Zbulesa 14

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

`

Qengji dhe të çliruarit e tij në malin e Sionit

14:1 Pastaj pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që e kishin të shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.

14:2 Dhe dëgjova pastaj një zë nga qielli si ushtima e shumë ujërave dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe; dhe zëri që dëgjova ishte si ai i kitaristëve që u bien qesteve së tyre.

14:3 Ata këndonin një këngë të ri përpara fronit, përpara katër qenjeve të gjalla dhe përpara pleqve; dhe asnjë nuk mund ta mësonte kantikun përveç të njëqind e dyzet e katër mijëve, që ishin shpenguar nga toka.

14:4 Këta janë ata që nuk janë ndotur me femra; janë në fakt të virgjër. Këta janë ata që ndjekin Qengjit, kudo që të shkojë ai; këta u shpenguan ndër njerezit, që të jenë të parat fruta për Perëndinë dhe Qengjin.

14:5 Edhe në gojë të tyre nuk u gjet gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm përpara fronit të Perëndisë.

14:6 Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t`ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli,

14:7 dhe thoshte me zë të madh: “Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave“.

14:8 Pastaj një tjetër ëngjëll shkoi pas tyre, duke thënë: “Ra, ra Babilona, qyteti i madh që u ka dhënë të pinë të gjithë kombeve verën e zemërimit të kurvërimit të saj“.

14:9 Një engjëll i tretë shkoi pas tyre duke thënë me zë të madh: “Nëse ndokush adhuron bishën dhe figurën e saj dhe merr damkën mbi ballin e vet ose mbi dorën e vet,

14:10 do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit.

14:11 Dhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në shekuj të shekujve, dhe nuk do të kenë prehje ditë e natë ata që adhurojnë bishën dhe figurën e saj dhe kushdo që merr damkën e emrit të saj“.

14:12 Këtu është qëndrueshmëria e shenjtorëve; këtu janë ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe besimin e Jezusit.

14:13 Pastaj dëgjova nga qielli një zë që më thoshte: “Shkruaj: Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin; po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t`i ndjekin“.

Korrja dhe vjelja

14:14 Pastaj pashë një re të bardhë, dhe ja, mbi re po rrinte i ulur një i ngjashëm me një Bir njeriu, i cili kishte mbi krye një kurorë të artë dhe në dorë një drapër të mprehtë.

14:15 Një engjëll tjetër doli nga tempulli, duke i thirrur me zë të madh atij që ulej mbi re: “Vër dorë mbi drapërin tënd dhe korr, sepse ora e të korrurit ka ardhur dhe të korrat e dheut janë pjekur“.

14:16 Atëherë ai që ulej mbi re e lëshoi drapërin e tij mbi tokë dhe dheu u korr.

14:17 Pastaj një engjëll tjetër doli nga tempulli që është në qiell, duke mbajtur dhe ai një drapër të mprehtë.

14:18 Dhe një engjëll tjetër, që kishte pushtet mbi zjarrin, doli nga altari dhe i thirri me zë të madhe atij që kishte drapërin e mprehtë, duke thënë: “Vëre në punë drapërin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të dheut, sepse rrushi i tyre është pjekur“.

14:19 Atëherë engjëlli e lëshoi drapërin e tij mbi tokë dhe voli vreshtin e dheut dhe hodhi rrushin në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë.

14:20 Dhe voza u shtrydh jashtë qytetit dhe nga voza doli gjak deri te frerët e kuajve, për njëmijë e gjashtëqind stade.

[previous][next]