Isaia 33

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Vendimi i Perëndisë mbi armiqtë e popullit të tij

33:1 Mjerë ti që shkreton edhe sikur të mos kesh qenë i shkretuar, që vepron me pabesi edhe sikur të mos jetë vepruar me pabesi kundër teje! Kur të kesh mbaruar së shkatërruari do të shkatërrohesh edhe

33:2 O Zot, ki mëshirë për ne, që kemi shpresë te ti. Bëhu krahu ynë çdo mëngjes dhe shpëtimi ynë në kohë fatkeqësie.

33:3 Nga zhurma e një turme, popujt ikin, kur ti çohesh kombet shpërndahen.

33:4 Plaçka juaj e luftës do të mblidhet ashtu siç mblidhen vemjet; ashtu si turren karkalecat kështu do të turren mbi të.

33:5 Zoti është lartësuar sepse banon lart; ai e mbush Sionin me barazi dhe drejtësi,

33:6 dhe do të jetë siguria e ditëve të tua, forca e shpëtimit, dituria dhe njohja; frika e Zotit do të jetë thesari i tij.

33:7 Ja, heronjtë e tyre bërtasin nga jashtë, lajmëtarët e paqes qajnë me hidhërim.

33:8 Rrugët janë të shkreta, nuk ka as edhe një kalimtar nëpër to. Ai e ka prishur besëlidhjen me ta, i përbuz qytetet, nuk kujdeset për njeri.

33:9 Vendi është në zi dhe vuan; Libani është plot me turp dhe i dobësuar; Sharoni është si një shkretëtirë, Bashani dhe Karmeli tronditen me të madhe.

33:10 “Tani do të çohem”, thotë Zoti, “tani do të lartësohem, tani do të ngrihem.

33:11 Ju keni mbarsur bykun, por do të pillni kashtë; fryma juaj do të jetë një zjarr që do t`ju gllabërojë.

33:12 Popujt do të jenë si furra të gëlqeres, ata do të digjen në zjarr si ferrishte të prera.

33:13 O ju që jeni larg, dëgjoni atë që kam bërë; dhe ju që jeni afër, njihni fuqinë time”.

33:14 Në Sion mëkatarët i ka kapur frika, një drithërimë ka pushtuar të pabesët: “Kush prej nesh do të mund të banojë me zjarrin gllabërrues? Kush prej nesh do të mund të banojë me flakët e përjetshme?”.

33:15 Ai që ecën me drejtësi dhe flet drejt, ai që i përçmon fitimet e shtrëmbëra, që lëviz duart për të mos pranuar dhurata, që i mbyll veshët për të mos dëgjuar të flitet për gjak dhe sytë për të mos parë të keqen,

33:16 ai do të banojë në vënde të larta, shkëmbenjtë e fortifikuar do të jenë streha e tij, buka e tij do t`i jepet, uji i tij do t`i sigurohet.

E ardhmja e lavdishme e Jeruzalemit

33:17 Sytë e tu do të sodisin bukurinë e mbretit tënd, do të shohin një vend që ndodhet shumë larg.

33:18 Zemra jote do të bjerë në mendime të thella mbi tmerret e kaluara: “Ku është shkruesi? Ku është ai që peshon? Ku është ai që numëron kullat?”.

33:19 Ti nuk do ta shikosh më atë popull mizor, atë popull me një të folur të errët dhe të pakuptueshme, që belbëzon një gjuhë që askush nuk e kupton.

33:20 Sodit Sionin, qytetin e madhështive tona! Sytë e tu do të shohin Jeruzalemin, vendbanim i qetë, çadër që nuk do të lëvizet më nga vendi, hunjtë e së cilës nuk do të shkulen dhe asnjë nga litarët e saj nuk do të hiqet.

33:21 Por aty Zoti në madhështinë e tij do të jetë për ne një vend lumenjsh dhe rrjedhash të gjera uji, ku nuk arrin asnjë anije me lopata dhe nuk kalon asnjë anije e fuqishme.

33:22 Me qenë se Zoti është gjykatësi ynë, Zoti është ligjvënësi ynë, Zoti është mbreti ynë; ai do të na shpëtojë.

33:23 Litarët e tu janë liruar, nuk e mbajnë mirë dyrekun dhe nuk vënë në veprim velat. Atëherë do të ndahet preja e një plaçke të pasur; edhe çalamanët do të marrin pjesë në plaçkitje.

33:24 Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: “Unë jam i sëmurë”. Populli që banon aty do të përfitojë faljen për paudhësinë e tij.