SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI
Shumimi i bukëve
6:1 Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës.
6:2 Dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonte shenjat që ai bënte mbi të lënguarit.
6:3 Por Jezusi u ngjit mbi malin dhe atje u ul me dishepujt e tij.
6:4 Dhe Pashka, festa e Judenjve ishte afër.
6:5 Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?“.
6:6 Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç`do të bënte.
6:7 Filipi iu përgjigj: “Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë“.
6:8 Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha:
6:9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç`janë këto për aq njerëz?“.
6:10 Dhe Jezusi tha: “Bëjini njerëzit të ulen!“. Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë.
6:11 Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën.
6:12 Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: “Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë“.
6:13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë.
6:14 Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë“.
6:15 Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm.
Jezusi ecën mbi ujë
6:16 Kur u ngrys, dishepujt e tij zbritën drejt detit.
6:17 Hipën në barkë dhe shkuan përtej detit, drejt Kapernaumit; tashmë ishte errët dhe Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata.
6:18 Deti ishte i trazuar, sepse frynte një erë e fortë.
6:19 Dhe pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade, panë Jezusin që po ecte mbi det dhe po i afrohej barkës dhe patën frikë.
6:20 Por ai u tha atyre: “Jam unë, mos druani!“.
6:21 Ata, pra, deshnin ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar.
Jezusi, buka e jetës për besimtarët
6:22 Të nesërmen turma, që kishte mbetur në bregun tjetër të detit, pa se atje nuk kishte tjetër përveç një barke të vogël, në të cilën kishin hipur dishepujt e Jezusit, dhe që ai nuk kishte hipur me ta, dhe që dishepujt e tij ishin nisur vetëm;
6:23 ndërkaq kishin ardhur barka të tjera nga Tiberiada, afër vendit ku kishin ngrënë bukë, pasi Zoti kishte falënderuar.
6:24 Turma, kur pa se Jezusi nuk ishte më atje dhe as dishepujt e tij, hipi edhe ajo nëpër barka dhe erdhi në Kapernaum, duke kërkuar Jezusin.
6:25 Kur e gjetën përtej detit i thanë: “Mësues, kur erdhe këtu?“
6:26 Jezusi u përgjigj dhe tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur.
6:27 Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t`jua japë Biri i njëriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e tij.“
6:28 Atëherë e pyetën: “Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?“.
6:29 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar.“
6:30 Atëherë ata i thanë: “Çfarë shenjë bën ti, pra, që ne ta shohim e ta besoj-më? Ç`vepër po kryen?
6:31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, siç është shkruar: "Ai u dha të hanë bukë nga qielli"“.
6:32 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli.
6:33 Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës“.
6:34 Atëhere ata i thanë: “Zot, na jep gjithmonë atë bukë“.
6:35 Dhe Jezusi u tha atyre: “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.
6:36 Por unë jua thashë: ju më keni parë, por nuk besoni.
6:37 Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë,
6:38 sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.
6:39 Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t`i ringjall në ditën e fundit.
6:40 Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit“.
6:41 Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: “Unë jam buka që zbriti nga qielli“,
6:42 dhe thoshnin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?“.
6:43 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Mos murmurisni midis jush.
6:44 Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.
6:45 Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë.
6:46 Jo s`e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin.
6:47 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme.
6:48 Unë jam buka e jetës.
6:49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën.
6:50 Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë.
6:51 Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës“.
6:52 Atëherë Judenjtë filluan të diskutojnë njeri me tjetrin duke thënë: “Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?“.
6:53 Prandaj Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj.
6:54 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.
6:55 Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije.
6:56 Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.
6:57 Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim.
6:58 Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë“.
6:59 Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum.
Jezusi braktiset nga disa dishepuj; rrëfimi i Pjetrit
6:60 Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: “Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?“.
6:61 Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: “Kjo ju skandalizon?
6:62 Ç`do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë?
6:63 Éshtë Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.
6:64 Por janë disa midis jush që nuk besojnë“; në fakt Jezusi e dinte që në fillim kush ishin ata që nuk besonin, dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte;
6:65 dhe thoshte: “Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im“.
6:66 Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.
6:67 Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: “A doni edhe ju të largoheni?“.
6:68 Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.
6:69 Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë“.
6:70 Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall“.
6:71 Por ai fliste për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse ky kishte për ta tradhtuar, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët.