BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Sëmundja e Ezekias dhe shërimi i tij i mrekullueshëm
38:1 Në atë kohë Ezekia u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse. Profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: “Kështu flet Zoti. Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe jo për t`u shëruar”.
38:2 Atëherë Ezekia e ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit:
38:3 “Të lutem shumë, o Zot, kujto si kam ecur para teje me besnikëri, me zemër të pastër, dhe kam bërë atë që është mirë në sytë e tu”. Pastaj Ezekia qau me të madhe.
38:4 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaias, duke thënë:
38:5 “Shko dhe i thuaj Ezekias: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, ati yt: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tua; ja, do t`u shtoj pesëmbëdhjetë vjet ditëve të tua;
38:6 do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet.
38:7 Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit, Zoti do ta çojë në vend fjalën që ka thënë:
38:8 ja, unë do të bëj që të sprapset dhjetë shkallare hija që për efekt të diellit është zgjatur mbi shkallarët e Ashazit. Dhe dielli u spraps dhjetë shkallare prej shkallareve nga kishte zbritur”.
Kantiku i Ezekias
38:9 I shkruar nga Ezekia, mbret i Judës, kur ra i sëmurë dhe u shërua nga sëmundja e tij.
38:10 Unë thoja: “Në kulmin e ditëve të mia do të shkoj në portat e Sheolit; jam privuar nga mbetja e viteve të mia”.
38:11 Thoja: “Nuk do ta shoh më Zotin, po, Zotin, mbi dheun e të gjallëve, midis banorëve të botës të të vdekurve nuk do të shoh më asnjë njeri.
38:12 Banesa ime tokësore është shkulur dhe u çua larg meje, si një çadër barinjsh. E kam mbështjellur jetën time si një endës. Ai më këputi nga vegja; nga dita në natë do t`i japësh fund jetës sime.
38:13 E qetësova veten deri në mëngjes; si një luan, ai i thyen tërë kockat e mia; me kalimin nga dita në natë do t`i japësh fund jetës sime.
38:14 Krakëllija si një lejlek apo një dallëndyshe, rënkoja si një pëllumbeshë; sytë e mi ishin të lodhur, duke shikuar lart. O Zot, jam i shtypur; bëhu ti garanti im.
38:15 Çfarë të them? Ai më ka folur dhe ai vetë e ka bërë këtë gjë. Unë do të eci ngadalë gjatë tërë viteve të mia, në hidhërimin e shpirtit tim.
38:16 O Zot, me këto gjëra ne jetojmë, dhe në të gjitha këto gjëra qëndron jeta e frymës sime; prandaj më shëro dhe më kthe jetën!
38:17 Ja, është për paqen time që kam provuar hidhërim të madh; por në dashurinë tënde ke çliruar shpirtin tim nga gropa e korruptimit, sepse i ke hedhur prapa krahëve të tua të tëra mëkatet e mia.
38:18 Sepse Sheoli nuk mund të të lëvdojë, vdekja nuk mund të të kremtojë; ata që zbresin në gropë nuk mund të shpresojnë më në besnikërinë tënde.
38:19 I gjalli, i gjalli është ai që të lëvdon, siç po bëj unë sot; ati do t`u njoftojë bijve besnikërinë tënde.
38:20 Zoti do të më shpëtojë; dhe ne do të këndojmë kantikët e mi me vegla me tela tërë ditët e jetës sonë në shtëpinë e Zotit”.
38:21 Por Isaia kishte thënë: “Merrni një jaki prej fiqsh, vendoseni mbi ulçer dhe i sëmuri do të shërohet”.
38:22 Ezekia kishte thënë: “Cila është shenja me të cilën do të ngjitem në shtëpinë e Zotit”?