KAPITULLI 11 | DITA E GJYKIMIT
PROFECITË NË BIBËL u referohet shpesh “ditëve të fundit”, “mbarimit të ditëve”, apo “kohëve të fundit” (1). Përdorimi i parë i kësaj shprehje gjendet te Zanafilla 49:1, ku Jakobi u shpall bijve të tij: «Mblidhuni që unë t’ju njoftoj çfarë do t’ju ndodhë në ditët e ardhshme». Profecia e Jakobit, përveç parathënies së asaj që do të ndodhë në atë kohë, shpall në mënyrë të qartë se në “ditët e ardhshme” Izraeli do të ekzistojë akoma dhe do të jetë i rëndësishëm në planet e Perëndisë: një mësim biblik që shumë vetë që e quajnë veten të krishterë e mohojnë sot.
Gjithashtu Izraeli dhe rëndësia e tij si komb, ashtu siç e kemi thënë tashmë, në zotërimin e tërë Tokës së Premtuar, nuk do të reshtë kurrë. Bibla, në mënyrë të përsëritur shpall se Perëndia ia dha Tokën e Premtuar Izraelit sipas një “besëlidhjeje të përjetshme”. Ndershmëria e Perëndisë lidhet me Izraelin, mbijetesës së tij, përtëritjes përfundimtare dhe bekimit të përjetshëm, sepse Ai e ka premtuar në Fjalën e Tij përmes profetëve. Prandaj, ashtu siç kemi parë, nëse Satani mund të shkatërrojë Izraelin dhe kështu të parandalojë përtëritjen e tij të plotë dhe bekimin përfundimtar, ai do të kishte vërtetuar se Perëndia është gënjeshtar, duke hequr çdo bazë morale që Perëndia ta ndëshkojë për gënjeshtrat e tij ndaj njerëzimit, përfshi gënjeshtrat me të cilat mashtroi Evën në Kopshtin e Edenit. Ky është thelbi i konfliktit të Lindjes së Mesme.
ÇËSHJA E VËRTETË
Qëllimi satanik për shkatërrimin e Izraelit është shpjegimi i vetëm i arsyeshëm për antisemitizmin mbarëbotëror, përfshi mësimin e pabesueshëm islamik megjithëse themelor se çdo jude duhet të shfaroset para se çdo mysliman të ringjallet.
Natyrisht, mbijetesa dhe bekimi përfundimtar i Izraelit nën drejtimin e Mesisë jo vetëm është thelbësor për të shfajësuar Perëndinë e Izraelit dhe Biblën, por për të vërtetuar se Muhamedi, Islami dhe Allahu janë të gjitha mashtrim. Kështu, rëndësia e asaj që i ndodh Izraelit shkon përtej planeve të udhëheqësve fetarë e politikë të botës. Qëndrimi i tyre ndaj Izraelit pasqyron qëndrimin dhe marrëdhënien e tyre me Krijuesin dhe Gjykatësin e tyre përfundimtar. Këto çështjet janë të përjetshme.
Për qindra profecitë rreth Izraelit, ashtu siç kemi parë tashmë, shumë mund të përmbushen vetëm në “ditët e fundit”. Për këtë arsye, gjithashtu, Izraeli nuk mund të reshtë së ekzistuari, përndryshe shumë profeci do të ishin të rreme. Edhe sikur një prej profecive të ishte e rremë, si mund të besojë gjithçka tjetër që thotë Bibla? Në mënyrë të pabesueshme ka pastorë dhe profesorë seminari të cilët shkëpusin dhe zgjedhin atë që besojnë në Shkrim. Duke bërë një gjë të tillë ata po shkatërrojnë vetë themelin e besimit që rrëfejnë në mënyrë hipokrite.
Çfarë do të ishte më marrëzi se sa njerëzit e thjeshtë të gjykojnë Perëndinë? Nëse Bibla është Fjala e Perëndisë, ajo është e tëra e vërtetë; nëse jo, atëherë le të reshtim së e nderuari, Perëndinë që pohon se e ka shkruar dhe Krishti, i cili na flet për të dhe le të pranojmë me ndershmëri se Krishterimi është një zhgënjim i rrezikshëm.
Kulmi i tërë profecisë përfshin Jerusalemin dhe ndodh në atë që i referohet si “dita e Zotit”, quajtur gjithashtu “atë ditë”. Për shembull: «Ja, po vjen dita e Zotit… Unë do t’i mbledh të gjitha kombet për të luftuar kundër Jerusalemit » (3). Shpesh bëhet pyetja (ashtu siç e kemi thënë më parë): «A ndodhen Shtetet e Bashkuara të Amerikës në profeci?». Po. Të gjitha kombet (dhe kjo përfshin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) do të bashkohen nën Antikrishtin në një sulm masiv ndaj Izraelit dhe Jerusalemit në fund të Mundimit të Madh. Krishti do të ndërhyjë për të shpëtuar popullin e Tij, duke shkatërruar ushtritë dhe mbretërinë Antikrishtit në Armagedon.
Perëndia thotë: «Unë do t’i mbledh të gjitha kombet». Por a nuk është Satani ai që urren Izraelin dhe që do të vazhdojë të përpiqet ta shkatërrojë deri në fund? A nuk do t’i mbledhë ai të gjitha kombet kundër Izraelit nën drejtimin e mesisë së rremë, Antikrishtit? Si mund të punojnë Perëndia dhe Satani së bashku? Ata nuk mund të punojnë së bashku. Perëndia përdor Satanin dhe ndjekësit e tij, por Ai kurrë nuk nxit Satanin për të bërë të keqen: kjo është natyra e Satanit.
Perëndia gjithashtu nuk nxit, aq më pak të shkaktojë, dikë të përpiqet të shkatërrojë Izraelin. Ai lejon këtë urrejtje që të shfryhet kundër Izraelit në mënyrë që të zbulohet e vërteta rreth zemrës njerëzore. Ai lejon gjithashtu si pjesë të gjykimit të Tij ndaj Izraelit. Ai gjykim është parashikuar shkronjë për shkronjë në profecitë e dhëna nga profetët e frymëzuar të Izraelit.
Ishte Izraeli që na dha Biblën dhe Mesinë. Vëmendja e Biblës përqendrohet tek Izraeli që nga fillimi deri në fund. Kriza e tashme e Lindjes së Mesme po shpalos saktësisht atë që parashikon Bibla. Mbështetur në evidencën mahnitëse nuk mund të shmangim përfundimin se finalja e madhe e profecive të “ditëve të fundit” po i afrohet fundit, ashtu siç do të shohim në kapitullin e fundit.
