SHKATËRRIMI NGA I PLOTFUQISHMI – DHE ÇLIRIMI

Kapitulli 15 | DITA E GJYKIMIT

NË SULMIN E PASHMANGSHËM kundër tij, ashtu siç është profetizuar, nga të gjitha forcat e armatosura të botës të bashkuar nën drejtimin e Antikrishtit, Izraeli nuk do të shkatërrohet pa përdorur armët e tij të fundit. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (FMI) mund të lëshojnë raketa atomike me shumë koka nga nëndetëset. Izraeli ka mësuar shtegun e vështirë se jo gjithmonë mund të mbështetet te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me siguri fare tek OKB-ja. Duke u tradhtuar vazhdimisht nga miqtë e tij të supozuar, Izraeli është detyruar në kuptimin e plotë të fjalës për mbijetesën e tij të zhvillojë municionet e tij bërthamore dhe sistemet e lëshimit. Në kohën kur këto po zhvilloheshin, Nikson po mirëpriste nazistët si mysafirë të nderuar në Shtëpinë e Bardhë dhe fashistët aziatikë u bënë aleatë me arabët duke punuar për shkatërrimin e Izraelit. Duhej bërë diçka për të siguruar mbijetesën e tij dhe Izraelit iu desh ta bënte vetë me ndihmën e Perëndisë. Megjithatë pjesa më e madhe e izraelitëve nuk besuan dhe nuk pranuan dorën e Perëndisë në çështjet e tyre. 

Edhe pse jo të domosdoshme në diskutimin e tashëm me arabët palestinezë, armët bërthamore do të përdoren gati me siguri të plotë kur ushtritë e të gjitha kombeve do të sulmojnë Izraelin gjatë Armagedonit. Kjo luftë është parashikuar në mënyrë të qartë në Shkrim dhe profecia biblike duket të tregojë se ndërhyn për ta parandaluar.

VETËM NJË ÇËSHTJE KOHE

Kombet myslimane, që kur u mundën herën e fundit më tepër se tridhjetë vjet më parë në luftën e Yom Kuppur-it më 1973, ka harxhuar miliarda dollarë për pajisjet më të fundit ushtarake, me përparësi kryesore për raketat që kanë një larmi kokash vdekjeprurëse. Izraelitët, si vetëmbrojtje (në bashkëpunim me teknologjinë amerikane dhe më tepër se gjysma e të cilës financuar nga SHBA-ja) kanë zhvilluar sistemin operativ të mbrojtjes nga raketat më të sofistikuar në botë: Shigjeta 2. Ai përfshin satelitin gjurmues dhe sistemin paralajmërues me anë të radarit dhe është më i mirë se sistemi i mbrojtjes amerikan i raketa Patriot. Një hedhës i lëvizshëm Shigjeta mund të manovrojë deri në katërmbëdhjetë ndërprerje njëherësh, të qëllojë gjashtëdhjetë e dy gjuajtje para se të rimbushet dhe të arrijë një lartësi maksimale prej nëntëdhjetë kilometrash, gjë e cila është tri herë më e lartë se Patriot. Kjo e fundit ka një brez të ri e plotësisht të rregulluar, PAC-3, por nuk ishte shpërndarë akoma kur është shtypur ky libër. Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po përgatitet me nxitim për të fituar kohën që u harxhuar me Klintonin. 

saQë kur Izraeli u tërhoq nga Libani jugor, grupi terrorist Hizballah (Partia e Allahut), me bekimin e Sirisë, ka lëshuar rreth trembëdhjetë mijë raketa përgjatë kufirit izraelit. Trembëdhjetë mijë raketa! Shigjeta është praktikisht e padobishme kundër këtyre raketave me lartësi të ulët e rreze të shkurtër, pjesa më e madhe e tyre Katjusha. Edhe OÇP-ja ka futur kontrabandë raketa në Bregun Perëndimor dhe i kanë lëshuar përgjatë rrugës së re të mbrojtjes urdhëruar nga Gjykata e Lartë izraelite. Ata do të vendosen edhe në Rripin e Gazës për shkak të tërheqjes së Izraelit. Këto raketa të reja mund të vënë në shënjestër Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion dhe madje periferitë e Tel Avivit. 

Zhvilluar bashkërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbrojtja më e mirë kundër këtyre armëve me lartësi të ulët është Arena e Laserit me Energji të Lartë (ALEL) nga Izraelit, e cila është e aftë të zbulojë dhe të shkatërrojë predha sulmuese të artilerisë. Se sa operativ është ky sistem në këtë kohë është e panjohur. 

SPEKTRI I IRANIT

Irani, ashtu siç e ka pohuar në mënyrë të përsëritur presidenti Bush, është fqinji më i rrezikshëm i Izraelit. Në parada ushtarake janë shfaqur raketa të përshtatur për predha bërthamore të afta për të mbërritur në Izrael dhe Evropë. Më 28 dhjetor 2004, gjatë një fjalimi në Universitetin Qom, gjenerali Qassem Shabani u mburr: «Ne kemi… aftësi bërthamore në rast lufte kundër Amerikës…». Megjithatë, Irani mohon me zë të lartë se madje ka ndonjë program bërthamor dhe padit Bushin për gënjeshtra. 

Izraeli është shënjestra kryesore e armëve të Iranit. Kur një ushtar egjiptian, Suleiman Khater, vrau pesë turistë izraelitë në Sinai, Irani «e shpalli hero, i vuri një rruge emrin e tij dhe caktoi një ditë të tërë për ta nderuar» (1). Ata shpresojnë të krijojnë shumë më tepër heronj të tillë duke drejtuar botën myslimane drejt shkatërrimit të Izraelit. Ndërkohë “aktivistët e paqes” padisin Izraelin për mbrojtje të vetvetes. 

Më 20 janar 2005 zëvendës president Dick Cheney tha: «Dukeni përqark botës në vendet e problemeve potenciale dhe Irani është mu në majë të listës». Presidenti Bush, skeptik se Irani po bën pazar në besim të mirë rreth programit të tij për armët bërthamore, refuzoi të përjashtonte luftën me këtë komb mysliman kryesisht shiit. 

