Isaia 46

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Fundi i mjerë i idhujve të Babilonisë dhe Perëndia i vërtetë

46:1 Beli ka rënë, Nebo është rrëzuar; idhujt e tyre i kanë çuar tutje me kafshë barre dhe me pela; gjërat që ju transportonit janë ngarkuar si pesha të rënda për kafshët e lodhura.

46:2 Janë shembur, kanë rënë bashkë; nuk kanë mundur të shpëtojnë ngarkesën, por ata vetë kanë shkuar në robëri.

46:3 “Dëgjomëni, o shtëpi e Jakobit, dhe tërë mbetja e shtëpisë së Izraelit, që ju kam përkrahur që kur keni lindur, që jeni mbajtur nga unë qysh në bark të nënës;

46:4 “Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t`ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t`ju përkrah; po, do t`ju mbaj dhe do t`ju shpëtoj”.

46:5 Me cilin doni të më barazoni, me cilin doni të më krahasoni që mund të jemi të njëllojtë?

46:6 Këta harxhojnë arin e çantës dhe peshojnë argjendin me peshore, paguajnë një argjendar që me to të sajojë një perëndi; pastaj bien përmbys para tij dhe e adhurojnë.

46:7 E ngarkojnë mbi kurriz dhe e mbartin, e vënë në vendin e tij dhe mbetet atje; nga vendi i tij nuk lëvizet më. Edhe sikur dikush t`i thërrasë atij, ai nuk i përgjigjet as e shpëton nga fatkeqësia e tij.

46:8 Kujtoni këtë dhe tregohuni burra! Silleni atë ndërmend, o shkelës.

46:9 Kujtoni gjërat e kaluara të kohëve shumë të vjetra, sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua,

46:10 që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen”,

46:11 duke thirrur nga lindja një zog grabitqar dhe nga një tokë e largët njeriun që do të zbatojë planin tim. Po, kam folur dhe do të bëj që të ndodhë; kam bërë planin dhe do ta realizoj.

46:12 Dëgjomëni, e zemërkryeneçë, që i jeni larguar drejtësisë.

46:13 Po e afroj drejtësinë time, ajo nuk është larg; shpëtimi im nuk do të vonojë. Do ta vë shpëtimin te Sioni dhe do t`i tregoj lavdinë time Izraelit”.

[previous][next]