Isaia 50

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Mëkati i Izraelit dhe pasoja e tij

50:1 Kështu thotë Zoti: “Ku është letra e shkurorëzimit e nënës tuaj me të cilën unë e ndava? Ose te cili nga huadhënësit e mi ju shita? Ja, ju jeni shitur për shkak të paudhësive tuaja dhe nënën tuaj është ndarë për shkak të shkeljeve tuaja.

50:2 Kur erdha, pse s`kishte njeri? Pse, kur thirra, askush nuk u përgjigj? Éshtë me të vërtetë dora ime tepër e shkurtër për të shpëtuar apo nuk paskam forcën për të çliruar? Ja, me kërcënimin tim po thaj detin dhe i kthej lumenjtë në shkretëtirë; peshku i tyre po qelbet për mungesë uji dhe po ngordh nga etja.

50:3 Unë i vesh qiejtë me të zeza dhe u jap atyre një grathore për mbulesë”.

Bindja e shërbëtorit të Zotit

50:4 Zoti, Zoti, më ka dhënë gjuhën e dishepujve që të mund ta mbaj me fjalë të lodhurin; ai më zgjon çdo mëngjes; zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt.

50:5 Zoti, Zoti, më ka hapur veshin dhe unë nuk kam qenë rebel, as jam tërhequr prapa.

50:6 I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave.

50:7 Por Zoti, Zoti, më ka ndihmuar, prandaj nuk qeshë hutuar; për këtë arsye e bëra fytyrën time si një strall dhe e di që nuk do të turpërohem.

50:8 Éshtë afër ai që më justifikon; kush do të më kundërshtojë mua? Le të paraqitemi bashkë. Kush është kundërshtari im? Le të më afrohet mua.

50:9 Ja, Zoti, Zoti, do të më ndihmojë; kush është ai që do të më dënojë? Ja, të gjithë ata do të konsumohen si një palë rroba, tenja do t`i brejë”.

50:10 Kush prej jush ka frikë nga Zoti dhe dëgjon zërin e shërbëtorit të tij? Kush ecën në terr pa asnjë dritë, le të ketë besim në emrin e Zotit dhe të mbështehet te Perëndia i tij!

50:11 Ja, ju të gjithë që ndizni një zjarr, që rrethoheni me ura zjarri, shkoni në flakët e zjarrit tuaj dhe midis urave që keni ndezur! Nga dora ime do të keni këtë: ju do të lëngoni në vuajtje.