Ne dimë se Irani, edhe pse flet me gojë të madhe, nuk ka akoma armë bërthamore. Nëse do të kishin, izraelitët do të kishin shkatërruar pajisjet e tyre (edhe pse thellë nën tokë dhe të shpërndarë) ashtu siç bënë me ato të Irakut më 1981. Këtë ata duhet dhe do ta bëjnë për mbijetesën e tyre. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse mohojnë se ata kanë qëllim në mënyrë të veçantë pajisjet bërthamore nëntokësore të Iranit, kanë pajisur Izraelin me bomba të cilësisë së lartë “bunker-shpërthyes” me depërtim të thellë. Izraeli, ashtu siç shkatërroi kompleksin bërthamor të Sadam Hysejnit më 1981, nuk mund të presë që Organizata e Kombeve të Bashkuara apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës të futen në veprim. Ai duhet të shkatërrojë çdo aftësi bërthamore që Irani zhvillon para se të përdoret kundër tij, edhe sikur të dërgojë trupa brenda Iranit për të bërë një gjë të tillë. 

Më 7 qershor 1981 tetë avionë luftarakë izraelitë shkatërruan pajisjet bërthamore franceze në Osiraq afër Bagdadit në një goditje parandaluese e kundërshtuese. Zbuluesit izraelitë kishin arsye të besonin se Iraku kishte aftësinë të prodhonte armë bërthamore që mund të përdoreshin përfundimisht kundër tyre. Mesazhi i Izraelit u bë i qartë nga shpalljet që bënë pas goditjes: Pa asnjë rrethanë a do të lejojmë ne një armik të zhvillojë armë të shkatërrimit në masë kundër popullit tonë

Goditja u dënua në mbarë botën. Sipas gazetës New York Times: «Sulmi tinëzar i Izraelit ndaj reaktorit bërthamor të ndërtuar nga francezët afër Bagdadit ishte një akt agresioni të pajustifikueshëm dhe dritëshkurtër». 

Sekretari i shtetit të SHBA-së Alexander Haig dhe Ambasadori i OKB-së Jeanne Kirkpatrick ishin midis zërave të dënimit ndërkombëtar. Haig e quajti sulmin “të nxituar”, ndërsa Kirkpatrick tha se ishte “tronditës”, duke miratuar një rezolutë të OKB-së që kërkonte që Izraeli të bënte “korrigjim të duhur ndaj Irakut”. 

Privatisht shumë qeveritarë u kënaqën me sulmin dhe rezultatet e tij. Për Presidentin Regan u tha se komentoi kur pa fotot: «Çfarë bombardimi i tmerrshëm!». Më 1991 komandanti i Forcave Ajrore Izraelite në kohën e sulmit mori një foto gjurmuese në kornizë të pajisjeve të shkatërruara e mbishkrimin: Me falënderim dhe vlerësim për punën e jashtëzakonshme që keni bërë për programin bërthamor irakian më 1981, gjë që e bëri punën tonë shumë më të lehtë në Stuhinë e Shkretëtirës!, firmosur nga Dick Cheney, ish-Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së. 

Tërë bota e di se jo vetëm armët e Iranit, por ato të të gjithë fqinjëve të Izraelit, për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Islamit, kanë qëllim shkatërrimin e tij. Kjo ambicie e keqe dhe barbare u shpall përsëri hapur dhe pa turp para tërë botës në konferencën: “Bota pa Sionizmin” në Teheran, më 26 tetor 2005. Duke iu drejtuar mijëra njerëzve kryesisht studentë që merrnin pjesë, Mahmoud Ahmadinejad, presidenti i Iranit, shpalli: «Izraeli është një njollë që duhet të fshihet nga harta». Uashingtoni u përgjigj se: «Këto vërejtje nënvizojnë shqetësimet tona rreth qëllimeve bërthamore të Iranit». Megjithatë dy ditë më vonë Presidenti Bush nguli përsëri këmbë se Islami është një fe e paqes! 

Këto qëllime të këqija të të gjithë armiqve të Izraelit të çojnë në mënyrë të pashmangshme në Armagedon. Është Armagedoni që do të përshpejtojë Ardhjen e Dytë të Krishtit për t’iu zbuluar Izraelin gjatë procesit të shpëtimit të tij dhe shkatërrimit të Antikrishtit e armiqve të tij. 

ANTIKRISHTI:SUNDUESI LAIK DHE FETAR I BOTËS

Bibla parashikon një sundues të ardhshëm të botës, të cilin e quan Antikrisht: «Në fund të mbretërisë së tyre… do të dalë një mbret me pamje të egër dhe i rrahur në dredhitë luftarake. Fuqia e tij do të rritet, por jo për shkak të forcës së tij; do të bëjë shkatërrime të habitshme… dhe do të shkatërrojë të fuqishmit dhe popullin e shenjtorëve (2)… sikurse e dëgjuat, Antikrishti duhet të vijë (3). Ai do të sjellë paqe në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën, e cila është një arsye e madhe se pse Izraeli do ta pranojë, por do të dalë një paqe e rreme. 

Kur Krishti erdhi për herë të parë Ai e paralajmëroi Izraelin se duke e refuzuar Atë, ata do t’i hapnin derën një pranimi të mëvonshëm të Antikrishtit si Mesi: «Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit» (4). 

Nga fjala “Antikrisht” është krijuar një pështjellim në botë. Duket se nënkupton se ky “njeri i mëkatit” (5) do të shpallet hapur se është kundër Krishtit. Përkundrazi, “anti” është një parashtesë në gjuhën greke me dy nënkuptime: “në kundërshtim me dikë” apo “kundër dikujt”; por edhe “në vend të dikujt” apo “zëvendës i dikujt”. Në fakt, ai do të pretendojë se është Krishti. Tërë fuqia e Satanit, e papenguar pas Rrëmbimit të kishës në qiell, do të shfaqet përmes tij: 

Atëherë do të shfaqet ky i paudhë…. Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekullish të rreme…. E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë! (6) 

Izraeli do të jetë pa justifikim. Gjithashtu nuk do të ketë asnjë justifikim për pjesën tjetër të botës kur do të ndjekë Antikrishtin si udhëheqësin botëror. Ka qindra profeci rreth Mesisë në mënyrë që ai mund të njëjtësohej plotësisht kur erdhi dhe kështu askush të mos mashtrohej nga një i rremë. Por në dallim me Krishtin, të cilin bota vazhdon ta refuzojë, ky është njeriu që bota do t’i hedhë sytë dhe do të dojë ta ndjekë. Në të vërtetë ai jo vetëm që do të ndiqet, sepse askush nuk mund të kundërshtojë fuqinë e tij, por ai do të adhurohet në kuptimin e plotë të fjalës: 

Dhe adhuruan… bishën [Antikrishtin] duke thënë: “…Kush mund të luftojë kundër saj?”. Dhe… iu dha pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb. Dhe do ta adhurojnë të gjithë banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës. 

