Zbulesa 7

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Izraelitët besnikë shpëtohen nga plagët e afërta

7:1 Pas këtyre gjërave, pashë katër engjëj të cilët rrinin në këmbë në të katër këndet e dheut dhe mbanin të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë mbi dhe, as mbi det, as mbi ndonjë dru.

7:2 Pastaj pashë një engjëll tjetër që ngjitej nga lind dielli e që kishte vulën e Perëndisë së gjallë; dhe u thirri me zë të madh të katër engjëjve, të cilëve u qe dhënë të dëmtojnë dheun dhe detin,

7:3 duke thënë: “Mos dëmtoni dheun, as detin, as pemët, deri sa t`i vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë“.

7:4 Dhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit.

7:5 Nga fisi i Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Rubenit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Gadit dymbëdhjetë mijë të vulosur;

7:6 nga fisi i Asherit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Neftalit, dymbëdhjetë mjië të vulosur; nga fisi i Manasit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;

7:7 nga fisi i Simeonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Levit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Isakarit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;

7:8 nga fisi i Zabulonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Jozefit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Beniaminit, dymbëdhjetë mijë të vulosur.

Vegimi i dëshmorëve në lavdi

7:9 Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre.

7:10 Dhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: “Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit“.

7:11 Dhe të gjithë engjëjt rrinin në këmbë përqark fronit, dhe pleqve dhe katër qenieve e gjalla, dhe ranë përmbys mbi fytyrën e tyre përpara fronit dhe adhuruan Perëndinë,

7:12 duke thënë: “Amen! Bekimi, dhe lavdia, dhe dituria, dhe falendërimi, dhe nderimi, dhe fuqia dhe forca janë te Perëndia ynë në shekuj të shekujve. Amen!“.

7:13 Pastaj një nga pleqtë m`u drejtua, duke më thënë: “Cilët janë këta që janë veshur me rroba të bardha, dhe nga kanë ardhur?“.

7:14 Dhe unë i thashë: “Imzot, ti e di“. Atëherë ai më tha: “Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.

7:15 Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbenin atij ditë e natë në tempullin e tij; dhe ai që rri ulur mbi fron do të banojë në mes tyre.

7:16 Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t`i godasë më dielli, as kurrfarë vape,

7:17 sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t`i kullosë dhe do t`i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre“.