërimi yt që janë në mes tyre,

16:54 me qëllim që ti të mbash turpin tënd dhe të turpërohesh për tërë ato që ke bërë, kur i ke dhënë zemër.

16:55 Kur motrat e tua, Sodoma dhe bijat e saj, do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, dhe Samaria dhe bijat e saj do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, edhe ti dhe bijat e tua do të ktheheni në gjendjen tuaj të mëparshme.

16:56 Motra jote Sodoma nuk ishte përmendur fare nga goja jote në ditët e kryelartësisë sate,

16:57 para se ligësia jote të zbulohej lakuriq, si ndodhi kur të fyen bijat e Sirisë dhe të gjitha ato që ishin rreth tyre, bijat e Filistejve, që të përçmonin nga të gjitha anët.

16:58 Ti mban dënimin e poshtërsisë sate dhe të veprimeve të tua të neveritshme”, thotë i Amshueshmi.

16:59 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: “Unë do të veproj me ty ashtu si ke vepruar ti me mua, se ke përçmuar betimin, duke shkelur besëlidhjen”.

Perëndia kujton besëlidhjen e tij

16:60 “Megjithatë do të kujtoj besëlidhjen që lidha me ty në ditët e rinisë sate dhe do të lidh me ty një besëlidhje të përjetëshme.

16:61 Atëherë do të kujtohesh për sjelljen tënde dhe do të të vijë turp, kur do të presësh motrat e tua, ato që janë më të mëdha dhe ato që janë më të vogla nga ti; dhe unë do t`i jap ty si bija, por jo për hir të besëlidhjes sate.

16:62 Unë do të lidh besëlidhjen time me ty dhe ti do të pranosh që unë jam Zoti,

16:63 me qëllim që të mbash mend, të të vijë turp dhe të mos hapësh gojën për shkak të konfuzionit tënd, kur të kem bërë shlyerjen e fajit për të gjitha ato që ke bërë”, thotë Zoti, Zoti.