ANTIKRISHTI DHE TEMPULLI I RINDËRTUAR

Tempulli judaik, në mënyrë të padiskutueshme, do të rindërtohet në vendin e tij të lashtë. Ky është mësimi i qartë i Shkrimit. Danieli shpall se Antikrishti do t’i imponojë botës një “marrëveshje” shtatëvjeçare e cila do të detyrojë rindërtimin e tempullit dhe rivendosjen e flijimeve të kafshëve: «…por në mes të javës [pra, periudha shtatëvjeçare e fundit duke shënuar javën e shtatëdhjetë të Danielit] do t’i japë fund flijimit dhe blatimit» (8). Ai zor se mund të bëjë që flijimet të përfundojnë nëse nuk kanë rifilluar dhe flijimet mund të ofrohen vetëm në Tempull, kështu që duhet të rindërtohet në këtë kohë nën kushtet e “marrëveshjes” së tij. 

Antikrishti do të kontrollojë botën, do të detyrojë gjithkënd të pranojnë rindërtimin e tempullit të judenjve dhe do të paraqitet si miku dhe mbrojtësi i Izraelit. Në të vërtetë, ai po planifikon të vendosë shëmbëlltyrën e tij në Tempull dhe do të kërkojë të adhurohet si Perëndi nga tërë njerëzimi (9). Dhe me të vërtetë ai do të adhurohet nga të gjithë, ashtu siç cituam më sipër. 

Shumë të krishterë kanë kënaqësi të spekulojnë për identitetin e mundshëm të Antikrishtit dhe se kur do të shfaqet. Është një përpjekje e kotë. Ai do «të shfaqet vetëm në kohën e vet» (10). Kjo shprehje tregon në mënyrë të qartë se askush nuk mund të zbulojë identitetin e Antikrishtit; ai duhet të shfaqet dhe kjo nuk do të ndodhë përveç se në kohën të caktuar. Pali na thotë se Antikrishti, duke pretenduar se është Perëndi, do të ulet «të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi» (11): një provë tjetër se Tempulli do të rindërtohet me të vërtetë. 

Pavarësisht nga shumë profeci rreth ngritjes së një mbretërie nga Antikrishti, të cilën Krishti do ta shkatërrojë me Ardhjen e Tij të Dytë, ka të krishterë të deklaruar të cilët refuzojnë Rrëmbimin dhe janë të bindur se kisha duhet të pushtojë shkollat, mediat, qeveritë dhe tërë botën. Ata mësojnë se kisha duhet të ngrejë mbretërinë e Perëndisë në tokë dhe vetëm atëherë Krishti do të kthehet, jo t’i marrë ata në qiell, ashtu siç ka premtuar, por për të sunduar në mbretërinë që ata kanë vendosur në emër të Tij. Ata paralajmërojnë ata që mendojnë se do të merren në qiell gjatë Rrëmbimit para se të vijë Antikrishti se ata nuk do të jenë të përgatitur për t’u përballur me të dhe do të mashtrohen duke menduar se ai është Krishti. 

Përgjigjja ndaj këtij gabimi është e thjeshtë: ata që po presin Krishtin për t’i marrë për t’u takuar me Të në ajër dhe për t’i çuar në qiell nuk mund të mashtrohen kurrë të pranojnë një “Krisht” që i takon me këmbët e tij dhe të tyre në tokë. Në mënyrë tragjike ata që mohojnë Rrëmbimin dhe po punojnë për të vendosur një mbretëri tokësore për t’ia paraqitur Krishtit do të zbulojnë se kanë përgatitur një kishë të rremë dhe botën për Antikrishtin. Mbretëria e tij duhet të vendoset në fillim, sepse vetëm pasi Krishti do të ketë shkatërruar atë mbretëri do të ulet në fronin e Davidit për të sunduar botën: 

Atëherë do të shfaqet ky i paudhë [pra, Antikrishti], të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij. Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekullish të rreme, dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar… (12). 

NJË PARAQITJE E SHKURTËR E GJËRAVE QË DO TË NDODHIN

Perëndia i dha Nebukadnetsarit, perandorit të Babilonisë dhe njeriut të parë në histori që mund të quhet një “sundues botëror”, një vizion të katër perandorive botërore që do të ekzistonin në historinë e njerëzimit. Vizioni mori formën e një figure të madhe njeriu me një kokë «prej ari të kulluar, gjoksi i saj dhe krahët e saj ishin prej argjendi, barku i saj dhe kofshët e saj prej bronzi, këmbët e saj prej hekuri, këmbët e saj pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile». Danieli i zbuloi në fillim Nebukadnetsarit ëndrrën që kishte harruar, më pas, me anë të frymëzimit të Perëndisë, e interpretoi për të: 

Ti, o mbret, je mbreti i mbretërve…. Ti je koka e artë. Mbas teje do të dalë një mbretëri tjetër [Medo-Persia], më e vogël, më e ulët nga jotja; pastaj një mbretëri tjetër prej bronzi [Greqia], që do të sundojë mbi gjithë dheun. Mbretëria e katërt do të jetë e fortë si hekuri [Romakët]…. Siç e pe, këmbët dhe gishtërinjtë ishin pjesërisht prej argjile poçari dhe pjesërisht prej hekuri, kështu kjo mbretëri do të ndahet; megjithatë, ajo do të ketë fortësinë e hekurit… (13). 

Ashtu siç u paratha për figurën (me dy këmbët e saj), Perandoria Romake u nda në dy pjesë. Kjo ndodhi politikisht dhe ushtarakisht kur perandori i saj, Kostandini, vendosi Kostandinopojën (Stambollin e sotëm) si kryeqytetin e saj të ri perandorak, duke lënë Peshkopin e Romës në detyrë në Perëndim. Politikisht dhe ushtarakisht u shpërbë, por mbahej e bashkuar nga ana fetare nga Kisha botërore e asaj kohe, Kisha Katolike Romane. U nda nga ana fetare më 1054 kur, gjatë një diskutimi se kush do të ishte në krye të Kishës, papa Leo IX në Romë shkishëroi Michael Cerularius, Patriarkun e Kostandinopojës, duke ndarë Katolicizmin Roman në Perëndim nga Ortodoksia në Lindje, një ndarje që ekziston edhe në kohën tonë. 

