Isaia 37

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ezekia kërkon ndihmën e Isaias që e siguron për ndërhyrjen hyjnore

37:1 Kur mbreti Ezekia dëgjoi këtë, grisi rrobat, u mbulua me një thes dhe hyri në shtëpinë e Zotit.

37:2 Pastaj dërgoi Eliakimin, prefektin e pallatit, Shebnaun, sekretarin, dhe priftërinjtë më të vjetër të mbuluar me thasë te profeti Isaia, bir i Amotsit,

37:3 të cilët i thanë: “Kështu thotë Ezekia: Kjo ditë është një ditë ankthi, ndëshkimi dhe turpi, sepse fëmijët janë duke lindur, por nuk ka forcë për t`i pjellë.

37:4 Ndofta Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar fjalët e Rabshakehut, që mbreti i Asirisë, zoti i tij, ka dërguar për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe do ta ndëshkojë për shkak të fjalëve që Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar. Larto, pra, një lutje për kusurin që mbetet akoma”.

37:5 Kështu shërbëtorët e mbretit Ezekia shkuan te Isaia.

37:6 Dhe Isaia u tha atyre: “Këtë do t`i thoni zotit tuaj: Kështu thotë Zoti: Mos ki frikë për shkak të fjalëve që dëgjove, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë fyer.

37:7 Ja, unë do të dërgoj përmbi të një frymë dhe, sa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e tij dhe në vendin e tij do ta rrëzoj me shpatë”.

37:8 Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që po rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që mbreti ishte nisur nga Lakishi.

37:9 Atëherë mbreti i Asirisë dëgjoi të thuhet për Tirhakahun, mbretin e Etiopisë: “Ka dalë për të luftuar kundër teje”. Sa dëgjoi këtë, ai i dërgoi lajmëtarët Ezekias, duke i thënë:

37:10 “Do t`i thoni kështu Ezekias, mbretit të Judës: Mos lër që Perëndia yt të cilit i beson të të mashtrojë duke të thënë: “Jeruzalemi nuk do jepet në duart e mbretit të Asirisë”.

37:11 Ja, ti dëgjove ato që mbreti i Asirisë u ka bërë gjithë vendeve të tjera, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të mund të shpëtoje vetëm ti?

37:12 A kanë çliruar vallë mbretërit e kombeve ato që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?

37:13 Ku janë mbreti i Hamathit, mbreti i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?”.

37:14 Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj u ngjit në shtëpinë e Zotit dhe e shpalosi para Zotit.

37:15 Pastaj Ezekia iu lut Zotit, duke thënë:

37:16 “O Zot i ushtrive, Perëndi i Izraelit që ulesh midis kerubinëve, ti je Perëndia, ti vetëm, i të gjitha mbretërive të tokës; ti ke bërë qiejtë dhe tokën.

37:17 Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko. Dëgjo tërë fjalët që Senakeribi ka dërguar të thotë për të fyer Perëndinë e gjallë.

37:18 Në të vërtetë, o Zot, mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar të gjitha kombet dhe vendet e tyre,

37:19 dhe kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse këto nuk ishin perëndi, por vepër e duarve të njeriut, dru e gur; për këtë arsye i kanë shkatërruar.

37:20 Por tani, o Zot, Perëndia ynë, na çliro nga duart e tij, me qëllim që të gjitha mbretëritë e tokës të njohin që ti vetëm je Zoti”.

Përgjigja e Zotit me anë të Isaias

37:21 Atëherë Isaia, bir i Amotsit, i çoi fjalë Ezekias: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Me qenë se ti më je lutur përsa i përket Senakeribit, mbretit të Asirisë,

37:22 kjo është fjala që Zoti ka shqiptuar kundër tij: Virgjëresha, bijë e Sionit, të përçmon dhe tallet me ty; e bija e Jeruzalemit tund kokën prapa teje.

37:23 Cilin ke poshtëruar dhe fyer? Kundër kujt ke ngritur zërin dhe në mënyrë arrogante sytë e tu? Kundër të Shenjtit të Izraelit.

37:24 Me anë të shërbëtorëve të tu ke poshtëruar Zotin dhe ke thënë: “Me morinë e qerreve të mia u ngjita në majë të maleve, në skajet e Libanit. Do të rrëzoj kedrat e tij më të lartë dhe qiparisat e tij më të bukur; do të arrij lartësinë e tij më të largët, pyllin e tij më të harlisur.

37:25 Kam gërmuar dhe kam pirë ujë; me tabanin e këmbëve të mia kam tharë të gjitha lumenjtë e Egjiptit”.

37:26 A nuk ke dëgjuar vallë se prej shumë kohe e kam përgatitur këtë gjë, planin e kam përgatitur qysh nga kohët e vjetra? Tani kam bërë që të ndodhë kjo: që ti t`i kthesh në një grumbull gërmadhash qytetet e fortifikuara.

37:27 Prandaj banorët e tyre, të cilët s`kanë forca, ishin të trembur dhe të hutuar; ishin si bari i fushave, si bari i vogël jeshil, si bari i çative, i cili digjet para se të rritet.

37:28 Por unë e njoh banesën tënde, hyrjen dhe daljen tënde, madje edhe zemërimin tënd të madh kundër meje.

37:29 Duke qenë se je zemëruar shumë kundër meje dhe paturpësia jote ka arritur te veshët e mi, do të vë unazën time në flegrat e hundëve, frerin tim në gojë dhe do të të kthej në rrugën nga ke ardhur.

37:30 Dhe kjo do të jetë shenja për ty; sivjet do të hani atë që rritet vetvetiu, vitin e dytë atë që rritet po nga ky burim; por vitin e tretë do të mbillni dhe do të korrni, do të mbillni vreshta dhe do të hani frytin e tyre.

37:31 Dhe pjesa që mbetet e shtëpisë së Judës që do të shpëtojë do të vazhdojë të vërë rrënjë poshtë dhe të bëjë fryte lart.

37:32 Sepse nga Jeruzalemi do të dalë mbetje dhe nga mali i Sionit ata që kanë shpëtuar. Zelli i Zotit të ushtrive do ta bëjë këtë”.

37:33 Prandaj kështu thotë Zoti kundër mbretit të Asirisë: “Ai nuk do të hyjë në këtë qytet as ka për të hedhur ndonjë shigjetë, nuk do t`i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij.

37:34 Ai do të kthehet nëpër atë rrugë nga ka ardhur dhe nuk do të hyjë në këtë qytet”, thotë Zoti.

37:35 “Sepse unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për hirin tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim”.

37:36 Pastaj engjëlli i Zotit doli dhe goditi në kampin e Asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; dhe kur njerëzit u çuan në mëngjes, ja, të gjithë ishin kufoma.

37:37 Atëherë Senakeribi, mbret i Asirisë, ngriti çadrat, u nis dhe u kthye në shtëpi dhe mbeti në Niniv.

37:38 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po adhuronte në tempullin e perëndisë së tij Nisrok, bijtë e tij Adramalek dhe Sharetser e vranë me shpatë; pastaj u strehuan në vendin e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Esarhadoni.