Isaia 6

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Vegimi i Isaias dhe porosia e tij

6:1 Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin.

6:2 Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte.

6:3 Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij”.

6:4 Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym.

6:5 Atëherë unë thashë: “I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive”.

6:6 Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari.

6:7 Me të ai preku gojën time dhe tha: “Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet”.

6:8 Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?”. Unë u përgjigja: “Ja ku jam, dërgomë mua!”.

6:9 Atëherë ai tha: “Shko dhe i thuaj këtij populli: Dëgjoni, pra, por pa kuptuar, shikoni, pra, por pa dalluar.

6:10 Bëje të pandieshme zemrën e këtij populli, ngurtëso veshët e tij dhe mbyll sytë e tij që të mos shikojë me sytë e tij, të mos dëgjojë me veshët e tij dhe të mos kuptojë me zemrën e tij, dhe kështudo të kthehet dhe të jet shëruar”.

6:11 Unë thashë: “Deri kur, o Zot?”. Ai u përgjigj: “Deri sa qytetet të shkatërrohen dhe të jenë pa banorë, shtëpitë të mos kenë njeri dhe vendi të jetë i shkretuar dhe i pikëlluar,

6:12 dhe deri sa Zoti të ketë larguar njerëzinë dhe të jetë një braktisje e madhe në mes të vendit.

6:13 Do të mbetet akoma një e dhjeta e popullsisë, por edhe kjo do të shkatërrohet; por ashtu si bafrës dhe lisit, kur priten u mbetet cungu, kështu një brez i shenjtë do të jetë trungu i tij”.

[previous][next]