Ç’mund të themi për mbretëritë e tjera të mëdha: Ming-u dhe dinastitë e tjera në Kinë, perandoria më e largët e Genghis Khan, Mayan-i i gjërë, Aztec-u dhe mbretëritë Incan të Amerikës Qendrore e Jugore, sundimi mysliman të cilin kemi përmendur nga Franca në Kinë? Ato nuk ia dolën mbanë, u shkatërruan të gjitha dhe asnjë prej tyre nuk ngriti më kokë. Dhjetë gishtërinjtë e figurës tregojnë një gjallërim të Perandorisë Romane, e cila u nda, por nuk u shkatërrua kurrë dhe ka qenë e përgjumur për shekuj me radhë. Dhjetë gishtërinjtë, shpjegon Danieli, janë “dhjetë mbretër” të cilët mund të shfaqen vetëm në kohët e fundit, sepse shkatërrimi i tyre në mënyrë të qartë do të realizohet nga Mesia gjatë vendosjes së mbretërisë së Tij të përjetshme: 

Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë [«Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij» (Isaia 9:7)]…; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë. 

Ndërsa po shikoje, një gur u shkëput, por jo nga dora e njeriut, dhe goditi figurën në këmbët e saj prej hekuri dhe argjile dhe i copëtoi. Atëherë hekuri, argjila, bronzi, argjendi dhe ari u copëtuan bashkë dhe u bënë si kope byku në lëmë gjatë verës; era i mori me vete dhe guri që kishte goditur figurën… mbushi tërë tokën (14). 

Dhjetë gishtërinjtë/mbretërit përfaqësojnë në mënyrë të qartë një gjallërim në “ditët e fundit” të Perandorisë Romane në një formë të re. Antikrishti do të jetë aq i fuqishëm saqë do të bashkojë dhe mashtrojë tërë botën me një paqe të rreme që do të shpërthejë përfundimisht në Armagedon. Izraeli dhe bota nuk do të mashtrohen nëse do t’i vinin veshin profecive biblike. Por ata i kanë kthyer kurrizin Perëndisë dhe Fjalës së Tij. Problemi është shumë i thjeshtë: një Person mungon nga sallat e sotme të qeverisjes. Ai është hequr nga sistemi arsimor i Amerikës. Ai është lënë përjashta nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ai është përjashtuar në mënyrë të hapur nga të gjitha bashkëbisedat për paqe në Lindjen e Mesme. Përgjatë çdo marrëveshjeje që mund të bëhet duhet të shkruhet me të zeza, me shkronja të përgjakura: ATA KANË HARRUAR PERËNDINË! Bibla, me një paralajmërim frikësues, shpall: «Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë» (15). 

Po, ka një diskutim të gjerë për “perëndinë”. Secili perëndi bën, përveç Perëndisë së Biblës. Vetëm Ai ka vërtetuar identitetin e Tij me qindra profeci të përmbushura. Askush nuk fyhet nga referenca të tilla si “Fuqi më e Lartë”, “Nëna Natyrë”, apo madje “Allah”. Por Perëndia i Izraelit mohohet akoma, madje edhe nga shumë nga “njerëzit e Tij të zgjedhur”. 

Udhëheqësit e botës së sotme nuk do të lejojnë Perëndinë e vërtetë të ndërhyjë në çështjet e tyre. Nuk mund të rrimë pa kujtuar masakrën studentore të shkollës së mesme në Columbine (Kolorado) që ndodhi më 20 prill 1999, afër Denverit. Ajo ishte e shtëna më e keqe në shkolla në historinë e Amerikës. Gazetat përcillnin një shkëmbim interesant “letrash”: 

I dashur Perëndi, pse nuk i shpëtove fëmijët e shkollës në Littleton, Kolorado?

Sinqerisht, një student i shqetësuar!

I dashur student i shqetësuar! Nuk më lejojnë të futem në shkolla.

Sinqerisht, Perëndia!

QEVERISJA DHE FEJA E ARDHSHME E BOTËS

Është vetëm një çështje kohe derisa, ashtu siç shpall Bibla, tërë bota, duke këmbëngulur në refuzimin e saj ndaj Perëndisë, Krishtit dhe Fjalës së Tij, do të bashkohet si politikisht ashtu edhe nga ana fetare nën drejtimin e Antikrishtit. Bashkëpunimet mbarëkombëtare kanë ndërtuar tërë strukturën ndërkombëtare për Antikrishtin. Profecia e njohur e Zbulesës 13 e një njeriu të keq që kontrollon njerëzimin me një numër nuk mund të realizohej pa teknologjinë e sotme. Për brezat e shkuar nuk kishte kuptim. Nuk ka fare dyshim se po shkojmë në drejtim të një shoqërie që nuk përdor paranë fizike dhe ka shumë arsye të shëndosha se pse tregtia vetjake do të përfundojë përmes një çipi kompjuteri poshtë lëkurës në ballë apo në dorë, ashtu siç nënkupton Shkrimi (16). 

Krishti ka parathënë armët e sotme të shkatërrimit në masë (ASHM) kur shpalli: «Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte…» (17). Nuk kishte rrezik që çdo njeri të shfarosej me harqe, shigjeta, shpata dhe heshta gjatë shkatërrimit të Jerusalemit më 70 pas K., as edhe me armët më të fuqishme tradicionale të çdo kohe para vitet 1940. Kjo profeci mund t’i referohet vetëm Armëve të Shkatërrimit në Masë të ditëve të sotme, gjë e cila shpall të rremë pohimin e disave që Nero ishte Antikrishti dhe se gjithçka që Krishti foli te Mateu 24 u përmbush në atë kohë. 

Ata që mësojnë këtë pikëpamje preteriste apo rikonstruksioniste madje guxojnë të thonë se Krishti u kthye më 70 pas K. në personin e ushtrive romake për të shkatërruar Izraelin. Për këtë arsye premtimi i Tij bërë kishës: «Do të kthehem», është përmbushur tashmë. Një teori e tillë sfidon si logjikën ashtu edhe Shkrimin. 

