Isaia 27

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Restaurimi i Izraelit

27:1 Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e tij të ashpër, të madhe dhe të fortë Leviathanin, gjarpërin e shkathët, gjarpërin Leviathani dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin që është në det.

27:2 Atë ditë do të thuhet: “Vreshti që jep verë të kuqërremtë, këndoni për të.

27:3 Unë, Zoti, e ruaj, e vadis çdo çast, e ruaj natën e ditën me qëllim që askush të mos e dëmtojë.

27:4 Nuk ka zemërim tek unë. Kush do t`i vinte në luftë kundër meje ferrat dhe gjembat? Unë do të shkoja kundër tyre dhe do t`i digjja të gjitha tok.

27:5 Do të ishte më mirë që dikush të mbështetej te forca ime për të bërë paqe me mua, po, për të bërë paqe me mua”.

27:6 Në ditët që do të vijnë Jakobi do të lëshojë rrënjë, Izraeli do të lulëzojë dhe do të lëshojë lastarë dhe do të mbushë faqen e dheut me fryte.

27:7 A ka goditur Perëndia Izraelin ashtu si ka goditur ata që e qëllonin atë? A e ka vrarë atë ashtu si ka vrarë ata që e vrisnin atë?

27:8 Ti je grindur me të me masë, duke e përzënë dhe duke e çuar larg. Ai e çoi në një vend të largët me frymën e tij të furishme, një ditë me erë lindore.

27:9 Në këtë mënyrë do të shpagohet padrejtësia e Jakobit, dhe ky do të jetë gjithë fryti i heqjes së mëkatit të tij, kur do t`i kthejë tërë gurët e altarit si gurë gëlqereje të thërmuar; kështu Asherimët dhe altarët e temjanit nuk do të ngrihen më.

27:10 Qyteti i fortifikuar do të jetë i shkretuar, një vend i pabanuar dhe i braktisur si një shkretëtirë; aty do të kullosë viçi, i cili do të shtrihet dhe do të hajë degët.

27:11 Kur degët e tij do të thahen, do të thyhen dhe do të vijnë gra për t`i djegur. Me qenë se është një popull pa zgjuaësi, prandaj Ai që e ka bërë nuk do t`i vijë keq për të, Ai që e ka formuar nuk do t`i japë hir.

27:12 Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shijë grurin nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit, dhe ju do të mblidheni një nga një, o bij të Izraelit.

27:13 Atë ditë do të ndodhë që të bjerë buria e madhe, dhe ata që kanë humbur në vendin e Asirisë dhe ata që janë shpërndarë në vendin e Egjiptit do të vijnë dhe do të adhurojnë Zotin mbi malin e shenjtë, në Jeruzalem.

[previous][next]