Ezekieli 46

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ofertat e princit

46:1 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Porta e oborrit të brendshëm që shikon nga lindja do të rrijë e mbyllur gjatë gjashtë ditëve të punës; por do të hapet ditën e shtunë dhe do të hapet gjithashtu ditën kur del hëna e re.

46:2 Princi do të hyjë nga hajati i portës nga jashtë dhe do të ndalet pranë shtalkës së portës; priftërinjtë do të ofrojnë olokaustin e tij dhe flijimet e tij të falenderimit. Ai do të adhurojë te pragu i portës pastaj do të dalë, por porta nuk do të mbyllet deri në mbrëmje.

46:3 Edhe populli i vendit do të adhurojë përpara Zotit te hyrja e asaj porte, në ditët e shtuna dhe kur del hëna e re.

46:4 Olokausti që princi do t`i ofrojë Zotit ditën e shtunë do të jetë prej gjashtë qengjash pa të meta dhe një dash pa të meta,

46:5 blatimi ushqimor për dashin do të jetë një efa, ndërsa blatimi ushqimor për qengjat do t`i lihet dëshirës së tij, bashkë me një hin vaji për efan.

46:6 Ditën e hënës së re do të ofrojë një dem të ri pa të meta, gjashtë qengja dhe një dash, që do të jenë pa të meta;

46:7 si blatim ushqimor do të ofrojë gjithashtu një efa për demin, një efa për dashin dhe për qengjat sa mund të disponojë, bashkë me një hin vaji për efan.

46:8 Princi, kur të hyjë, do të kalojë nga hajati i portës dhe do të dalë duke ndjekur po atë rrugë.

46:9 Por kur populli i vendit do të vijë përpara Zotit në festat solemne, ai që do të hyjë nga porta veriore për të adhuruar, do të dalë nga porta e jugut; përkundrazi ai që do të hyjë nga porta jugore do të dalë nga porta e veriut; askush nuk do të kthehet prapa nga porta prej së cilës ka hyrë, por do të dalë nga porta e kundërt.

46:10 Princi do të jetë atëherë në mes tyre; do të hyjë kur ata hyjnë, do të dalë kur ata dalin.

46:11 Në festat dhe në rastet solemne blatimi ushqimor do të jetë një efa për demin dhe një efa për dashin; për qengjat do të lihet sipas dëshirës së tij, bashkë me një hin vaji për efan.

46:12 Kur princi do të bëjë një ofertë vullnetare, qoftë olokaust ose flijim falenderimi, si ofertë vullnetare për Zotin, atëherë do t`i hapet porta që shikon nga lindja, dhe do të ofrojë olokaustin e tij dhe flijimin e tij të falenderimit siç bën ditën e shtunë; pastaj do të dalë dhe, sapo të dalë, porta do të mbyllet.

46:13 Çdo ditë do t`i ofrosh si olokaust Zotit një qengj motak, pa të meta; do ta ofrosh çdo mëngjes.

46:14 Çdo mëngjes do të ofrosh bashkë me të, si blatim i ushqimit, një të gjashten e një efe dhe një të tretën e një hini vaji për të lagështuar majën e miellit; është një blatim ushqimor për Zotin që duhet bërë rregullisht çdo ditë përjetë.

46:15 Çdo mëngjes do të ofrojnë kështu qengjin, blatimin e ushqimit dhe vajin si olokaust të përditshëm”.

46:16 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Në qoftë se princi i bën njërit prej bijve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, ajo do t`u përkasë bijve të tij: do të jetë zotërimi i tyre në trashëgimi.

46:17 Por në qoftë se ai i bën njërit prej shërbëtorëve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, kjo do t`i përkasë atij deri vitin e lirisë; pastaj do t`i kthehet princit; trashëgimia e tij do t`u përkasë vetëm bijve të tij, vetëm atyre.

46:18 Përveç kësaj princi nuk do të marrë asgjë nga trashëgimia e popullit, duke e zhveshur nga pronësitë e tij; ai do t`u sigurojë një trashëgimi bijve të tij me atë që zotëron, me qëllim që asnjeri i popullit tim të mos dëbohet nga prona e tij”.

Vatrat për të pjekur flijimet e popullit

46:19 Pastaj ai më çoi, nëpër hyrjen që ishte pranë portës, në dhomat e shenjta të caktuara për priftërinjtë, të cilat shikojnë nga veriu; dhe ja, në pjesën më të largët në drejtim të perëndimit kishte një vend.

46:20 Ai më tha: “Ky është vendi ku priftërinjtë do të pjekin mishin e flijimeve për shkeljen dhe për mëkatin dhe do të gatuajnë blatimet ushqimore, për të mos i nxjerrë në oborrin e jashtëm dhe kështu të shenjtërojnë popullin”.

46:21 Pastaj më çoi në oborrin e jashtëm dhe më kaloi pranë katër qosheve të oborrit; dhe ja, në çdo qoshe të oborrit kishte një oborr tjetër.

46:22 Në të katër qoshet e oborrit kishte disa oborre të mbyllura të gjata dyzet kubitë dhe të gjera tridhjetë. Që të katra në qoshet e tyre kishin po atë madhësi.

46:23 Rreth e qark tyre kishte një mur dhe poshtë murit, rreth e rrotull tij, ishin vendosur vatra për të pjekur.

46:24 Ai më tha: “Këto janë kuzhinat ku ata që shërbejnë në tempull do të pjekin flijimet e popullit”.

[previous][next]