Krishti ka thënë në mënyrë shumë të qartë: «Do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju» (18). Ardhja e ushtrive romake ishte një gjykim ndaj Izraelit, por me siguri nuk përmbushi premtimin e Krishtit për të ardhur për ata që besojnë në Të për t’i marrë «në shtëpinë e Atit» të Tij me «shumë banesa» në qiell (19). Krishti nuk mori njeri të gjallë më 70 pas K.. Ai premtim mund t’i takojë vetëm të ardhmes: premtimit të Rrëmbimit. 

ÇELËSI I ENIGMËS

Megjithatë, duhet më tepër se vetëm teknologjia për të bashkuar myslimanët dhe komunistët ateistë dhe mbarë botën (Arabinë Saudite, Koren e Veriut, tërë republikat ruse dhe Kinën, për shembull) në një fe nën drejtimin e një njeriu, të cilin do ta adhurojnë të gjithë. Bibla jep sekretin e bashkimit në një ngjarje të quajtur Rrëmbim. Krishti u tha dishepujve të Tij se Ai do të shkonte në shtëpinë e të Atit për të përgatitur një banesë të përjetshme për ta dhe do të kthehej për t’i çuar ata atje (20). Ky është një premtim i çiltër i transportimit të mrekullueshëm dhe të menjëhershëm nga kjo botë për në qiell të atyre që besojnë në Të. 

Apostulli Pal përshkruan atë që mund të jetë largimin e njëjtë të besimtarëve nga kjo tokë për në qiell. Vetë Krishti vjen duke sjellë me vete nga qielli shpirtrat dhe frymët e atyre që kanë vdekur duke patur besim në Të si Shpëtimtarin e tyre, për t’u bashkuar përsëri me trupat e tyre të ringjallur. Besimtarët që janë gjallë do të shndërrohen dhe të gjithë ndjekësit e vërtetë të Krishtit do të merren bashkë me Të në qiell para se të derdhet gjykimi i Perëndisë mbi tokë: 

Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky i vdekshëm të veshë pavdekësinë (22). 

Ne nuk e dimë se sa të krishterë të vërtetë ka në tokë. Mund të ketë më shumë se 100 milion. Edhe sikur gjysma e tyre të zhduket papritur do të tmerronte ata që do të mbesin pas më shumë nga sa mund ta imagjinojmë. Pyetjet e frikshme në mendjen e gjithkujt do të jenë: «Ku shkuan? Kush i mori? Pse nuk më morën mua? A do të kthehen të më marrin edhe mua?». 

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe qeveritë e çdo kombi do të bëjnë takime emergjence. Askush nuk do të besojë se kjo ndodhi ishte Rrëmbimi. Ata që «nuk pranuan ta duan të vërtetën» do t’u jepet «një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës…» (23). Në mes të këtij kaosi do të dalë një njeri i cili do të pohojë se e di se ku kanë shkuar ata që mungojnë dhe do të premtojë t’i gjejë. Mbase do të thotë se ata janë marrë nga ndonjë civilizim mashtrues që udhëton në hapësirë dhe janë çuar në një planet rob dhe se ai po bisedon me një këshill ndërgalaktik për t’i sjellë përsëri. Një gënjeshtër e tillë do të jetë shumë e besueshme duke patur parasysh filmat, librat dhe shfaqjet televizive rreth UFO-ve dhe civilizimeve jashtëtokësore që janë shumë popullorë sot. 

Çfarëdo shpjegimi do të japë Antikrishti, tërë bota kupton se po përballet me një armik të zakonshëm të aftë të marrë me dashje njerëz nga toka. Bota, e shtyrë nga dëshpërimi, bashkohet pas të vetmit njeri i cili duket se ka të vetmen shpresë për mbijetesë. Për më tepër, ai vjen me «anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekullish të rreme, dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin…» (24). Bota bindet nga gënjeshtra e Satanit, duke refuzuar të vërtetën e Perëndisë. 

Na thuhet se «dragoi [Satani] i dha asaj fuqinë e vet, fronin e vet [si sunduesin e botës] dhe autoritet të madh». Bota nuk do ta njohë këtë fakt, por nuk do të kishte rëndësi nëse do ta dinte. Ata do të jenë gati në atë kohë të ndjekin vetë Satanin. Me të vërtetë, tërë bota do të adhurojë «dragoin që i dha autoritet bishës [Antikrishtit]» (25). 

SATANI ËSHTË NË KONTROLL

Duke mos mbetur asnjë i krishterë në tokë për të ndikuar nga ana morale shoqërinë, e keqja (duke pretenduar si e mirë) do të arrijë deri në atë shkallë saqë nuk mund të arrihet të imagjinohet. Ata që nuk do të rrëmbehen, të cilët nuk kanë dëgjuar ungjillin e Krishtit, do t’u jepet mundësia për të besuar. Shumë do të pranojnë Krishtin, do të refuzojnë Antikrishtin dhe do të vriten për besimin e tyre të ri. Ata do të ringjallen në Ardhjen e Dytë të Krishtit në fund të Mundimit të Madh. Gjoni e pa gjatë një vegimi që iu dha: 

Unë pashë [në qiell] nën altar shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin; dhe ata thirrën me zë të madh duke thënë: “Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?”. Dhe secilit prej tyre ju dha një petk i bardhë dhe ju thanë që të preheshin edhe për pak kohë, deri sa të plotësohej numri edhe i bashkëshërbëtorëve e tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata (26). 

Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit (27). 

Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje (28). 

Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha pushteti që të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për dëshminë e Jezusit dhe për fjalën e Perëndisë, dhe të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në duart e tyre. Këta u kthyen në jetë [pra, u ringjallën] e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet. Por të vdekurit e tjerë [që nuk besuan në Krishtin, por ndoqën Antikrishtin] nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet. Kjo është ringjallja e parë (29). 

