BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Mbretëria e ardhme e drejtësisë
32:1 Ja, një mbret do të mbretërojë me drejtësi dhe princat do të qeverisin me paanësi.
32:2 Secili prej tyre do të jetë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur.
32:3 Sytë e atyre që shohin nuk do t`u erren më dhe veshët e atyre që dëgjojnë do të jenë të vëmendshëm.
32:4 Zemra e njerëzve të pamend do të fitojë njohuri dhe gjuha e atyre që belbëzojnë do të flasë shpejt dhe qartë.
32:5 Njeriu i përçmuar nuk do të thirret më fisnik, as i pandershmi nuk do të thirret i pavlerë.
32:6 Sepse njeriu i përçmuar thotë gjëra të neveritshme dhe zemra e tij jepet pas paudhësisë, për të kryer pabesi dhe për të thënë gjëra pa respekt kundër Zotit, për ta lënë bosh stomakun e të uriturit dhe për ta lënë thatë atë që vuan nga etja.
32:7 Armët e të pandershmit janë të poshtra; ai kurdis plane të këqija për të shkatërruar të mjerin me fjalë gënjeshtare, edhe kuri mjeri pohon të drejtën.
32:8 Por njeriu fisnik mendon plane fisnike dhe i vë vetes qëllime fisnike.
32:9 Çohuni, o gra që jetoni në bollëk, dhe dëgjoni zërin tim; o bija pa mend, ia vini veshin fjalës sime!
32:10 Brenda një viti dhe disa ditëve ju do të dridheni, o gra pa mend, sepse vjelja e rrushit do të shkojë keq dhe korrje nuk do të ketë.
32:11 Fërgëlloni, o gra që jetoni në bollëk, dridhuni o ju gra pa mend. Hiqni veshjet tuaja, zhvishuni dhe vini një grethore në ijët,
32:12 duke i rënë gjoksit nëpër arat e mira dhe nëpër vreshtat prodhimtare.
32:13 Mbi tokën e popullit tim do të rriten gjemba dhe ferra; po, mbi të gjitha shtëpitë e gëzimit të qytetit të qejfeve.
32:14 Sepse pallati do të braktiset, qyteti i zhurmshëm do të shkretohet, Ofeli dhe kulla do të bëhen për gjithnjë shpella gëzimi për gomarët e egër dhe kullotë për kopetë.
32:15 deri sa mbi ne të përhapet Fryma nga lart, shkretëtira të bëhet pemishte dhe pemishtja të konsiderohet si një pyll.
32:16 Atëherë i drejti do të banojë në shkretëtirë dhe drejtësia do të banojë në pemishte.
32:17 Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë.
32:18 Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi,
32:19 edhe sikur të binte breshër mbi pyllin dhe qyteti të ulej shumë.
32:20 Lum ju që mbillni në breg të të gjithë ujërave dhe që lini të shkojë e lirë këmba e kaut dhe e gomarit.