PROFECIA ËSHTË HISTORIA E SHKRUAR PARA SE TË NDODHË
Tërë historia e popullit jude dhe kombit të Izraelit është parathënë nga profetët hebrenj me anë të frymëzimit të Frymës së Shenjtë. Ne kemi mundur të shohim vetëm një pjesë të vogël të atyre profecive mahnitëse dhe procesin e vazhdueshëm të përmbushjes së disa prej tyre sot. Perëndia, kur i çoi izraelitët në vendin e tyre, i paralajmëroi se nëse ata do ta braktisnin për perënditë pagane, Ai do t’i shpërndante deri në skajet e tokës. Ai do të urreheshin, përndiqeshin dhe vriteshin si asnjë popull tjetër. Megjithatë, Ai nuk do t’i braktiste ata plotësisht. Një tepricë do të ruhej. Në ditët e fundit Ai do t’i kthejë përsëri në vendin e tyre. Në atë kohë Perëndia do të bëjë Jerusalemin një kupë hutimi për të gjithë fqinjët përreth dhe një barrë dërrmuese për gjithë botën. Kemi trajtuar shkurtimisht këto profeci, të cilat qartësisht janë duke u përmbushur në kohën tonë.
Sa mahnitëse që «populli i Perëndisë» (4), pavarësisht nga të gjitha mrekullitë që kanë dëshmuar duke dalë nga Egjipti, është rebeluar kundër Perëndisë, të kthehet në idhujtari dhe imoralitet (këto të dyja shkojnë gjithmonë bashkë) dhe si rezultat u dëbua nga vendi i tij me zemërimin e Perëndisë! Megjithatë, ai fakti nuk mund të ishte pohuar më qartë se sa në deklaratat e shumta rreth të ardhmes nga vetë profetët e Izraelit. Profeci të tilla janë dhënë në hollësi të veçanta dhe janë shtjelluar nga shumë profetë hebrenj në mbarë Biblën.
Profecitë e mëposhtme nuk janë shpalljet e antisemitëve, por të vetë Perëndisë që flet përmes profetëve të Tij të zgjedhur. Dhe askush nuk shpalli gjykimin e Perëndisë ndaj Izraelit rebel më ashpër se Moisiu, i cili i nxori nga Egjipti dhe te kufijtë e Tokës së Premtuar. Ndërsa ishin duke u futur në Kanaan, Perëndia i paralajmëroi edhe një herë tjetër përmes këtij udhëheqësi të madh, të cilit i foli: «ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij» (5). Gjithashtu nuk mund të mohohet se gjithçka që shkruhet më poshtë ka ndodhur saktësisht ashtu siç ka parathënë Perëndia përmes Moisiut:
Por në rast se nuk i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, për të respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet dhe të gjitha statutet e tij që sot të urdhëroj, do të ndodhë që të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë….
Zoti do të të braktisë në disfatë dhe në masakër para armiqve të tu; do të dalësh kundër tyre nga një rrugë dhe do të largohesh prej tyre duke ua mbathur nëpër shtatë rrugë; dhe kështu do të bëhesh një objekt urrejtjeje nga ana e të gjitha mbretërive të dheut…. dhe do të bëhesh objekt habie, proverbi dhe talljeje në mes tërë popujve pranë të cilëve do të të çojë Zoti. Të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty, do të të ndjekin dhe do të të zënë deri sa të shkatërrohesh, sepse nuk iu binde zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet që ai të ka urdhëruar. Ato do të jenë si një shenjë dhe si një mrekulli për ty dhe pasardhësit e tu, për gjithnjë… Po të mos kesh kujdes të zbatosh në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji, që janë shkruar në këtë libër, duke pasur frikë nga ky emër i lavdishëm dhe i tmerrshëm, ZOTI, PERËNDIA YT… Kështu do të mbeteni pak….
Dhe do të ndodhë që, ashtu si Zoti ndjente kënaqësi t’ju bënte të mirë dhe t’ju shumëzonte, po kështu Zoti do të ndjejë kënaqësi duke ju zhdukur dhe shkatërruar; dhe do t’ju rrëmbejnë nga vendi ku po hyni për ta pushtuar. Zoti do të të shpërndajë midis tërë popujve, nga njeri skaj i tokës në tjetrin… midis atyre kombeve nuk do të gjesh prehje… aty Zoti do të të japë një zemër të drithëruar, sy përgjërues dhe ankth në shpirt. Jeta jote do të qëndrojë përpara pezull në pasiguri; do të dridhesh natën dhe ditën dhe nuk do të kesh asnjë siguri për qenien tënde. Në mëngjes do të thuash: “Ah, të ishte mbrëmje!”, dhe në mbrëmje do të thuash: “Ah, të ishte mëngjes!”, për shkak të llahtarit që do të mbushë zemrën tënde dhe të pamjes që do të shohin sytë e tu (6).
Me siguri miliona judenj, të cilët përgjatë historisë pësuan saktësisht atë që Moisiu paratha (në duart e kryqëzatave të Kishës Katolike, në tokat myslimane për shekuj me radhë, në masakrat në Rusi, në urrejtjen dhe përndjekjen në Evropë dhe, së fundi, te Holokausti) nuk i njihnin Shkrimet e tyre përndryshe do të pranonin përmbushjen dhe do të pendoheshin, duke i thirrur Perëndisë për mëshirë. Çfarë mund të themi për kohën e sotme? A e kuptojnë izraelitët situatën e tyre nën dritën e asaj që kanë thënë profetët? Çuditërisht miliona të krishterë pohojnë se nuk shohin ndonjë lidhje midis Biblës dhe Izraelit modern.
GJYKIMI VAZHDON DERI NË DITËN E SOTME
Ajo temë e gjykimit ndaj një populli të shpërndarë u përmend nga shumë profetë të tjerë hebrenj ndërsa Perëndia përsëriste paralajmërimet e Tij. Përmbushja e këtyre gjykimeve ndaj izraelitëve të shpërndarë ngado është një provë tjetër se ata janë populli i Perëndisë të cilit iu dha Toka e Premtuar. Asnjë popull tjetër nuk ka përjetuar përgjatë historisë këtë gjykim të veçantë e të vazhdueshëm. Ka qindra pjesë të tjera të tilla në Shkrim. Ne mund të citojmë vetëm disa shkëputje të disa prej tyre:
Në qoftë se do të mëkatoni, unë do t’ju shpërndaj midis popujve… (7). Do të bëj që të keqtrajtohen në të gjitha mbretëritë e tokës… (8). Do ta shosh shtëpinë e Izraelit midis gjithë kombeve, ashtu si bëhet me shoshën… (9). Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ta kem katandisur vendin në mjerim dhe në shkreti për shkak të të gjitha gjërave të neveritshme… (10).