Bota, duke ndjekur dhe adhuruar Antikrishtin, do të jetë në rebelim të plotë dhe Perëndia do të fillojë të ekzekutojë gjykimin ndaj të keqes të papërmbajtur. Krishti paratha këtë periudhë kohe me këto fjalë: «Sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!» (30). Libri i Zbulesës jep hollësi të zemërimit të Perëndisë të derdhur ndaj kësaj toke. Do të jetë një kohë e tmerrshme për banorët e tokës, megjithatë ata nuk do të tërhiqen nga sfida e tyre ndaj Krijuesit: «Dhe [ata] blasfemuan Perëndinë e qiellit për shkak të dhembjeve të tyre dhe ulcerat e tyre, por nuk u penduan për veprat e tyre» (31). 

DY TË TRETAT E TË GJITHË JUDENJVE NË MBARË BOTËN DO TË VRITEN

Kur Perëndia gjykoi perënditë e Egjiptit me plagët për të cilat flitet në Librin e Eksodit, edhe pse pjesa më e madhe e izraelitëve nuk po i shërbenin Atij, toka e Goshenit, ku jetonte Izraeli, u kursye nga gjykimet e këqija (32). Duket logjike dhe biblike se pjesa e vogël e “Palestinës” pushtuar nga Izraeli mund të kursehet shumë mirë nga pjesa më e madhe, për të mos thënë nga të gjitha plagët, që do të vuajë kjo botë në duart e Perëndisë gjatë Mundimit të Madh. Vendi i Izraelit (edhe pse duke ndjekur Antikrishtin si pjesa tjetër e botës) do të jetë vendi i vetëm i sigurt për t’u banuar nga judenjtë. Ky dallim do të zemërojë pjesën tjetër të kombeve dhe do të rritë spekulimin rreth disa “armëve sekrete” që Izraeli ka si synim armiqtë e tij. Gjatë Mesjetës, kur komunitetet judaike i shpëtonin plagëve për shkak se ndiqnin ligjet për higjienën publike dhënë nga Moisiu, ata u akuzuan se kishin mallkuar komunitetet pagane, të cilat atëherë kryen masakra kundër judenjve. Kështu shpëtimi i tij nga zemërimi i Perëndisë që do të derdhet në tokë vetëm sa do të shtojë urrejtjen e botës ndaj Izraelit. 

Pjesa më e madhe e judenjve sot jetojnë jashtë Izraelit. Nëse Izraeli me të vërtetë i shpëton gjykimit që do të bjerë gjithandej, shumë judenj do të ndihen me siguri të detyruar të kthehen në Tokën e Premtuar. Megjithatë Shkrimi është i qartë, pa na thënë se si do të ndodhë, se dy të tretat e të gjithë judenjve në tokë do të vriten (33). Bibla përshkruan këtë si «një kohë ankthi për Jakobin, por ai do të shpëtojë prej tij» (34). 

Historia e Izraelit, ashtu siç e kemi parë, është një histori mosbesimi dhe rebelimi. Pavarësisht se sa prova u ka dhënë Perëndia atyre (i çliroi nga Egjipti, duke hapur Detin e Kuq për ta dhe duke mbytur egjiptianët që i ndiqnin, foli me një zë të fortë nga mali Sinai, uji nga shkëmbi, mana nga qielli për ushqim, mbrojtja e Tij e mrekullueshme shumë herë përgjatë shekujve, etj.), ata janë rebeluar vazhdimisht kundër Tij dhe kanë vazhduar kryesisht në mosbesim për shekuj me radhë. Kjo histori, shkruar që më parë përmes profecisë, nuk parathuhet nga urryesit antisemistë të judenjve dhe Izraelit, por në Shkrim e hebrenjve nga vetë profetët e Izraelit, të cilët ata i kanë refuzuar apo injoruar shumë. 

Gjatë asaj që Krishti përshkroi si «mundimi i madh» (35), gjykimi i Perëndisë do të bjerë nga qielli në këtë tokë në përpjekjen e Tij përfundimtare për të çuar botën në pendim. Antikrishti do të tradhtojë Izraelin dhe ai vendi i vogël do të fillojë të ndiejë zemërimin e tërë njerëzimit të përqendruar tek ai, duke e fajësuar për çdo gjë. Do të jetë si ferri në tokë për të gjithë judenjtë kudo ku ndodhen. 

Perëndia do të vërtetojë përfundimisht para Izraelit pa asnjë dyshim, duke thyer zemrat e tyre të ngurta e kryeneçe. Një e treta që do të mbijetojë do të pendohet dhe do të besojë kur do të shikojnë Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur të ndërhyjë për t’i shpëtuar nga ushtritë sulmuese të botës. 

Njerëzimi është krenar dhe rebel. Perëndia do t’i zbulohet gjithë botës në shfaqje të tmerrshme të fuqisë së Tij. Mundimi i Madh do të arrijë kulmin në një ndodhi që quhet Armagedon. Edhe pse është përdorur nga filmat e Hollivudit dhe librat e bujshëm, Bibla parathotë Armagedonin dhe Bibla ka treguar se është e vërtetë. Sigurisht, pjesa më e madhe e botës nuk do të besojë derisa ndodhitë t’u bien mbi kokë dhe madje atëherë ata do të drejtojnë gishtin sfidues ndaj Perëndisë. Përshkrimi i zemërimit të Perëndisë derdhur ndaj kësaj toke është rrëqethës. 

PAQJA E RREME, MË PAS SHKATËRRIMI

Shumë profeci në Dhiatën e Vjetër ka dy zbatime. Pati një përmbushje të menjëhershme dhe një tjetër që shtyhet për ditët e fundit. Këtu kemi fjalët e dy profetëve të ndryshëm hebrenj të cilët nuk e njihnin fare njëri-tjetrin. Të dy iu referuan shkatërrimit që ndodhi në kohën e tyre; por profecitë e tyre të veç pajtoheshin gjithashtu rreth një shkatërrimi nga Zoti që do të jetë i përbotshëm dhe që nuk u përmbush në të shkuarën, por mund të ndodhë vetëm në ditët e fundit: 

Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt; ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotfuqishmit. Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet. Do t’i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri-tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta. Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj. 

Sepse yjet e qiellit dhe yjësitë nuk do të shkëlqejnë më me dritën e tyre; dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj. Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t’i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve. Do ta bëjë njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar, njerëzinë më të rrallë se arin e Ofirit. Prandaj do të bëj që të dridhen qiejt, dhe toka do të tundet nga vendi i saj për shkak të indinjatës së Zotit të ushtrive ditën e zemërimit të zjarrtë të tij (36). 

