BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
E ardhmja e mrekullueshme e Sionit
35:1 Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili;
35:2 do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. Do t`u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndisë tonë.
35:3 Forconi duart e dobësuara, bëjini të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt!
35:4 U thoni atyre që e kanë humbur zemrën: “Bëhuni të fortë, mos kini frikë!”. Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrjen dhe me shpërblimin e Perëndisë; do të vijë ai vetë për t`ju shpëtuar.
35:5 Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve;
35:6 atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar.
35:7 Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash; në vendet ku shtriheshin çakejtë do të ketë bar me kallamishte dhe xunkth.
35:8 Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet “rruga e shenjtë”; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të; ajo do të jetë vetëm për ata që e ndjekin; edhe mendjeshkurtërit nuk do të mund të humbasin.
35:9 Luani nuk do të jetë më, as edhe ndonjë bishë e egër nuk do të dalë aty ose nuk do të duket, por do të ecin të çliruarit.
35:10 Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi, dhe dhembja e rënkimi do të ikin.