Gjoni 10

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Bariu i mirë

10:1 “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar;

10:2 kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve.

10:3 Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë.

10:4 Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.

10:5 Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve“.

10:6 Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.

10:7 Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.

10:8 Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.

10:9 Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.

10:10 Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.

10:11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.

10:12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.

10:13 Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t`ia dijë për delet.

10:14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,

10:15 ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.

10:16 Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t`i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.

10:17 Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.

10:18 Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im“.

10:19 Atëherë lindi përsëri një përçarje midis Judenjve për shkak të këtyre fjalëve.

10:20 Dhe shumë nga ata thoshnin: “Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?“.

10:21 Të tjerë thoshnin: “Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t`ua hap sytë të verbërve?“.

Në festën e Kushtimit, Jezusi e shpall veten Mesi

10:22 U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër.

10:23 Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit.

10:24 E rrethuan, pra, Judenjtë dhe i thanë: “Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas“.

10:25 Jezusi u përgjigj atyre: “Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.

10:26 Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.

10:27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;

10:28 dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t`i rrëmbejë nga dora ime.

10:29 Ati im, që m`i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t`i rrëmbejë nga dora e Atit tim.

10:30 Unë dhe Ati jemi një“.

10:31 Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.

10:32 Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?“.

10:33 Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi“.

10:34 Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?

10:35 Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),

10:36 ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?

10:37 Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,

10:38 por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë“.

10:39 Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.

10:40 Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty.

10:41 Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshnin: “Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë“.

10:42 Dhe atje shumë veta besuan në të.

[previous][next]