Zbulesa 5

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Libri i vulosur me shtatë vula, të cilën vetëm Qengji është i denjë ta hapë

5:1 Pastaj pashë në dorën e djathtë të atij që rrinte ulur mbi fron, një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.

5:2 Dhe pashë një engjëll të fuqishëm, që proklamoi me zë të madh: “Kush është i denjë të hapë librin dhe të zgjidhë vulat e tij?“.

5:3 Po kurrkush, as në qiell, as mbi dhe, as nën dhe, nuk mund të hapte librin e ta shihte atë.

5:4 Edhe unë qaja shumë, sepse s`qe gjetur asnjë i denjë të hapë dhe të lexojë librin, dhe as ta shohë.

5:5 Atëherë një nga pleqtë më tha: “Mos qaj; ja, Luani i fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi të hapë librin dhe të zgjidhë të shtatë vulat e tij“.

5:6 Dhe pashë, në mes të fronit dhe të katër gjenieve të gjalla dhe në mes të pleqve, një Qengj si i therur, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë, të dërguar në gjithë dheun.

5:7 Ai erdhi dhe mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte mbi fron.

5:8 Dhe, mbasi e mori librin, të katër qeniet e gjalla dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili një qeste dhe disa kupa ari plot me erë të këndshme, të cilat janë lutjet e shenjtorëve.

5:9 Dhe këndonin një këngë të re duke thënë: “Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb,

5:10 dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe“.

5:11 Pastaj pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve përqark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash,

5:12 që thoshnin me zë të madh: “I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin“.

5:13 Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve“.

5:14 Dhe të katër qeniet e gjalla thoshnin: “Amen!“. Dhe të njëzet e katër pleq ranë përmbys dhe adhuruan atë që rron në shekuj të shekujve.