Zoti ju ka dërguar gjithashtu tërë shërbëtorët e tij, profetët me urgjencë dhe këmbëngulje, por ju nuk e keni dëgjuar as keni vënë veshin për të dëgjuar. Ata thoshin: “Të kthehet secili nga rruga e tij e keqe dhe nga veprimet e liga…. Por ju nuk më keni dëgjuar”, thotë Zoti, “dhe keni provokuar zemërimin tim me veprën e duarve tuaja në dëmin tuaj” (11). “Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj” thotë Zoti, Zoti, “unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertojuni, konvertojuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?” (12).
Pavarësisht nga mosbesimi i pjesës më të madhe të judenjve përqark botës, gjithmonë ka patur një bërthamë përgjatë shekujve që ka besuar në premtimet e Perëndisë dhe të cilët ka pranuar madje se shpërndarja e judenjve në mbarë botën ishte gjykimi i Perëndisë për shkak të mëkatit të tyre. Moses ben Maimon (maimodidët), doktori dhe filozofi i famshëm jude, familja e të cilit u arratis nga përndjekja islamike në Spanjë për në Fez, nga të gjitha vendet e tjera që ekzistonin (dhe të cilit vetë iu desh të arratisej nga Maroku më vonë), shkroi në “Letrën drejtuar Jemenit” më 1172:
Është… një prej pikave themelorë të besimit të Izraelit se çlirimtari i ardhshëm i popullit tonë do të… mbledhë kombin tonë, do të grumbullojë të mërguarit tanë, do të na çlirojë nga rënia jonë….
Për llogari të numrit të madh të mëkateve tona, Perëndia na ka flakur në mes të këtij populli, arabëve, të cilët na kanë përndjekur ashpër… ashtu siç na ka paralajmëruar Shkrimi…. Asnjë komb tjetër nuk ka ngacmuar, ulur, poshtëruar dhe urryer sa ata… (13).
NJË NDODHI E PABESUESHME!
Si bekimet po ashtu edhe gjykimet e Perëndisë ndaj Izraelit përgjatë historisë së tij zbulojnë karakterin e Tij: Ai është i dashur, i mirë, besnik dhe i vërtetë, por Ai nuk do të lërë rebelimin të pandëshkuar dhe nuk do lërë pa realizuar premtimet e Tij, qoftë për bekim qoftë për gjykim. Izraeli është figurë e tërë njerëzimit. Historia e tij tregon se Perëndia njeh dobësinë tonë dhe është gati të na falë. Por tregon gjithashtu se, ashtu si Izraeli, ne jemi nga natyra rebelë kokëfortë, krenarë, egoistë, vetëdashës, të vendosur për të ndjekur rrugën tonë dhe se dashuria, mëshirë dhe falja e Perëndisë duhet të shkojë paralel me drejtësinë e Tij. Nga zjarri i pranisë së Tij që po shkëlqente në majë të malit Sinait Perëndia oshtiu Dhjetë Urdhërimet në një zë tmerrësisht madhështor saqë tërë Izraeli dëgjoi me zë të lartë, megjithatë, në mënyrë të pabesueshme, nuk u bind!
Ashtu siç duhej të ndodhte, populli u drodh para kësaj shfaqjeje madhështore të pranisë dhe fuqisë së Perëndisë. Asnjë shkrimtar telenovele nuk mund të kishte imagjinuar, aq më pak të guxonte të shkruante, rebelimin e pabesueshëm që ndodhi më pas të cilin na tregon Shkrimi. Një prej evidencave të shumta se Bibla është Fjala e vërtetë e Perëndisë qëndron në faktin se, duke na dhënë historinë e njeriut nga Kopshti i Edenit deri te përmbytja e më pas, tregon shkronjë për shkronjë të keqen në zemër, madje të atyre që Perëndia i bekon me hir dhe në asnjë vend tjetër më qartë se në malin Sinai.
Edhe pse duket mahnitëse, pavarësisht nga kjo provë e dëgjueshme dhe e dukshme e asaj që ishte Perëndia i vërtetë, Perëndia i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, Perëndia i Izraelit, i cili i kishte çliruara ata në mënyrë të mrekullueshme nga Egjipti, u rebeluan kundër Tij. Perëndia i drejtoi përmes Detit të Kuq në tokë të thatë, duke mbytur egjiptianët që ishin pas tyre duke i ndjekur. Ai i drejtoi me një kolonë reje ditën dhe një kolonë zjarri natën, i ushqeu përditë me mana dhe shoi etjen e tyre me ujë duke e nxjerrë në mënyrë të mrekullueshme nga shkëmbi. Megjithatë, ndërsa Moisiu ndodhej në malin Sinai duke marrë ligjin nga Perëndia, populli poshtë shkeli ato urdhërime që kishin premtuar të mbanin, duke i dëgjuar të shqiptoheshin para pak çastesh me zë të lartë nga zjarri dhe vetëtima, ku Moisiu po vonohej:
Por populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, [ata] u mblodh rreth Aaronit… na bëj një perëndi të shkojë para nesh…. Tërë populli hoqi unazat prej ari që kishin në veshët dhe ia çoi Aaronit, i cili… bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: “O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!”. …Aaroni… ngriti një altar përpara tij dhe vuri kasnecë që thanë: “Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!”. Të nesërmen ata u ngritën herët, ofruan olokauste dhe çuan fli falënderimi; populli u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer.
Atëherë Zoti i tha Moisiut: “Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar; u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime… një popull me qafë të fortë. Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t’i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh”.
Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij… “Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre… ‘Do t’u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë’”. Atëherë Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e dëshmisë në duar… shkrimi i tyre ishte shkrimi i Perëndisë, i gdhendur mbi pllakat (14).
