BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Shërbëtori i Zotit, dritë e kombeve
49:1 Ishuj, dëgjomëni, dhe kushtojini kujdes, o popuj të largët. Zoti më ka thirrur që kur isha në bark të nënës, ka përmendur emrin tim që kur isha në të përbrëndëshmet e nënës sime.
49:2 Ma bëri gojën si një shpatë të mprehtë, më ka fshehur në hijen e dorës së tij, më ka dhënë një shigjetë me majë, më ka futur në kukurën e tij.
49:3 Më ka thënë: “Ti je shërbëtori im, Izrael, në të cilin do të përlëvdohem”.
49:4 Por unë thoja: “Më kot jam lodhur; për hiç gjë dhe pa dobi kam harxhuar forcën time; por me siguri e drejta ime është pranë Zotit dhe shpërblimi im pranë Perëndisë tim”.
49:5 Dhe tani thotë Zoti që më ka formuar që në bark të nënës që të jem shërbëtori i tij, që t`i sjell atij përsëri Jakobin dhe që të mbledh rreth tij Izraelin (unë jam i nderuar në sytë e Zotit dhe Perëndia im është forca ime).
49:6 Ai thotë: “Éshtë tepër pak që ti të jesh shërbëtori im për të lartuar përsëri fiset e Jakobit dhe për të kthyer ata që kanë shpëtuar nga Izraeli. Të kam vendosur si dritën e kombeve, me qëllim që të jesh Shpëtimi im deri në skajet e tokës”.
49:7 Kështu i thotë Zoti, Çliruesi i Izraelit, i Shenjti i tij, atij që përbuzet nga njerëzit, që urrehet nga kombi, shërbëtorit të sundimtarëve: “Mbretërit do të shohin dhe do të ngrihen, princat do të
Restaurimi i Izraelit
49:8 Kështu thotë Zoti: “Në kohën e hirit unë ta kam plotësuar dëshirën dhe në ditën e shpëtimit të kam ndihmuar; do të të ruaj dhe do të të bëj aleancën e popullit, për ta ringjallur vendin, për të të shtënë në dorë trashëgimitë e shkatërruara,
49:9 për t`u thënë robërve: “Dilni”, dhe atyre që janë në terr: “Shfaquni”. Ata do të kullosin gjatë rrugëve dhe në të gjitha lartësitë e braktisura do të kenë kullotat e tyre.
49:10 Nuk do të kenë as uri as etje, nuk do të goditen më as nga vapa as nga dielli, sepse ai që ka mëshirë për ta do t`i udhëheqë dhe do t`i çojë te burimet e ujit.
49:11 Do t`i ndryshoj tërë malet e mia në rrugë, dhe rrugët e mia kryesore do të ngrihen.
49:12 Ja, këta vijnë nga larg; ja, ata nga veriu dhe nga lindja, dhe ata nga vendi i Sinimit”.
49:13 Ngazëlloni, o qiej, gëzohu, o tokë, dhe lëshoni britma gëzimi, o male, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe i vjen keq për të pikëlluarit e tij.
49:14 Por Sioni ka thënë: “Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar”.
49:15 “A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.
49:16 Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve.
49:17 Bijtë e tu do të shpejtojnë, shkatërruesit e tu dhe rrënuesit e tu do të largohen prej teje.
49:18 Ngrej sytë e tu rreth e qark dhe shiko. Të tërë ata po mblidhen dhe po të vijnë. Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, do të vishesh me tërë ata si me një oridnt dhe do t`i lidhësh mbi veten tënde, ashtu si bën nusja.
49:19 Prandaj vendet e tua të shkreta dhe të pikëlluara dhe vendi yt i goditur një herë nga shkatërrimi do të jenë tani tepër të ngushtë për banorët, ndërsa ata që të gllabëronin do të jenë mjaft larg.
49:20 Fëmijët që do të kesh pas atyre që ke humbur, do të të thonë në vesh: “Ky vend është tepër i ngushtë për mua; bëmë më tepër vend që të mund të vendosem”.
49:21 Atëherë ti do të thuash në zemrën tënde: “Kush i ka pjellë këta? Unë në fakt isha i privuar nga fëmijët e mi, isha shterpë e mërguar dhe e dëbuar sa këtej dhe andej. Këta kush i rriti? Ja, unë kisha mbetur vetëm, dhe këta ku ishin?””.
49:22 Kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, unë do të ngre dorën time mbi kombet, do të ngre flamurin tim mbi popujt; atëherë do t`i sjellin bijtë e tu në krahë dhe vajzat e tua do t`i sjellin mbi supe.
49:23 Mbretërit do të jenë baballarët tuaj birësues dhe mbretëreshat e tyre do të jenë tajat tuaja; ata do të bien përmbys para teje me fytyrën përtokë dhe do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua; kështu do të mësosh që unë jam Zoti dhe ata që shpresojnë tek unë nuk do të turpërohen.
49:24 A do të mund t`i shkëputet vallë preja të fuqishmit apo të çlirohet i burgosuri që është i drejtë?”.
49:25 Po, kështu thotë Zoti: “Edhe i burgosuri do të çohet tutje dhe preja e tiranit do të shpëtohet. Unë vetë do të luftoj me atë që lufton me ty dhe do të shpëtoj bijtë e tu.
49:26 Do të bëj që shtypësit e tu të hanë mishin e vet, dhe do të dehen me gjakun e vet si të ishte musht. Atëherë çdo mish do të pranojë që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt, Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit”.