Mjerë ajo ditë! Sepse dita e Zotit është e afërt; po, do të vijë si një shkatërrim nga i Plotfuqishmi (37). 

Dy nga profecitë më elektrizuese në Bibël gjenden tek Ezekieli kapitujt 38 e 39. Ato flasin për një popull të sulmuar nga ushtritë e botës dhe shpëtuar nga ndërhyrja e Perëndisë. Identiteti i tyre dhe zhgënjimi që i ka kapur është i qartë. Ata «banojnë të sigurt… pa mure… as shula as porta… një popull i mbledhur midis kombeve» (38). Ky mund të jetë vetëm Izraeli, një popull që është shpërndarë midis kombeve dhe janë kthyer në vendin e tyre ashtu siç po bëjnë sot. Ata gabimisht do të ndihen të sigurt nga çdo armik i mundshëm, duke besuar premtimin dhe garancinë e Antikrishtit për sigurinë e tyre. 

Kështu mund të themi me autoritetin e Fjalës së Perëndisë se Izraeli do të heqë me entuziazëm muret rrethues që po ngre për t’u mbrojtur nga terroristët. Izraeli do të jetë mashtruar nga Antikrishti me një paqe të rreme që ka synim ta shkatërrojë, por ai vetë do të shkatërrohet nga Krishti. Për Antikrishtin, i cili pretendon se është Mesia i vërtetë, na thuhet: «Do të krenohet në zemër te vet dhe do të shkatërrojë shumë njerëz që janë në siguri; do të ngrihet kundër princit të princave [Krishti], por do të thyhet jo nga dorë njeriu» (39). 

Izraeli ka treguar një zell naiv për të besuar çdo premtim “paqeje” dhe shpesh është mashtruar. Arafati ka mashtruar Izraelin shumë herë dhe tani ky i fundit duket se është gati të mashtrohet nga Mahmoud Abbas, pasuesi i Arafatit si Kryetari i Autoritetit Palestinez përmes zgjedhjeve të 9 janarit 2005. Udhëheqësi i Partisë së Punës së Izraelit, Shimon Peres, përshkroi me entuziazëm Abbas-in si «Një njeri moderator…. Le t’i japim një mundësi» (40). Me sa duket është fakti i të qenit “moderator” që e ka shtyrë të mohojë Holokaustin dhe të quajë Izraelin (në fjalimet e tij gjatë fushatës) “armikun sionist”. 

Tërheqja izraelite nga vendbanimet ka bërë që një bluzë e veçantë të jetë më popullorja në Gaza. Ajo shfaq flamurin “palestinez” pikturuar me parrullën e “paqes”: «Sot Gazën, nesër Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin». Mahmoud Abbas, gjoja bashkëpunëtori i ri i Izraelit për paqe, ka ndërmarrë lavdërimin në publik. 

Në dallim me Arafatin, me të cilin ai nuk mund të hynte në bisedime as ta pranonte në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush i ka hapur krahët e tij Abbas-it dhe e ka mirëpritur në Uashington. Megjithatë gjithçka që Bushi ka gjetur të pakëndshme tek Arafati pasqyrohet tek Abbas-i. Ai ka qenë bashkëpunëtori i Arafatit në terrorizëm madje para vitit 1965, kur ai dhe Arafati themeluan Fatah-un, krahun terrorist më të madh të OÇP-së, me gjakun e mijëra viktimave në duart e tij. Brenda Fatah-ut ndodhet Brigada e Martirëve Al-Aqsa, një prej organizatave terroriste më të këqija. Katër ditë pas “zgjedhjes” së Abbas-it, gjoja për të mirëpritur ngritjen e themeluesit të tyre në krye të OÇP-së dhe Autoritetit Palestinez dhe për të treguar se asgjë nuk kishte ndryshuar me vdekjen e Arafatit, një grup terroristësh nga Brigada e Martirëve Al-Aqsa e Fatah-ut mësyu një bazë izraelite në kryqëzimin e Gazës “Karni”, duke vrarë pesë izraelitë (41). Abbas-i, gjatë fjalimeve në fushatën e tij, kishte të lidhur rreth qafës flamurin e Brigadës së Martirëve Al-Aqsa, duke treguar simpatinë dhe identitetin e tij me ta. 

Abbas-i bëri fushatë në Jenin me anëtarë të Brigadës së Martirëve Al-Aqsa. Para zgjedhjeve Abbas-i u takua në Damask «me disa grupe terrori më të paepur të fesë, përfshi Hamasin [dhe] Xhihadin Islamik…. “Ministri i Jashtëm” i Abbas-it, Nabil Sha’ath, shpalli se midis Autoritetit Palestinez dhe grupeve të tjera, “nuk ka ndryshime përsa u përket objektivave [pra, shkatërrimit të Izraelit]”» (42). 

Atëherë, natyrisht, fakti që Hamasi fitoi zgjedhjet më 26 janar 2006 dhe është tani në krye të territoreve “palestineze” ka ndryshuar shumë pak përveç nxjerrjes më tepër në dritë të nxitjes së vendosmërisë për të shkatërruar Izraelin. Ajo fitore ishte një përkrahje e madhe për gjendjen morale arabe. Fondet e ndërprera nga SHBA-ja dhe Izraeli do të jenë më të shumta nga Irani dhe Arabia Saudite.  

Revolucioni mbarëbotëror islamik po mblidhet me vrull. Hizbollah-u ka transferuar zyrat e tij operative nga Bejruti në Gaza dhe Al Kaeda është futur edhe ajo atje. Kreu i Hamasit Khaled Masha’al mburret: «Muhamedi po siguron fitore në Palestinë… Kombi islamik po ngrihet…. Nesër ne do të udhëheqim botën». Udhëheqësi i Hamasit të Gazës ngazëllen: «Jemi pjesë e… lëvizjes islamike… të madhe botërore». 

Izraeli është i dëshpëruar për paqe. Pas gjashtëdhjetë vjet luftë ai duhet të pranojë për gjënë më të vogël. Antikrishti jo vetëm që do të “garantojë” paqen, por do të urdhërojë rindërtimin e Tempullit. Do të jetë një ofertë të cilën Izraeli, në mosbesimin e tij dhe rebelimin e vazhdueshëm kundër “Perëndisë së Abrahamit, Isakut dhe Jakobit” nuk do të jetë në gjendje ta refuzojë. 

