BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Vajtime për Egjiptin që do të shkatërrohet
30:1 Fjala e Zotit m`u drejtua, duke thënë:
30:2 “Bir njeriu, profetizo dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Vajtoni: “Medet, dita!”.
30:3 Sepse dita është afër, është e afërt dita e Zotit; do të jetë një ditë me re, koha e kombeve.
30:4 Shpata do të bjerë mbi Egjipt dhe do të krijojë ankth në Etiopi kur në Egjipt të bien të plagosurit për vdekje, do të shpien larg pasuritë e tij dhe themelet e tij do të përmbysen.
30:5 Etiopia, Puti, Ludi, tërë përzierja e popujve të ndryshëm, Kubi dhe bijtë e vendeve aleate do të rrëzohen bashkë me ta nga shpata”.
30:6 Kështu thotë Zoti: “Ata që përkrahin Egjiptin do të rrëzohen, krenaria e pushtetit të tij do të bjerë; nga Migdoli deri në Sienë do të bien aty nga shpata”, thotë Zoti, Zoti.
30:7 “Do të shkretohen në mes të tokave të shkretuara dhe qytetet e tyre do të jenë në mes të qyteteve të shkatërruara.
30:8 Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do t`i vë zjarrin Egjiptit dhe të gjithë përkrahësit e tij do të shtypen.
30:9 Atë ditë do të nisen në praninë time lajmëtarë mbi anije, që do të trembin Etiopinë e shkujdesur; dhe një ankth i madh do t`i pushtojë ata si në ditën e Egjiptit. Po, ja gjëja është duke ndodhur”.
30:10 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Do ti jap fund zhurmës së Egjiptit, me anë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë.
30:11 Ai dhe populli i tij bashkë me të, më të tmerrshmit midis kombeve, do të vijnë për të shkatërruar vendin; do të zhveshin shpatat e tyre kundër Egjiptit dhe do të mbushin vendin me të vrarë.
30:12 Do t`i thaj lumenjtë dhe do t`ia shes vendin njerëzve të këqij; dhe nëpërmjet të të huajve do ta bëj të shkretuar vendin dhe gjithçka ai përmban. Unë, Zoti, fola”.
30:13 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Do të shkatërroj idhujt dhe do t`i zhduk perënditë e rreme nga Nofi; nuk do të ketë më princ nga vendi i Egjiptit dhe do të kall frikën në vendin e Egjiptit.
30:14 Do të bëj të shkretuar Pathrosin, do t`i vë zjarrin Tsoanit, do të zbatoj gjykimet e mia mbi Nonë,
30:15 do ta derdh tërbimin tim mbi Sin, mbi kalanë e Egjiptit dhe do të shfaros turmat e Nosë.
30:16 Do t`i vë zjarrin Egjiptit: Sini do të shtrëmbërohet nga dhimbja, Noja do të shqyhet, Nofi do të jetë në ankth çdo ditë.
30:17 Të rinjtë e Avenit dhe të Pibesethit do të bien nga shpata dhe këto dy qytete do të shkojnë në robëri.
30:18 Në Tahpanhes dita do të erret, kur aty unë do të coptoj zgjedhat e imponuara nga Egjipti; dhe tek ajo do të mpaket krenaria e forcës së saj. Sa për atë, një re do ta mbulojë dhe bijat e saj do të shkojnë në robëri.
30:19 Kështu do të zbatoj gjykimet e mia mbi Egjiptin. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti”.
30:20 Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e parë, ditën e shtatë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m`u drejtua, duke thënë:
30:21 “Bir njeriu, unë theva krahun e Faraonit, mbretit të Egjiptit; dhe ja, nuk u lidh duke vënë ilaçe as u mbështoll me rrypa që ta bënin mjaft të fortë për të përdorur shpatën”.
30:22 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë jam kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, për t`ia coptuar krahët, si atë të fortin ashtu edhe krahun tashmë të thyer, dhe do ta bëj që t`i bjerë shpata nga dora.
30:23 Do t`i shpërndaj pastaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t`i përhap në vende të ndryshme.
30:24 Do të forcoj krahët e mbretit të Babilonisë dhe do t`i vë në dorë shpatën time, por do të coptoj krahët e Faraonit që do të rënkojë para tij, si rënkon një njeri i plagosur për vdekje.
30:25 Kështu do të forcoj krahët e mbretit të Babilonisë, por krahët e Faraonit do të rrëzohen; do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ti vë në dorë mbretit të Babilonisë shpatën time, dhe ky do ta shtrijë kundër vendit të Egjiptit.
30:26 Do t`i shpërndaj Egjiptasit midis kombeve dhe do t`i përhap në vende të ndryshme. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti”.