Gjoni 2

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Dasma në Kanë; uji që u shndërrua në verë

2:1 Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.

2:2 Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.

2:3 Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!“.

2:4 Jezusi i tha: “Ç`ke me mua, o grua? Ora ime s`ka ardhur akoma!“.

2:5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: “Bëni gjithçka që ai t`ju thotë!“.

2:6 Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.

2:7 Jezusi u tha: “Mbushni enët me ujë!“. Dhe ata i mbushën deri në grykë.

2:8 Pastaj u tha: “Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës“. Dhe ata ia çuan.

2:9 Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,

2:10 dhe i tha: “Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!“.

2:11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.

2:12 Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.

Jezusi pastron tempullin

2:13 Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.

2:14 Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur;

2:15 dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat,

2:16 dhe shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!“.

2:17 Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!“.

2:18 Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: “Ç`shenjë na tregon se i bën këto gjëra?“.

2:19 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!“.

2:20 Atëherë Judenjtë thanë: “U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?“.

2:21 Por ai fliste për tempullin e trupit të vet.

2:22 Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi.

2:23 Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte,

2:24 por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë,

2:25 dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç`kishte përbrenda njeriut.

[previous][next]