Zbulesa 11

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Dy dëshmitarët

11:1 Dhe m`u dha një kallam që i ngjante një shufre. Dhe engjëlli duke qëndruar në këmbë tha: “Çohu dhe mat tempullin e Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë atje,

11:2 dhe oborrin që është jashtë tempullit lëre dhe mos e mat, sepse u është dhënë johebrenjve; dhe ata do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.

11:3 Dhe unë do t`u jap të dy dëshmitarëve të mi për të profetizuar, dhe ata do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë.

11:4 Këta janë të dy drurët e ullirit dhe të dy shandanët që rrijnë përpara Perëndisë së dheut.

11:5 Dhe, nëse ndokush dëshiron t`u bëjë keq atyre, nga goja e tyre del zjarr dhe i gllabëron armiqtë e tyre; dhe kushdo që dëshëron t`u bëjë keq atyre, në këtë mënyrë duhet vrarë.

11:6 Ata kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; ata kanë edhe pushtet mbi ujërat t`i kthejnë në gjak dhe për të goditur dheun me çdo plagë, sa herë të duan.

11:7 Dhe kur ta kryejnë dëshminë e tyre, bisha që ngjitet nga humnera do të bëjë luftë kundër tyre, edhe do t`i mundë ata, dhe do t`i vrasë.

11:8 Dhe kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili frymërisht quhet Sodomë dhe Egjipt, ku është kryqëzuar edhe Zoti ynë.

11:9 Dhe njerëz nga popuj, dhe fise, dhe gjuhë, dhe kombe do të shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë, dhe nuk do të lënë që kufomat e tyre të shtihen në varr.

11:10 Dhe banorët e dheut do të ngazëllojnë për ata dhe do të bëjnë festë; dhe do t`i dërgojnë njeri tjetrit dhurata, sepse këta dy profetë i munduan ata që banojnë mbi dhe“.

11:11 Por mbas tri ditë e gjysmë, fryma e jetës që buron nga Perëndia hyri në ta; edhe qëndruan në këmbët e tyre, dhe një tmerr e madh ra mbi ata që i shikonin.

11:12 Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli duke u thënë atyre: “Ngjituni këtu lart“. Dhe u ngjitën në qiell në një re; dhe armiqtë e tyre i panë.

11:13 Dhe në atë orë ra një tërmet i madh, dhe e dhjeta pjesë e qytetit u rrëzua, dhe në tërmet u vranë shtatë mijë njerëz; dhe të tjerët u tmerruan dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.

11:14 Mjerimi i dytë kaloi, por ja, mjerimi i tretë do vijë së shpejti.

Boria e shtatë

11:15 Dhe engjëlli i shtatë i ra borisë dhe u bënë zëra të mëdhenj në qiell që thoshnin: “Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve“.

11:16 Atëherë të njëzet e katër pleqtë që rrinin përpara Perëndisë mbi fronet e tyre, ranë përmbys mbi fytyrat e veta dhe adhuruan Perëndinë,

11:17 duke thënë: “Ne të falënderojmë, o Zot, Perëndi i Plotfuqishmi, që je, që ishe dhe që do të vish, sepse more në dorë pushtetin tënd të madh, dhe mbretëron.

11:18 Kombet ishin zemëruar, por erdhi mëria jote, dhe erdhi koha që të gjykohen të vdekurit dhe t`u jepet paga shërbëtorëve të tu, profetëve, dhe shenjtorëve, dhe atyre që druajnë emrin tënd, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, dhe të shkatërrosh ata që shkatërrojnë dheun“.

11:19 Atëherë u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe u duk arka e besëlidhjes së tij, dhe ndodhnin vetëtima, dhe zëra, dhe bubullima, dhe tërmet, dhe një rebesh i fortë breshëri.