BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Profecia kundër Egjiptit
29:1 Vitin e dhjetë, në muajin e dhjetë, ditën e dymbëdhjetë të muajit, fjala e Zotit m`u drejtua duke thënë:
29:2 “Bir njeriu, kthe fytyrën tënde kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe profetizo kundër tij dhe kundër tërë Egjiptit.
29:3 Fol dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Faraon, mbret i Egjiptit, dragua i madh, që rri në mes të lumenjve të tu dhe që ke thënë: “Lumi im është imi dhe e kam bërë unë vetë”.
29:4 Do të vendos gremça në nofullat e tua dhe do të bëj që peshqit e lumenjve të tu të ngjiten në luspat e tua; pastaj do të të bëj të dalësh në mes të lumenjve të tu dhe gjithë peshqit e lumenjve të tua do të ngjiten me luspat e tu.
29:5 Do të të hedh në shkretëtirë, ty dhe tërë peshqit e lumenjve të tu, dhe do të biesh në fushë të hapur, nuk do të të varrosin as nuk do të mbledhën; do të të jap si ushqim kafshëve të tokës dhe shpendëve të qiellit.
29:6 Atëherë tërë banorët e Egjiptit do të pranojnë që unë jam Zoti, sepse kanë qenë për shtëpinë e Izraelit si një mbështetje prej kallami.
29:7 Kur të kanë kapur për dore, je thyer dhe u ke copëtuar atyre gjithë shpatullën; kur u mbështetën te ti, u theve dhe ke bërë të tronditen tërë ijët e tyre”.
29:8 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë do të sjell mbi ty shpatën dhe do të shkatërroj mes teje njerëz dhe kafshë;
29:9 kështu vendi i Egjiptit do të bëhet një mjerim dhe një shkreti, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, sepse ai ka thënë: “Lumi është imi dhe e kam bërë unë vetë”.
29:10 Prandaj ja, unë jam kundër teje dhe lumit tënd; do ta katandis vendin e Egjiptit në një mjerim të plotë dhe në shkreti nga Migdoli deri në Sienë, deri në kufijtë me Etiopinë.
29:11 Nuk do të kalojë asnjë këmbë njeriu, as do të kalojë ndonjë këmbë kafshe, dhe nuk do të banohet për dyzet vjetë me radhë.
29:12 Do të bëj vendin e Egjiptit një shkreti midis vendeve të shkretuara, dhe qytetet e tij do të jenë një shkreti për dyzet vjet, në mes të qyteteve të shkatërruara; do t`i shpërndaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t`i hedh nëpër vende të ndryshme”.
29:13 Megjithatë kështu thotë Zoti, Zoti. “Në fundin e dyzet vjetëve unë do t`i bashkoj Egjiptasit ndër popujt nëpër të cilët ishin shpërndarë.
29:14 Do t`i riçoj Egjiptasit në shtëpi nga robëria dhe do t`i bëj që të kthehen në vendin e Pathrosit, në vendlindjen e tyre, dhe atje do të jenë një mbretëri e përulur.
29:15 Do të jetë më e përulura midis mbretërive dhe nuk do të ngrihet më mbi kombet; do të pakësoj numrin e tyre, me qëllim që të mos sundojë më mbi kombet.
29:16 Ai nuk do të jetë më burim besimi për shtëpinë e Izraelit, por do t`u kujtojë fajin kur u drejtoheshin për ndihmë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Zoti”.
29:17 Në vitin e njëzeteshtatë, në muajin e parë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m`u drejtua, duke thënë:
29:18 “Bir njeriu, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, e vuri ushtrinë e tij në një shërbim të rëndë kundër Tiros; çdo kokë është bërë e shogët dhe çdo shpatull e rrjepur; por as ai, as ushtria e tij nuk kanë nxjerrë nga Tiro ndonjë shpërblim për mundin që kanë bërë kundër tij”.
29:19 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë i jap Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, vendin e Egjiptit; ai do të marrë pasuritë e tij; ai do të marrë me vete robër dhe do ta plaçkitë; dhe ky do të jetë shpërblimi për ushtrinë e tij.
29:20 Për mundin që ke bërë kundër tij unë i jap vendin e Egjiptit, sepse kanë punuar për mua”, thotë Zoti, Zoti.
29:21 “Atë ditë unë do ta rilind fuqinë e shtëpisë së Izraelit dhe do të hap gojën tënde në mes të tyre. Atëherë ata do të pranojnë që unë jam Zoti”.