Perëndia po vinte Moisiun në provë duke i ofruar që pasardhësit e tij të zëvendësonin dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Ky ishte një tundim i madh dhe Moisiu e kaloi provën. Ai i kujtoi Perëndisë premtimet e Tij ndaj Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, premtime që Ai duhet të përmbushë për të ruajtur integritetin e Tij. Nëse Ai do të dështonte të vendoste pasardhësit e tyre si një komb në tokën që Ai u kishte premtuar, kombet e tjera do të thoshin, me arsye me vend, se Ai nuk ishte Perëndia i vërtetë.
E njëjta gjë vlen edhe sot. Perëndia i Biblës duhet të përmbushë premtimet e Tij për të përtërirë përfundimisht Izraelin si komb në tokën e tij edhe një herë tjetër, për t’u mos shpërndarë më, përndryshe Ai është gënjeshtar dhe jo Perëndia dhe Krijuesi i vërtetë.
Ne e dimë më së miri historinë tragjike. Kur Moisiu u kthye në kampin e Izraelit dhe pa me sytë e tij idhujtarinë dhe kurvërinë në të cilën kishin rënë në fund të Sinait, ai përplasi i zemëruar në tokë pllakat e gurit në të cilat Perëndia kishte shkruar urdhërimet e Tij. Dhe pse jo? Populli e kishte shkelur tashmë ligjin. Çfarë historie e pabesueshme, por në të njëjtën kohë mësimdhënëse, duke zbuluar zemrën njerëzore!
DASHURIA E DHEMBSHUR E PERËNDISË DHE DREJTËSIA E TIJ
Në mes të kësaj skene madhështore Moisiu iu përgjërua Perëndisë: «Tregomë lavdinë tënde!» (15). Mali ishte i ndezur flakë, toka po dridhej dhe populli po ndëshkohej për këtë mëkat të rëndë dhe gati të pabesueshëm. Ishte ambienti i përsosur që Perëndia të oshtinte: «Do të të tregoj se çfarë gjykatësi i ashpër jam!». Në vend të kësaj Ai ftoi Moisiun të ngjitej përsëri në mal në praninë e Tij, ku Ai mund të shkruante përsëri të njëjtin ligj në pllakat e gurit: ligjin që Izraeli tashmë kishte shkelur.
Si përgjigje ndaj kërkesës së Moisiut Perëndia u përgjigj: «Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime» (16). Përsëri në mal «Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin… » (17).
Perëndia duket se shton: «nuk e lë të pandëshkuar fajtorin» gati me gjysmë zemre. Në mënyrë të përsëritur Perëndia i Biblës u thotë judenjve se Ai i do ata: «Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë… sepse Zoti ju do…» (18). Apostulli Gjon, i frymëzuar nga Fryma e Shenjtë, shpall: «Perëndia është dashuri» (19). Ai nuk mund të rrijë pa treguar dashuri, jo vetëm Izraelin, por tërë njerëzimin, sepse dashuria nuk është vetëm natyra e Tij, por vetë thelbi i ekzistencës së Tij.
Megjithatë Perëndia është përsosurish i drejtë. Ai nuk mund të «lajë fajtorin», sepse kjo do të anashkalojë mëkatin dhe do të prishë drejtësinë e Tij. Ndëshkimi që ka shpallur duhet të paguhet. Dhe, çudi e çudirave, Perëndia erdhi Vetë si njeri për të paguar plotësisht atë ndëshkim (sepse vetëm Ai mundet) në mënyrë që të gjithë ata që do të besojnë mund të falen në mënyrë të drejtë.
Perëndia, brez pas brezi, ndërsa ata vazhdonin të rebeloheshin kundër Tij, dërgoi profetët e Tij për t’iu lutur popullit të Tij të zgjedhur: «“Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora…. Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit [të premtuar]; por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t’ju përpijë shpata”, sepse goja e Zotit ka folur» (20). Perëndia nuk donte që populli i Tij të humbiste (gjithashtu Ai nuk do që të derdhë zemërimin e Tij ndaj kësaj bote), por Ai nuk mund të anashkalojë mëkatin. Përgjërimet e Tij ndaj Izraelit i erdhën fundit në një farë pike, ashtu siç do t’i vijnë së shpejti me tërë njerëzimin. Shenjtëria dhe drejtësia e Tij kërkuan më në fund që Ai të ndëshkonte Izraelin:
Megjithatë unë ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët, me urgjencë e këmbëngulje për t’ju thënë: “Oh, mos e bëni këtë gjë të neveritshme që unë e urrej”. Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin që të tërhiqen nga ligësia e tyre…. Prandaj tërbimi im, zemërimi im u derdhën (21).
Fatkeqësisht, pavarësisht nga përgjërimet e Perëndisë që populli i Tij të kthehej tek Ai me tërë zemrën e tij, Izraeli këmbënguli deri në ditën e sotme në mosbesim e rebelim kundër Tij dhe kështu ka humbur bekimin e plotë që Perëndia u premtoi plot hir etërve të tyre. Izraeli rebel, që nga koha e Moisiut deri tani, ka qenë nën gjykimin e Perëndisë. Megjithëkëtë, rimëkëmbja e plotë dhe përfundimtare (tashmë rrugës) është e sigurt, për të mos qenë kurrë më nën gjykimin e Tij, por vetëm me anë të hirit të Perëndisë, jo me anë të meritës së tij. Shkrimi e thotë këtë fakt shumë qartë:
Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut… sepse Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj…. Unë veproj kështu jo për shkakun tuaj, o shtëpi e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju keni përdhosur midis kombeve ku keni shkuar… Turp të keni dhe qofshi të hutuar për shkak të rrugëve tuaja, o shtëpi e Izraelit… (22).
PREMTIMI I MESISË
Që nga përjetësia qëllimi i Perëndisë ishte të përfshinte tërë botën në mëshirën e Tij ndaj Izraelit. Që në fillim, kur Perëndia i tha Abrahamit: «Unë… do të mallkoj ata që do të të mallkojnë», shpalli gjithashtu: «Te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës» (23). Ajo garanci e mrekullueshme iu përsëri Abrahamit herë pas here (24), më vonë birit të tij, Isakut (25), më pas Jakobit (26). Ky premtim, sigurisht, mund të përmbushej vetëm me anë të Mesisë, pasardhës i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Ai do të vinte për të paguar ndëshkimin e plotë për mëkatet e tërë njerëzimit. «Tërë familjet e tokës» mund të faleshin dhe futeshin në përbashkësinë e thyer me Krijuesin e tyre, nëse ata ishin gati të pranonin shpëtimin sipas rregullave të Tij.
