BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Shkatërrimi i armatës së Gogut
39:1 “Ti, bir njeriu, profetizo kundër Gogut dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit.
39:2 Unë do të të bëj të kthehesh prapa, do të të josh, do të të bëj të ngjitesh në pjesët e skajshme të veriut dhe do të të çoj në malet e Izraelit.
39:3 Do ta shkund harkun nga dora jote e majtë dhe do të bëj që të të bien shigjetat nga dora e djathtë.
39:4 Do të rrëzohesh mbi malet e Izraelit, ti me gjithë ushtrinë tënde dhe me popujt që janë me ty; do të bëj që të të hanë shpendët grabitqarë, shpendët e çfardo lloji dhe kafshët e fushës.
39:5 Do të rrëzohesh në fushë të hapur, sepse unë fola”, thotë Zoti, Zoti.
39:6 “Dhe do të dërgoj zjarr mbi Magogun dhe mbi ata që jetojnë të sigurt në ishuj, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti.
39:7 Kështu do ta bëj të njohur emrin tim të shenjtë në mes të popullit tim të Izraelit dhe nuk do të lejoj më të përdhoset emri im i shenjtë, dhe kombet do të pranojnë që unë jam Zoti, i Shenjti në Izrael.
39:8 Ja, kjo do të ndodhë dhe do të kryhet”, thotë Zoti, Zoti; “kjo është dita për të cilën kam folur.
39:9 Atëherë banorët e qyteteve të Izraelit do të dalin, do t`i vënë zjarrin dhe do të djegin armët, mburojat e mëdha dhe të vogla, topuzet dhe ushtat dhe me to do të bëjnë zjarr shtatë vjet.
39:10 Nuk do t`u duhet të marrin dru në fushë dhe as të presin në pyll, sepse do të bëjnë zjarr me ato armë; kështu do të zhveshin ata që i zhvishnin dhe do të plaçkitin ata që i plaçkitnin”, thotë Zoti, Zoti.
39:11 “Atë ditë do të ndodhë që do ti jap Gogut, atje në Izrael një vend për varrim, luginën e Abarimit, në lindje të detit; ai do t`u zërë kalimin shtegtarëve, sepse aty do të varroset Gogu me gjithë turmën e tij; dhe ai vend do të quhet Lugina e Hamon-Gogut.
39:12 Shtëpia e Izraelit, për të pastruar vendin, do të përdorë shtatë muaj të plota për t`i varrosur.
39:13 Do t`i varrosë gjithë populli i vendit, dhe ata do të fitojnë nam ditën në të cilën unë do të përlëvdohem”, thotë Zoti, Zoti.
39:14 “Do të zgjedhin disa burra që do të përshkojnë pa pushim vendin për të varrosur, me ndihmën e shtegtarëve, trupat e atyre që kanë mbetur mbi faqen e dheut, për ta pastruar; kur të kalojnë shtatë muajt do të bëjnë këtë kërkim.
39:15 Kushdo që do të përshkojë vendin, kur të shohë një kockë njeriu, do t`i vërë afër një shenjë treguese deri sa varrmihësit nuk do ta varrosin në Luginën e Hamon-Gogut.
39:16 Hamonahu do të jetë gjithashtu emri i një qyteti. Kështu do ta pastrojnë vendin.
39:17 Sa për ty, bir njeriu”, kështu thotë Zoti, Zoti: “U thuaj zogjve të çdo lloji dhe të gjitha kafshëve të fushave: Mblidhuni dhe ejani. Grumbullohuni nga çdo anë në vendin e masakrës që unë do të kryej për ju, një masakër të madhe në malet e Izraelit, që të hani mish dhe të pini gjak.
39:18 Do të hani mish njerëzish të fuqishëm dhe do të pini gjak princash të dheut: sikur të ishin të gjithë desh, qengja, cjep dhe dema të majmur në Bashan.
39:19 Do të hani dhjamë sa të ngopeni dhe do të pini gjak sa të deheni, nga flijimi që kam flijuar për ju.
39:20 Në tryezën time ju do të ngopeni me kuaj dhe kalorës, me njerëz të fuqishëm dhe me luftëtarë të çdo lloji”, thotë Zoti, Zoti.
39:21 “Do të shfaq lavdinë time midis kombeve dhe tërë kombet do të shohin gjykimin tim që kam zbatuar dhe dorën time që kam vënë mbi ta.
39:22 Kështu që nga ajo ditë e tutje shtëpia e Izraelit do të pranojë që unë jam Zoti, Perëndia i tij;
39:23 dhe kombet do të pranojnë që për shkak të paudhësisë së tij shtëpia e Izraelit shkon në robëri, sepse ishte treguar e pabesë me mua; prandaj u`a fsheha atyre fytyrën time, i dhashë në dorë të armiqve të tyre dhe ata ranë të gjithë nga shpata.
39:24 I trajtova sipas papastërtisë së tyre dhe sipas shkeljeve të tyre dhe ua fsheha atyre fytyrën time”.
Kthimi i Izraelit
39:25 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: “Tani do ta kthej Jakobin nga robëria, do të më vijë keq për tërë shtëpinë e Izraelit dhe do të jem xheloz për emrin tim të shenjtë,
39:26 mbasi ata kanë bartur turpin e tyre dhe ndëshkimi për të gjitha pabesitë që kanë kryer kundër meje, ndërsa banonin të sigurtë në vendin e tyre dhe askush nuk i trembte.
39:27 Kur t`i çoj përsëri nga popujt dhe kur t`i mbledh nga vendet e armiqve të tyre dhe të shenjtërohem te ata në sytë e shumë kombeve,
39:28 ata do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i çoi në robëri midis kombeve, por që i ka mbledhur gjithashtu në vendin e tyre, duke mos lënë jashtë asnjë prej tyre.
39:29 Nuk do t`ua fsheh më fytyrën time, sepse do ta përhap Frymën time mbi shtëpinë e Izraelit”, thotë Zoti, Zoti.