Gjoni 11

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Ringjallja e Llazarit

11:1 Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj.

11:2 Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë.

11:3 Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: “Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë“.

11:4 Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë“.

11:5 Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.

11:6 Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.

11:7 Pastaj u tha dishepujve: “Të kthehemi përsëri në Jude“.

11:8 Dishepujt i thanë: “Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?“.

11:9 Jezusi u përgjigj: “Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote,

11:10 por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të“.

11:11 Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: “Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj“.

11:12 Atëherë dishepujt e tij thanë: “Zot, po të flejë, do të shpëtojë“.

11:13 Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit.

11:14 Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: “Llazari ka vdekur.

11:15 Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai“.

11:16 Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: “Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të“.

11:17 Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr.

11:18 Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

11:19 Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t`i ngushëlluar për vëllanë e tyre.

11:20 Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi.

11:21 Marta i tha Jezusit: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur,

11:22 por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t`i japë“.

11:23 Jezusi i tha: “Yt vëlla do të ringjallet“.

11:24 Marta i tha: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit“.

11:25 Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

11:26 Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?“.

11:27 Ajo i tha: “Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë“

11:28 Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: “Mësuesi është këtu dhe po të thërret“.

11:29 Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai.

11:30 Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar.

11:31 Prandaj Judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: “Ajo po shkon te varri për të qarë aty“.

11:32 Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: “Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur“.

11:33 Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit,

11:34 dhe tha: “Ku e keni vënë?“. Ata i thanë: “Zot, eja e shih!“.

11:35 Jezusi qau.

11:36 Atëherë Judenjtë thanë: “Shih, sa e donte!“.

11:37 Por disa nga ata thanë: “Ky, që i hapi sytë të verbërit, s`mund të bënte që ky të mos vdiste?".

11:38 Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur.

11:39 Jezusi tha: “Hiqni gurin!“. Marta, motra e të vdekurit, i tha: “Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh“.

11:40 Jezusi i tha: “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?“.

11:41 Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: “O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar.

11:42 Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar“.

11:43 Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: “Llazar, eja jashtë!“.

11:44 Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: “Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!“.

11:45 Atëherë shumë nga Judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë gjithçka kishte bërë Jezusi, besuan në të.

Farisenjtë marrin vendim ta vrasin Jezusin

11:46 Por disa nga ata shkuan te farisenjtë dhe u treguan atyre ç`kishte bërë Jezusi.

11:47 Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë: “Ç`të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja.

11:48 Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë“.

11:49 Por një nga ata, Kajafa, që ishte kryeprifti i atij viti, u tha atyre: “Ju nuk kuptoni asgjë;

11:50 dhe as nuk e konceptoni se është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi“.

11:51 Por këtë ai nuk e tha nga vetja; por, duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezusi duhej të vdiste për kombin,

11:52 dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t`i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë.

11:53 Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin.

11:54 Për këtë arsye Jezusi nuk ecte më haptasi midis Judenjve, por u tërhoq në një krahinë afër shkretëtirës, në një qytet që quhej Efraim dhe aty rrinte me dishepujt e tij.

11:55 Dhe Pashka e Judenjve ishte afër dhe shumë veta nga ajo krahinë u ngjitën në Jeruzalem përpara Pashkës për t`u pastruar.

11:56 E kërkonin, pra, Jezusin dhe, duke qëndruar në tempull, thoshnin në mes tyre: “Si ju duket juve? A do të vijë ai për festë?“.

11:57 Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ishte ai, të sinjalizonte që ta kapnin.

[previous][next]