Mesia nuk do të shfaqej papritur në tokë nga qielli. As nuk do të dilte nga Objekt Fluturues i Paidentifikuar (UFO) dhe të shpallte: «Hej! Shikoni! Jam ku jam, Mesia i shumë pritur!». Atij i duhej një gjenealogji me paraardhës njerëzor për të qenë një njeri i vërtetë.
Ai duhej të ishte Perëndi për të qenë pa mëkat dhe në gjendje të paguante ndëshkimin e pafund që kërkonte drejtësia e Tij për mëkatet e njerëzit. Megjithatë Atij i duhej të ishte njeri i vërtetë prej mishi e gjaku për të paguar ndëshkimin në emër të gjithë njerëzimit. Perëndia zgjodhi Abrahamin dhe, përmes tij, Isakun, Jakobin dhe mbretin David (dhe duke zbuluar hirin dhe faljen e Tij, edhe e përdala Rahab dhe Ruthi, moabitja), për të qenë paraardhës të Mesisë. Mesia duhej të ishte, dhe është, jude; një arsye tjetër se pse Perëndia ka një vend të veçantë në zemrën e Tij për Izraelin.
Nuk mund të anashkalohet profecia e profetit të madh hebre, Isaia:
Sepse na ka lindur një fëmijë [fëmija i lindur në Betlehem], një djalë na është dhënë [Biri i përjetshëm i Perëndisë erdhi si njeri]. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria [kështu i premtuari është Mesia] dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes [ky është ai që do të sjellë paqe të përjetshme] (27).
Të jesh populli i zgjedhur i Perëndisë është nder i madh, por ka edhe përgjegjësi si ashtu edhe bekime. Ishte gjykimi i Perëndisë që judenjtë të shpërndaheshin në mbarë botën për shkak të rebelimit të tyre dhe për rebelimin më të keq: refuzimin e Mesisë së tyre. Megjithatë përmes atij refuzimi erdhi kryqëzimi dhe përmes tij shpëtimi i të gjithë atyre që do të besonin.
Shumë shekuj pas premtimit të Perëndisë për Mesinë ndaj Abrahamit, Isakut e Jakobit, profeti Isaia jo vetëm do të parathoshte ardhjen e Tij, ashtu siç e cituam më sipër, por refuzimin e Tij nga populli i vet dhe, përmes tij, shpëtimin e njerëzimit:
I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes, i ngjashëm me dikë para të cilit fshihet faqja, ishte përçmuar, dhe ne nuk e çmuam aspak…. Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona… për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. Ne të gjithë endeshim si dele; secili prej nesh ndiqte rrugën e vet, dhe Zoti bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve….
Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin… (28).
RIMËKËMBJA E PREMTUAR
Pavarësisht se ishin nën disiplinën e ashpër të Perëndisë për mosbesim dhe pavarësisht nga fakti i profetizuar se për shekuj me radhë ata do të refuzonin Mesinë e tyre, dhjetra herë në Fjalën e Tij Jahve premtoi të ruante judenjtë nga shkatërrimi i plotë (29). Ai do t’i vendoste ata përfundimisht në tokën e tyre si një popull i njohur etnik (edhe pse në mosbesim), gjë pas të cilës Mesia do të kthehet për t’i shpëtuar në Armagedon dhe të marrë fronin e atit të Tij, David (30). Integriteti i Perëndisë është i lidhur me rimëkëmbjen përfundimtare të Izraelit në tokën e tij, për të mos u shpërngulur më:
«Por ti mos u tremb, o shërbëtori im Jakob, mos u trondit, o Izrael, sepse ja, unë do të të shpëtoj… pasardhësit e tu nga toka e robërisë se tyre. Jakobi do të kthehet, nuk do t’i bien në qafë më dhe do të jetë i qetë dhe askush nuk do ta trembë më. Mos u tremb, o Jakob, shërbëtori im… do të asgjësoj tërë kombet midis të cilëve të kam shpërndarë, por nuk do të të zhduk ty; do të të ndëshkoj me një masë të drejtë dhe nuk do të të lë fare pa dënuar» (31).
Mundëm t’u referoheshim vetëm disa nga shumë profecive biblike rreth Izraelit. Megjithatë, kemi dokumentuar mjaftueshëm atë që është përmbushur në kohët tona për të treguar pa asnjë dyshim se gjithçka që mbetet akoma për të ardhmen që ka premtuar Perëndia për Izraelin dhe për botën që e kundërshton atë, do të ndodhë saktësisht ashtu siç është parathënë. Premtimi i Perëndisë se Ai do të mbledhë përfundimisht gjithë judenjtë përreth botës për t’i vendosur ata si një komb në tokën e tyre është tani në mënyrë të pamohueshme në zhvillim e sipër dhe do të përmbushet plotësisht.
Vetëm që nga viti 1948, ashtu siç ka shpallur Ai, Perëndia ka filluar të mëkëmbë Izraelin (rreth dy mijë e pesëqind vjet pas shpërndarjes nga babilonasit) dhe atëherë vetëm pjesërisht dhe me kundërshtim të vazhdueshëm e të ashpër nga kombet myslimane rreth tij dhe nga tërë bota. Nuk mund të ketë dyshim se profecitë e mëposhtme kanë filluar të përmbushen dhe do të përmbushen sipas programit:
«Do t’ju marr nga kombet, do t’ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t’ju çoj përsëri në vendin tuaj… (32). …do t’i shumoj dhe do të vë shenjtëroren time në mes tyre përjetë (33). O kombe, dëgjoni fjalën e Zotit, shpalleni në ishujt e largët dhe thoni: Ai që e ka shpërndarë Izraelin e mbledh dhe e ruan ashtu si vepron bariu me kopenë e tij. Sepse Zoti ka shpenguar Jakobin, e ka çliruar nga dora e një njeriu më të fortë se ai. Ata do të vijnë dhe do të këndojnë me gëzim në lartësitë e Sionit, do të vërshojnë drejt të mirave të Zotit, drejt grurit, verës dhe vajit, dhe drejt atyre që kanë lindur në kope dhe në grigjë; jeta e tyre do të jetë si një kopsht i vaditur dhe nuk do të vuajnë më…. sepse do ta shndërroj zinë e tyre në gëzim, do t’i ngushëlloj dhe do t’i gëzoj mbas dhembjes së tyre… dhe populli im do të mbushet me të mirat e mia» – thotë Zoti (34).
