Isaia 40

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ngushëllim për çlirimin e Izrelit

40:1 “Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim, thotë Perëndia juaj.

40:2 I flisni zemrës së Jeruzalemit dhe i shpallni që koha e tij e luftës ka mbaruar, që paudhësia e tij është shlyer, sepse ka marrë nga duart e Zotit dyfishin për të gjitha mëkatet e tij”.

40:3 Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: “Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë.

40:4 Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jenë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtuar dhe vëndet e vështira të sheshuar.

40:5 Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë, sepse goja e Zotit ka folur”.

40:6 Një zë thotë: “Bërtit!”, dhe përgjigja që merr është: “Çfarë të bërtas?”. “Bërtit që çdo qenie është si bari, dhe që tërë hiri i tij është si lulja e fushës

40:7 Bari thahet, lulja fishket, kur Fryma e Zotit fryn mbi të; me siguri populli nuk është veçse bar.

40:8 Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë”.

40:9 O Sion, ti që sjell lajmin e mirë, ngjitu mbi një mal të lartë! O Jeruzalem, ti që sjell lajmin e mirë, ngrije zërin me forcë! Ngrije zërin, mos ki frikë! Thuaju qyteteve të Judës: “Ky është Perëndia juaj!”.

40:10 Ja, Perëndia, Zoti, vjen i fuqishëm dhe krahu i tij sundon për të. Ja, e ka shpërblimin me vete, dhe shpërblimi i tij e pararend.

40:11 Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t`i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t`i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjëlit e tyre.

Dituria, epërsia dhe fuqia e Perëndisë

40:12 Kush i ka matur ujëat me gropën e dorës, kush ka marrë përmasat e qiellit me pëllëmbë, kush ka mbledhur pluhurin e tokës në një masë apo ka peshuar malet me një peshore dhe kodrat e tyre me një kandar?

40:13 Kush i ka marrë përmasat e Frymës së Zotit, ose si këshilltari i tij i ka dhënë mësime?

40:14 Me kë është konsultuar, që t`i jepte mend, t`i mësonte shtegun e drejtësisë, t`i jepte dituri dhe t`i tregonte rrugën e arsyes?

40:15 Ja, kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje; ja, ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël.

40:16 Libani nuk do të mjaftonte për të siguruar lëndën djegëse që i duhet zjarrit, as kafshët e tij nuk do të mjaftonin për olokaustin.

40:17 Të gjitha kombet janë si një hiç para tij dhe konsiderohen prej tij si një hiç dhe një kotësi.

40:18 Kujt dëshironi t`i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t`i vinit përballë?

40:19 Një artist shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe argjendari e vesh me ar dhe shkrin zinxhirë të vegjël prej argjendi.

40:20 Ai që është tepër i varfër për një ofertë të tillë zgjedh një dru që nuk kalbet dhe gjen një artizan të shkathët, që i përgatit një shëmbëlltyrë të gdhendur që nuk lëviz.

40:21 Por nuk e dini, nuk e keni dëgjuar? A nuk ju është njoftuar që në fillim? Nuk e keni kuptuar nga themelet e tokës?

40:22 Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejtë si një velo dhe i hap si një çadër ku mund të banosh.

40:23 Ai i katandis princat në një hiç dhe i bën të panevojshëm gjykatësit e tokës.

40:24 Sapo janë mbjellë, sapo janë hedhur në tokë sapo kërcelli i tyre ka lëshuar rrënjë, ai fryn mbi ta dhe ata thahen; uragani i merr me vete si kashtë.

40:25 “Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni, që të jem baras me të?”, thotë i Shenjti.

40:26 Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon.

40:27 Pse thua, o Jakob, dhe ti, Izrael, shpall: “Rruga ime i është fshehur Zotit dhe për të drejtën time nuk kujdeset Perëndia im?

40:28 Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme.

40:29 Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit.

40:30 Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen,

40:31 por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.