BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Profecia kundër Tiros
23:1 Profecia kundër Tiros. Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse Tiro është shkatërruar, dhe nuk kanë mbetur as shtëpitë as porti. Ky lajm iu erdhi nga vendi i Kitimit.
23:2 Mos hapni gojën, o banorë të bregut të detit, o tregtarë të Sidonit; ata që çajnë detet ju kanë mbushur me pasuri.
23:3 Nëpërmjet ujërave të mëdha gruri i Shihorit, prodhimi i lumit, ishte e ardhura e tij; dhe ai ishte tregu i kombeve.
23:4 Ki turp, o Sidon, sepse ka folur deti, kalaja e detit, duke thënë: “Unë nuk kam pasur dhembje, as kam lindur fëmijë; nuk kam ushqyer të rinj as kam rritur virgjëresha”.
23:5 Kur lajmi do të arrijë në Egjipt, do të hidhërohen për lajmin e Tiros.
23:6 Kaloni në Tarshish, vajtoni o banorë të bregut të detit!
23:7 Ky qënka qyteti juaj i qejfeve, prejardhja e të cilit është e lashtë? Këmbët e tij e çonin të banonte në toka të largëta.
23:8 Kush, pra, e ka vendosur këtë kundër Tiros, dhurues kurorash, tregëtarët e të cilit ishin princa dhe dyqanxhinjtë e të cilit ishin njerëzit e nderuar të dheut?
23:9 E ka vendosur Zoti i ushtrive, për të errur krenarinë nga çfarëdo shkëlqimi, për të ulur gjithë njerëzit e nderuar të dheut.
23:10 Kalo nëpër vendin tënd si Nili, o bijë e Tarshishit, nuk ka më forcë.
23:11 Zoti ka shtrirë dorën e tij mbi detin, i ka bërë mbretëritë të dridhen, për Kanaanin ka urdhëruar t`i shkatërrohen kalatë e tij.
23:12 Ai ka thënë: “Ti nuk do të vazhdosh të gëzohesh, o bijë e Sidonit, virgjëreshë që ke humbur nderin”. Çohu, kalo në vendin e Kitimit; as aty nuk do të gjesh prehje.
23:13 Ja vendi i Kaldeasve: ky popull nuk ekzistonte fare; Asiri e themeloi për kafshët e shkretëtirës. Ata kanë ngritur kalatë e tyre, kanë rrënuar pallatet e Tiros dhe e kanë katandisur në një grumbull gërmadhash.
23:14 Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse kalaja juaj është shkatërruar.
23:15 Atë ditë do të ndodhë që Tiro të harrohet për shtatëdhjetë vjet, aq sa janë vitet e një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë në Tiro ashtu siç thotë kënga e prostitutës:
23:16 “Merr qesten, sillu nëpër qytet, o prostitutë e harruar; bjeri me zotësi veglës, shumo këngët që të mund të të kujtojnë”.
23:17 Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë që Zoti do të vizitojë Tiron, që do të kthehet në pagën e vet dhe do të kurvërohet me të gjitha mbretëritë e botës mbi faqen e dheut.
23:18 Por fitimi nga tregtia e tij dhe paga e tij do t`i shenjtërohen Zotit; nuk do të mblidhet as nuk do të vihet mënjanë, sepse fitimi nga tregtia e tij do t`u shkojë atyre që banojnë përpara Zotit, me qëllim që të hanë sa të ngopen dhe të vishen në mënyrë të shkëlqyeshme.