Ashtu si bariu kujdeset për kopenë e tij… kështu unë do të kujdesem për delet e mia dhe do t’i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë… dhe do t’i mbledh nga vende të ndryshme; do t’i çoj përsëri në tokën e tyre… (35).
Ja, do t’i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim… do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt. Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre…. Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre… me qëllim që të mos më braktisin…. kështu do të sjell mbi të tërë të mirat që u kam premtuar (36). Do ta kthej nga robëria popullin tim të Izraelit, dhe ata do të rindërtojnë qytetet e shkretuara dhe do të banojnë në to… dhe nuk do të çrrënjosen kurrë më nga toka që u kam dhënë atyre, thotë Zoti, Perëndia yt (37).
NJË TEORI JOBIBLIKE DHE E PAARSYESHME
Ka të krishterë sot të cilët pohojnë se këto profeci nuk u referohet ditëve të fundit në të cilat jetojmë, por çlirimit të Izraelit nga Egjipti nën drejtimin e Moisiut. Nga gjuha e saktë e Shkrimit bëhet e qartë se kjo pikëpamje është e gabuar. Shprehja e përsëritur: «të gjitha vendet ku janë shpërndarë» dhe «në të tëra vendet ku i ke shpërndarë», nuk mund t’i referohen aspak daljes nga vendi i Egjiptit. As gjuha në të ardhmen përdorur te profecitë e shpallur shumë shekuj pas daljes nga Egjipti nuk i referohet asaj ndodhie të shkuar. Cili është qëllimi i një “profecie” nëse parathotë ndodhi që kanë ndodhur tashmë?
Gjuha e saktë e Shkrimit përgënjeshtron plotësisht idenë se profecitë e judenjve të kthyer në tokën e tyre u referohen daljes së shkuar nga Egjipti në Kanaan. Kjo nuk do të ishte profeci, por histori. Pjesa e mëposhtme te Jeremia, për shembull, shkruar në kohën e ardhshme rreth nëntëqind vjet pas çlirimit nga Egjipti, shpall në mënyrë të veçantë se nuk i referohet daljes nga Egjipti për në Tokën e Premtuar, por kthimit të ardhshëm nga shumë vende pasi judenjtë janë dëbuar nga toka dhe shpërndarë në mbarë botën për mëkatin e tyre:
«Prandaj ja, po vijnë ditët» – thotë Zoti – «në të cilat nuk do të thuhet më: “Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit”,
por: “Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga… tërë vendet ku i kishte shpërndarë”. Dhe unë do t’i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre».
«Ja, unë do të dërgoj një numër të madh peshkatarësh për t’i peshkuar» – thotë Zoti – «dhe pastaj do të dërgoj një numër të madh gjahtarësh për t’i gjuajtur….
Sepse sytë e mi janë mbi të gjitha rrugët e tyre… dhe paudhësitë e tyre nuk mbeten të fshehura para syve të mi. Para së gjithash do t’i shpaguaj dyfish për paudhësinë dhe mëkatin e tyre, sepse kanë përdhosur vendin tim… trashëgiminë time… [dhe] do t’u tregoj dorën time dhe fuqinë time; dhe ata do të mësojnë që emri im është Zoti» (38).
Natyrisht është e duhur sot, për herë të parë në histori, të pohojmë fjalët e kësaj profecie të mahnitshme dhe të përpiktë: « Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga… tërë vendet ku i kishte shpërndarë…». Në fakt, judenjtë që jetojnë në Izrael sot kanë ardhur nga më shumë se njëqind kombe. Për këtë arsye (dhe profeci të tjera që kemi cituar) kemi besim se po dëshmojmë mbledhjen e Ditëve të Fundit të Izraelit (Ezekieli 38:12), me armiqtë e tij të gjithë të bashkuar përreth tij dhe tërë botën të bezdisur nga ai dhe sidomos nga Jerusalemi. Të gjitha evidencat tregojnë faktin se po i drejtohemi një paqeje të rremë që të çon në betejën e Armagedonit, për të cilën do të flasim në kapitullin e fundit.
Me siguri shprehja «ata do të rindërtojnë qytetet e shkretuara» nuk mund të përshkruajë hyrjen e parë të Izraelit nën drejtimin e Jozueut në Tokën e Premtuar, e cila atë kohë rridhte «qumështi dhe mjalti» (39) dhe qytetet e të cilës ishin të begatë dhe nuk kishte asgjë “të shkretë”. Gjithashtu shprehja «nuk do të çrrënjosen kurrë më nga toka» nuk përshkruan hyrjen në tokën pas çlirimit nga Egjipti, përndryshe këto do të ishin profeci të rreme duke patur parasysh robërinë babilonase dhe diasporën më 70 dhe 135 pas K., po ashtu edhe faktin se toka ngeli e shkretë për shekuj me radhë para kthimit të judenjve deri në rilindjen e Izraelit më 1948, saktësisht ashtu siç kanë parathënë këto profeci. Nuk mund t’i shpëtohet faktit se profetët parathanë një rimëkëmbje të ardhshme dhe përfundimtare të Izraelit, për të mos u hequr asnjëherë dhe e cila do të arrinte kulmin me kthimin e Mesisë për të mbretëruar në fronin e atit të Tij, Davidit.
Megjithatë, edhe pse janë pohime të qarta dhe pavarësisht nga qartësia e gjuhës së tyre, ato nuk janë besuar nga pjesa më e madhe e judenjve, as në të ardhmen as tani, qoftë në Izrael qoftë në mbarë botën. Gjithashtu nuk janë pranuar menjëherë nga pjesa më e madhe e atyre që rrëfejnë se janë të krishterë. Kisha Katolike Romake refuzon këto premtime, sepse pohon se ka zëvendësuar Izraelin. Pjesa më e madhe e kalvinistëve mbajnë një pozicion të ngjashëm “të reformuar” se Izraeli është zëvendësuar, por nga kisha protestante.
KUNDËRSHTIMI I SHUMË TË KRISHTERËVE NDAJ IZRAELIT
Kemi parë nga shkrimet e cituar më sipër (dhe ka edhe qindra të tjerë të tillë) se Perëndia ka premtuar një rimëkëmbje të plotë dhe përfundimtar të Izraelit, si fizikisht në lidhje me vendin e tij ashtu edhe frymërisht në lidhje me vetë Perëndinë. Pali, në lidhje me atë rimëkëmbje përfundimtare, shpall:
Unë them, pra: “Mos u penguan, që të rrëzohen?”. Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t’i shtjerë ata në xhelozi. Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e tyre?… Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç’do të jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë?… [I] ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e johebrenjve, dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: “Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi” (40).
