Ezekieli 32

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Vajtimet për Faraonin dhe për Egjiptin

32:1 Në vitin e dymbëdhjetë, në muajin e dymbëdhjetë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m`u drejtua, duke thënë:

32:2 “Bir njeriu, nis një vajtim për Faraonin, mbretin e Egjiptit, dhe i thuaj: Ti i ngjason një luani të vogël midis kombeve; ishe si një dragua në dete dhe hidheshe në lumenjtë e tu, duke i trazuar ujrat me këmbët e tua dhe duke i turbulluar lumenjtë”.

32:3 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Do të shtrij mbi ty rrjetën time me një kuvend të shumë popujve që do të ngrenë lart me rrjetën time.

32:4 Pastaj do të braktis mbi tokë dhe do të të hedh në fushë të hapur, do të bëj që të ulen mbi ty të gjitha shpendët e qiellit dhe do t`i ngop me ty kafshët e gjithë dheut.

32:5 Do ta hedh mishin tënd mbi male dhe do t`i mbush luginat me togun e skeletit tënd.

32:6 Do t`i jap gjithashtu tokës të pijë nga rrjedha e gjakut tënd, deri te malet, dhe shtretërit e lumenjve do të mbushen me ty.

32:7 Kur të të shuaj, do t`i mbuloj qiejt dhe do t`i errësoj yjet, do ta zë diellin me një re dhe hëna nuk do të japë më dritën e saj.

32:8 Mbi ty do të errësoj të gjithë ndriçuesit e shkëlqyer në qiell dhe do të dërgoj terrin në vendin tënd”, thotë Zoti, Zoti.

32:9 “Do të pikëlloj zemrën e shumë popujve, kur të bëj që të vijë shkatërrimi yt midis kombeve, në vende që ti nuk i njeh.

32:10 Do të bëj që shumë popuj të çuditen me ty dhe mbretërit e tyre do t`i pushtojë një tmerr i madh për shkakun tënd, kur të vringëllij shpatën time para tyre; secili prej tyre do të dridhet në çdo çast për jetën e tij, ditën e rënies sate”.

32:11 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: “Shpata e mbretit të Babilonisë do të bjerë mbi ty.

32:12 Do të bëj që turma jote të rrëzohet nga shpata e burrave të fuqishëm, që janë më të tmerrshmit ndër kombet; ata do të shkatërrojnë krenarinë e Egjiptit dhe gjithë turmat e tij do të asgjësohen.

32:13 Do të bëj që të ngordhë krejt gjëja e gjallë e tij mbi brigjet e ujrave të mëdha, që nuk do të turbullohen më nga këmba e njeriut, as thundra e kafshëve nuk do t`i turbullojë.

32:14 Atëherë do t`i lë të qetësohen ujrat e tyre dhe do të bëj që lumenjtë e tyre të rrjedhin si vaj”, thotë Zoti, Zoti.

32:15 “Kur do ta kem bërë të shkretë vendin e Egjiptit dhe vendi të jetë zhveshur nga çdo gjë që kishte, kur do të kem goditur gjithë banorët e tij, atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti.

32:16 Ky është një vajtim që do të ngrenë për të, do ta ngrenë për bijat e kombeve; do ta ngrenë për Egjiptin dhe gjithë turmat e tij”, thotë Zoti, Zoti.

32:17 Vitin e dymbëdhjetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit mu drejtua, duke thënë:

32:18 “Bir njeriu, merrja një vajtimi për turmën e Egjiptit dhe zbrite në thellësinë e tokës, atë dhe bijat e kombeve të famshëm, që bashkë me ata zbresin në gropë.

32:19 Vallë kujt ia kalon nga bukuria? Zbrit dhe zër vend midis atyre që nuk janë rrethprerë.

32:20 Ata do të bien në mes të atyre që janë vrarë nga shpata. Ai i është dorëzuar shpatës; e tërheqin me gjithë turmat e tij.

32:21 Trimat më të fortë, bashkë me ata që e ndihmonin, do t`i flasin në mes të Sheolit: “Kanë zbritur dhe kanë zënë vend bashkë me ata që nuk janë rrethprerë, bashkë me ata që i ka shpuar shpata?”.

32:22 Atje është Asiria me gjithë turmën e saj, me varret e saj përreth; janë të gjithë të vrarë, të rënë nga shpata.

32:23 Varret e tyre janë vendosur në thellësinë e gropës dhe turma e saj është rreth varrit të tij; të gjithë janë të vrarë nga shpata, ata që përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve.

32:24 Atje është Elami me gjithë turmën e tij rreth varrit të tij; janë të gjithë të vrarë, të rrëzuar nga shpata, që kanë zbritur pa u rrethprerë në thellësi të tokës, ata që përhapnin tmerr mbi dheun e të gjallëve; tani ata mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë.

32:25 Kanë vënë shtratin e tij në mes të të vrarëve me gjithë turmën e tij, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse kishin përhapur tmerrin mbi dheun e të gjallëve; por tani e mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë; janë vendosur në mes të të vrarëve.

32:26 Atje është Mesheku, Tubali, dhe tërë turma e tyre, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve.

32:27 Nuk rrijnë me heronjtë e rënë të atyre që nuk janë rrethprerë, që kanë zbritur në Sheol me armët e tyre të luftës dhe që shpatat e tyre janë vënë nën kokat e tyre; por ndëshkimi i paudhësive të tyre do t`u ngjitet kockave të tyre, megjithëse tmerri i këtyre trimave ishte i madh mbi dheun e të gjallëve.

32:28 Po, ti do të copëtohesh në mes të atyre që nuk janë rrethprerë dhe do të qëndrosh bashkë me ata që janë shpuar nga shpata.

32:29 Atje është Edomi, me të gjithë mbretërit e tij dhe me të tërë princat e tij, të cilët, megjithë trimërinë e tyre, janë vendosur bashkë me ata që janë shpuar nga shpata. Edhe këta rrinë bashkë me ata që nuk janë rrethprerë dhe me ata që zbresin në gropë.

32:30 Atje janë tërë princat e veriut dhe tërë Sidonasit që kanë zbritur bashkë me ata që janë shpuar të hutuar për shkak të tmerrit që u kallnin me fuqitë e tyre. Qëndrojnë të parrethprerë bashkë me ata që janë shpuar nga shpata dhe mbajnë turpin e tyre bashkë me ata që zbresin në gropë.

32:31 Faraoni do t`i shohë dhe do të ngushëllohet për të gjithë turmën e tij; Faraoni dhe tërë ushtria e tij do të shpohen nga shpata”, thotë Zoti, Zoti.

32:32 “Ndonëse e lashë të përhapë tmerrin e tij mbi dheun e të gjallëve, Faraoni me gjithë turmën e tij, do të vihet të qëndrojë në mes të atyre që nuk janë rrethprerë, me ata që janë shpuar nga shpata”, thotë Zoti, Zoti.