Zbulesa 22

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


22:1 Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, te kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit.

22:2 Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve.

22:3 Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t`i shërbejnë;

22:4 ata do të shohin fytyrën e tij; dhe emri i tij do të jetë mbi ballin e tyre.

22:5 Dhe atje natë nuk do të ketë; edhe nuk kanë nevojë për llambë, as për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon; dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.

Paralajmërime dhe premtime të fundit

22:6 Dhe më tha: “Këto fjalë janë besnike dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t`u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti.

22:7 Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri“.

22:8 Dhe unë, Gjoni, jam ai që kam parë dhe dëgjuar këto gjëra; dhe kur dëgjova dhe pashë, rashë për ta adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m`i tregonte këto gjëra.

22:9 Dhe ai më tha: “Ruaju se e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu, profetë, dhe të atyre që i ruajnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!“.

22:10 Pastaj më tha: “Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.

22:11 Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet.

22:12 Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t`i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë.

22:13 Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit“.

22:14 Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit.

22:15 Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën.

22:16 “Unë, Jezusi, dërgova engjëllin tim për t`ju dëshmuar për këto gjëra nëpër kisha. Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit“.

22:17 Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!“. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!“. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.

22:18 Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t`i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër.

22:19 Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t`i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër.

22:20 Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: “Po, unë vij shpejt. Amen“. Po, eja, Zoti Jezus.

22:21 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.