Është mahnitëse se sa shumë nga ata që pohojnë se janë të krishterë në pamje të parë nuk kanë frikë nga Perëndia i Biblës. Ata nuk kanë frikë të kapërdijnë shpifjen e tyre të Izraelit përballë Krijuesit të gjithësisë, i cili 203 herë e quan Veten: “Perëndia i Izraelit” dhe ka shpallur se ata janë populli i Tij me anë të një besëlidhje të përjetshme. Moisiu tha: «Me qenë se pjesa e Zotit është populli i tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së tij…. Ai… e ruajti si bebja e syrit të tij» (41). Në mënyrë të qartë kjo nuk i referohet judenjve si individë, por Izraelit si komb, aq më pak t’i referohet kishës si zëvendësim i Izraelit! Ashtu siç e kemi thënë më parë (por duhet përsëritur), dy herë më tepër në Shkrim kombit të Izraelit i referohet me dashuri si “bebja” e syrit të Perëndisë (42).
Megjithatë pjesa më e madhe e kalvinistëve dhe shumë nga ata që e quajnë veten “të reformuar” ngulin këmbë se Izraeli është zëvendësuar nga kisha. Për shembull, më 2002 trupi pedagogjik i Seminarit kalvinist Knox në Fort Lauderdale, Florida (D. James Kennedy, Themelues, Kancelar, President dhe Profesor i Ungjillëzimit) nxori «një letër për debat ndaj ungjillorëve dhe palëve të tjera të interesuara: Njerëzit e Perëndisë, Toka e Izraelit dhe Paanshmëria e Ungjillit». Ky pohim, i cili pohon se pasardhësit fizikë të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit (pra, judenjtë) nuk kanë ndonjë bekim apo vend të veçantë në profeci, aq më pak të drejtë për tokën e Izraelit, u firmos fillimisht nga shtatëdhjetë e një udhëheqës të mirënjohur, midis të cilëve R. C. Sproul dhe Michael S. Horton.
Ky dokument shpall:
Pjesa VI: Premtimi i trashëgimisë që Perëndia i dha Abrahamit… nuk vlen për ndonjë grup të veçantë etnik, por kishës së Jezu Krishtit, Izraelit të vërtetë….
Pjesa IX: E drejta e ndonjë prej grupeve etnike apo fetare ndaj territorit në Lindjen e Mesme, quajtur “Toka e Shenjtë”, nuk mund të mbështetet nga Shkrimi. Në fakt, premtimi i tokës në mënyrë specifike për Izraelin në Dhiatën e Vjetër u përmbush në kohën e Jozueut.
U përmbush në kohën e Jozueut? Megjithatë kjo i referohet kishës? E kanë gjë seriozisht? Kisha nuk ekzistonte në kohën e Jozueut!
Gabimi i atij pohimi duhet të jetë i qartë për çdo student serioz i Biblës. Kemi parë se toka iu dha Abrahamit, Isakut dhe Jakobit dhe pasardhësve të tyre me anë të një “besëlidhje të përjetshme”. Me siguri zotërim “i përjetshëm” i asaj toke nuk mund të ishte përmbushur në kohën e Jozueut, sepse ai vdiq në moshën 110 vjeçare, as që bëhet fjalë të quhet “e përjetshme”. “Premtimi i tokës në mënyrë specifike për Izraelin në Dhiatën e Vjetër” përfshinte profeci se Izraeli do të dëbohej nga toka për mosbesim, por do të kthehej në të në ditët e fundit. Me siguri as dëbimi as rimëkëmbja nuk u përmbushën gjatë kohës së Jozueut.
Gjithashtu nuk ka gjasa që profecitë të përmbusheshin gjatë Jozueut që Mesia të vinte në atë vend si njeri për të shpenguar Izraelin, që Izraeli ta refuzonte dhe kryqëzonte në atë vend, apo që Izraeli, duke u kthyer në vendin e tij, pasi ishte shpërndarë në mbarë botën, të sulmohej nga të gjitha kombet e botës në betejën e Armagedonit dhe që Mesia do të ndërhynte për ta shpëtuar. Shikoni fuqinë e paragjykimit kundër judenjve për të verbuar edhe udhëheqësit e krishterë para mësimit të qartë të Fjalës së Perëndisë!
Nuk është më pak mahnitëse se pjesa më e madhe e judenjve sot (përfshi shumicën e rabinëve) ose injorojnë ose mohojnë këto profeci të qarta.
IZRAELI DUHET TË RIMËKËMBET PLOTËSISHT
Që Satani të mposhtet nuk mjafton që çdo individit jude të mbijetojë. Izraeli duhet të ekzistojë si komb në vendin e tij: «Kështu thotë Zoti, që ka dhënë diellin për dritën e ditës dhe i ka dhënë ligje hënës dhe yjeve për dritën e natës, që e larton detin dhe i bën dallgët të uturijnë… në qoftë se këto ligje do të binin përpara meje… atëherë edhe pasardhësit e Izraelit do të pushonin së qeni një komb përpara meje përjetë» (43).
Shumë judenj në mbarë botën refuzojnë Biblën dhe mohojnë ekzistencën e Perëndisë së Izraelit. Të qenit judenj për ta është tërësisht kulturore dhe tradicionale. Si rrjedhojë ata dënojnë atë që bota e quan “Sionizëm”. Norman G. Finkelstein, të cilin e kemi përmendur, është një shembull i kësaj ideje. Ai madje hedh poshtë vetë ekzistencën e një kombi që quhet Izrael «pronësia e të cilit të jetë judease» (44). Megjithatë, ai nuk ka problem me faktin se “pronësia” e Gjermanisë është gjermane, e Francës franceze, etj.. Ai nuk mund të lejojë që të ketë një shtet judaik që të shërbejë si vendlindje për një popull të cilit i përket toka për më shumë se një mijë e pesëqind vjet dhe të cilët janë dëbuar vazhdimisht nga ajo nga agresorët dhe është përndjekur e vrarë në mbarë botën për shekuj me radhë! Ai argumenton se vetë ekzistenca e një «vendlindjeje historike e popullit jude» do ta bëjë «popullin jude “të huaj” ndaj çdo njësie tjetër shtetërore apo territoriale, duke sanksionuar kështu pohimet e antisemitizmit» (45).
