Zbulesa 3

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Letra e pestë: drejtuar kishës së Sardës

3:1 “Dhe engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: këto gjëra thotë ai që ka të shtatë Frymërat e Perëndisë dhe të shtatë yjet. Unë i di veprat e tua; ti ke emrin se jeton, por je i vdekur.

3:2 Ji syçelë dhe forco mbetjen e gjërave që gati po vdesin, sepse nuk i gjeta të përkryera veprat e tua përpara Perëndisë tim.

3:3 Kujto, pra, atë që more dhe dëgjove, dhe ruaje edhe pendohu. Po të mos rrish zgjuar, unë do të vij te ti si vjedhës, dhe nuk do të dish në ç`orë do të vij te ti.

3:4 Por ke disa veta në Sardë, që nuk e ndotën petkat e tyre; edhe do të ecin me mua të veshur në të bardha, sepse janë të denjë.

3:5 Kush fiton do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jetës, por do të rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe para engjëjve të tij.

3:6 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave“.

Letra e gjashtë: drejtuar kishës së Filadelfisë

3:7 “Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.

3:8 Unë njoh veprat e tua; ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë; sepse ke pak forcë, dhe e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim.

3:9 Ja, unë do të dorëzoj disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten Judenj, dhe nuk janë, por gënjejnë; ja, unë do t`i bëj të vijnë dhe të bien përmbys përpara këmbëve të tua, dhe do të njohin se unë të kam dashur.

3:10 Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.

3:11 Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde.

3:12 Kush fiton do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më përjashta; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jeruzalemit të ri, që zbret nga qielli nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.

3:13 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave“.

Letra e shtatë: drejtuar kishës së Laodicesë

3:14 “Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: këtë thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijesës së Perëndisë.

3:15 Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!

3:16 Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.

3:17 Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe s`kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.

3:18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh.

3:19 Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.

3:20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.

3:21 Kujt fiton do t`i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.

3:22 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave“.