SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Shërimi i të paralizuarit të Betesdës
5:1 Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.
5:2 Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.
5:3 Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.
5:4 Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.
5:5 Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.
5:6 Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?“.
5:7 I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s`kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje“.
5:8 Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!“.
5:9 Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.
5:10 Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: “Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!“.
5:11 Ai iu përgjigj atyre: “Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!"“.
5:12 Atëherë ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?“.
5:13 Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.
5:14 Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: “Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe“.
5:15 Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.
Jezusi e shpall veten Bir të Perëndisë, një me Atin
5:16 Për këtë Judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave.
5:17 Por Jezusi u përgjigj atyre: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj“.
5:18 Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.
5:19 Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.
5:20 Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t`i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.
5:21 Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.
5:22 Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,
5:23 që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.
5:24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.
5:25 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.
5:26 Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete;
5:27 dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut.
5:28 Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij
5:29 dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.
5:30 Unë s`mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.
5:31 Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.
5:32 Éshtë një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë.
5:33 Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës.
5:34 Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni.
5:35 Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.
5:36 Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar.
5:37 Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij,
5:38 dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar.
5:39 Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.
5:40 Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.
5:41 Unë nuk marr lavdi nga njerëzit.
5:42 Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju.
5:43 Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit.
5:44 Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?
5:45 Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t`ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj;
5:46 sepse nëqoftëse ju do t`i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.
5:47 Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t`u besoni fjalëve të mia?“.