Në dukje është e pranueshme që gjithkush tjetër, nga indianët amerikanë, finlandezët te zulutë, të pretendojë një “vendlindje historike”, por jo për judenjtë. Finkelstein madje mbështet imperializmin amerikan që pretendon tërë Lindjen e Mesme për “kombin e madh arab”, ku në të nuk ka vend për ekzistencën e Izraelit! Ai nuk pranon se ky pozicion kundër Izraelit frymëzohet nga një qenie tjetër në të cilin ai nuk beson: nga Satani.
Ky kundërshtim i njëjtë ndaj Izraelit mbështetet fort nga shumë vetë që e quajnë veten të krishterë. Është mahnitëse se sa shumë besimtarë të vërtetë, të cilët kanë shumë gjëra të qarta rreth Biblës, qëndrojnë fort kundër asaj që shpall Bibla aq qartë rreth rimëkëmbjes së plotë të Izraelit në tokën e tij në ditët e fundit. Mund të thuhet me të drejtë se qëndrimi i dikujt ndaj Izraelit (gjë e cila është tema kryesore e Biblës, duke zënë deri në 70 për qind të faqeve të saj) përcakton nëse beson ose jo në Perëndinë. Gati çdo ndodhi në Bibël ka ndodhur ose ndaj Izraelit ose në të, ashtu si ndodhitë e profetizuara që i takojnë së ardhmes.
Kisha nuk është një komb, por përbëhet nga njerëz nga çdo komb dhe për këtë arsye nuk mund të ketë zëvendësuar Izraelin në profeci. Ka vetëm një komb dhe një popull, vetëm judenjtë, të cilit Perëndia i dha një tokë, me premtime të veçanta dhe të përjetshme rreth saj.
Me siguri Toka e Premtuar nuk iu dha kurrë kishës, as nuk e ka zotëruar atë si një “komb”. Kisha nuk është dëbuar kurrë, për rebelimin e saj kundër Perëndisë, nga toka që Perëndia i dha. Gjithashtu kishës nuk i është premtuar një kthim për t’u vendosur përsëri si një komb në atë tokë. Por e tërë kjo dhe shumë më tepër u profetizua dhe përmbush në Izrael. Kisha në mënyrë të qartë nuk është Izraeli: kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë! Megjithatë pesëdhjetë “studiues biblikë” në shënimet e Renovaré Spiritual Formation Bible shpallin këtë gënjeshtër.
NJË DALLIM I QARTË
Perëndia shpall përmes profetit Jeremia (ashtu siç e kemi cituar më parë) se nëse një komb i veçantë njohur si Izrael (i cili duhet të përbëhet nga pasardhës fizikë të Izraelit që u vendos në Tokën e Premtuar në kohën e Jozueut) nuk ekziston më, nuk ka diell në qiell, yjet janë shuar dhe tërë rregulli natyror është shkatërruar! Megjithatë nuk janë vetëm myslimanët dhe ateistët, por edhe shumë judenj dhe të krishterë të shpallur të tillë që thonë se Izraeli i sotëm nuk ka as domethënie profetike as ligjshmëri hyjnore. Ata qëndrojnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë ndaj Perëndisë dhe Fjalës së Tij. Në të vërtetë, ata po mohojnë provën e madhe profetike që Perëndia jep për ekzistencën e Tij dhe se Bibla është Fjala e Tij. Ata ose duhet të pendohen ose do të ndëshkohen për kundërshtimin e tyre ndaj asaj që ka parathënë Perëndia përmes profetëve të Tij.
Romakëve kapitujt 9 e 10 e bën shumë qartë dallimin midis kishës dhe popullit fizik të njohur si jude, të cilët formojnë kombin e Izraelit. Pali është gati të shkojë në ferr përjetësisht nëse kjo do të sillte shpëtimin e «farefisit [të tij] sipas mishit, të cilët janë Izraelitë… prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti» (46). Por një person duhet të shpëtohet që të bëjë pjesë në kishë; kisha përbëhet vetëm nga njerëz të shpëtuar.
Për më tepër, ka gjermanë, francezë, spanjollë, vendas australianë, zulu; në fakt, njerëz nga çdo fis e komb në tokë në kishë. Si mund të quhet e tërë kjo larmi racash “izraelitë”, “farefisi… sipas mishit” të Palit apo Krishtit? E pamundur! Ai vazhdon të thotë se «dëshira e zemrës [së tij] dhe lutja që i drejton Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij» (47). Pali shpalli se Izraeli nuk ishte shpëtuar akoma. Atëherë si mund të jetë Izraeli kisha? Ky mësim e kthen Biblën përmbys!
Në të vërtetë aq i shthurur është ky mësim saqë shumë që e përkrahin pohojnë se premtimi i Krishtit për t’u kthyer është përmbushur, se Ai u kthye në vitin 70 pas K. në personin e ushtrive romake për të shkatërruar Jerusalemin dhe për të ndëshkuar judenjtë për refuzimin e Tij. Shiko, të vdekurit me siguri nuk u ringjallën në atë kohë, as të gjallët nuk u rrëmbyen për t’u takuar me Krishtin në ajër dhe të merreshin në qiell ashtu siç shpall Shkrimi (48). Ai po vjen për të shpëtuar Izraelin, jo për ta shkatërruar dhe për të sunduar mbi botën nga froni i Davidit në Jerusalem.
Edhe më mahnitës është fakti se disa nga ata që mësojnë doktrinën: «Izraeli është tani kisha», pohojnë se ne jemi në mbretërimin Mijëvjeçar të Krishtit. Por luani nuk rri me qengjin dhe nuk ha bar si kau (49) ashtu siç parathotë Shkrimi për mijëvjeçarin; dhe me siguri nuk mund të thuhet se Satani është tani i lidhur (50). Në fakt, ai ecën akoma «si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë» (51).
Në mënyrë tragjike, që nga koha e Moisiut deri më sot, Izraeli si komb ka qenë nën gjykimin e Perëndisë, ashtu siç vërteton historia e tij dhe do të vazhdojë të jetë, edhe pse është kthyer në vendin e vet, derisa të pendohet dhe të kthehet te Zoti. Megjithatë në atë kohë ai është nën mbrojtjen e Tij dhe mjerë ata që e dëmtojnë! Jerusalemin «do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve» (52). Në kapitullin pesëmbëdhjetë do të shohim se kur do të përfundojë ai gjykim nga Perëndia në përmbushjen përfundimtare të këtyre profecive të “ditëve të fundit”.
[previous][next]