EZEKIELI KAPITUJT 38 DHE 39

Pjesa më e madhe e të krishterëve nuk besojnë se Ezekieli 38 e 39 përshkruan Armagedonin, por se i referohen ndonjë lufte më të vogël. Pjesa më e madhe e komentuesve të Biblës interpretojnë këtë pjesë si një sulm paraprak nga Rusia dhe kombet myslimane (ose pak para Mundimit të Madh ose në mes të tij) kundër Izraelit, gjatë të cilit ata do të shkatërrohen në mënyrë të mrekullueshme nga Perëndia. Megjithatë, shkatërrimi i përshkruar është aq i plotë saqë do të jetë i paimagjinueshëm për këdo që të sulmojë më Izraelin. Kush do të guxonte të bënte një gjë të tillë? Ky është një prej problemeve më të mëdha në mohimin se kjo luftë është Armagedoni. 

Perëndia, për Antikrishtin dhe ushtritë e botës që do të sulmojnë Izraelin bashkë me të, thotë: «Do të të çoj kundër vendit tim me qëllim që kombet të më njohin [dhe] që tërbimi im do të më hipë në vrimat e hundës…» (43). Në mënyrë të qartë kjo është një ndodhi në të cilën Perëndia ka një qëllim kulmor. Përshkrimi i asaj që do të ndodhë në Armagedon është i tmerrshëm. Gjuha nuk mund t’i referohet një lufte paraprake, por vetëm finales së madhe! 

Perëndia shpall: «Unë deklaroj se atë ditë do të ketë një tronditje të madhe në vendin e Izraelit: përpara meje do të dridhen peshqit e detit, shpendët e qiellit, kafshët e fushës, të gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë mbi faqen e dheut; malet do të shemben, vendet e rrëpirëta do të rrëzohen dhe të gjitha muret do të bien për tokë…. Do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe do të pranojnë se unë jam Zoti» (Ezekieli 38:19-23). 

Përpara meje? Po! Vetë Perëndia do të vijë në këtë tokë dhe gjithçka, gjë e gjallë ose jo dhe çdo person, do të dridhen si gjethet e pemëve, duke u tronditur në një stuhi të dhunshme! Atë që Bibla e përshkruan si “gjykim nga Shumë i Larti” do të bjerë mbi ata që kanë sulmuar Izraelin. Ushtritë pushtuese do të shkatërrohen në mënyrë të mrekullueshme dhe plotësisht nga Jezu Krishti, të cilin Izraeli më në fund do ta pranojë si Mesi, i cili u “tejshpua” për mëkatet e tyre: «Ata do të vështrojnë drejt meje [thotë Perëndia i Izraelit], drejt atij që kanë tejshpuar» (44). Në grahmat e këtij kataklizmi Perëndia do të vërtetojë para tërë krijimit si Sovran. Në mënyrë të qartë ajo që përshkruhet nuk mund të jetë një luftë paraprake. Këtu bëhet fjalë për vetë Armagedonin. 

ARMAGEDONI!

Gjuha tek Ezekieli 38 është apokaliptike. Kjo luftë do të jetë përpjekja më e ligë dhe përfundimtare e Satanit për të shkatërruar Izraelin (dhe njerëzimin krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë). Antikrishti do të udhëheqë ushtritë e tërë botës kundër Jerusalemit. Mesia do të ndërhyjë për të shpëtuar Izraelin dhe njerëzimin dhe për të ndalur armët e shkatërrimit në masë nga shfarosja e racës njerëzore: armë që janë lëshuar kundër Izraelit (jo vetëm atomike, por kimike e biologjike) dhe të tijat janë lëshuar si shpagim. Antikrishti dhe ushtritë e tij do të shkatërrohen. Përndryshe, ashtu siç ka paralajmëruar Krishti, «asnjë mish nuk do të shpëtonte» (45). 

Ashtu siç kemi parë, Perëndia ka dy qëllime në Armagedon: Ai do të tregojë fuqinë e Tij duke ndëshkuar botën me drejtësi; dhe Ai do të tregohet besnik ndaj popullit të Tij, judenjve, mbarë botës, duke thyer zemrat e tyre kryeneçe një herë e përgjithmonë. Më pas ata nuk do të rebelohen më kurrë kundër Tij. Kjo është Dita e Zotit për të cilën kemi folur në Kapitullin Njëmbëdhjetë: dita e shpengimit të Izraelit: 

Kur të mpreh shpatën time dhe dora ime të përgatitet të gjykojë, do të hakmerrem me armiqtë e mi dhe do të shpërblej ata që më urrejnë. Do t’i deh me gjak shigjetat e mia dhe shpata ime do të gëlltisë mishin… (46). Sepse ja, Zoti do të vijë… si një uragan për të hedhur zemërimin e tij me tërbim dhe kërcënimin e tij me flakë zjarri. Sepse Zoti do të ushtrojë drejtësinë me zjarrin dhe shpatën e tij kundër çdo mishi; dhe të vrarët nga Zoti do të jenë të shumtë…. Unë i njoh veprat e tyre dhe mendimet e tyre; është duke ardhur koha në të cilën do të mbledh tërë kombet dhe tërë gjuhët; ato do të vijnë dhe do të shikojnë lavdinë time (47). 

«Prandaj profetizo kundër tyre tërë këto gjëra dhe u thuaj atyre: Zoti vrumbullon që lart dhe bën që të dëgjohet zëri i tij nga banesa e tij e shenjtë; ai do të vrumbullojë me forcë kundër vathës së tij; do të lëshojë një britmë si ata që shtrydhin rrushin kundër gjithë banorëve të tokës. Zhurma do të arrijë deri në skajet e tokës, sepse Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet, do të hyjë në gjyq me çdo mish të gjallë dhe do t’i lërë të pabesët në mëshirë të shpatës» – thotë Zoti. Kështu thotë Zoti i ushtrive: «Ja, një mjerim do të kalojë nga një komb te tjetri dhe një shakullinë e madhe do të ngrihet nga skajet e tokës. Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës te tjetri; nuk do të qahen dhe as do të mblidhen dhe do të varrosen, por do të bëhen pleh mbi faqen e dheut (48). 

Ka shumë profeci të ngjashme. Një pjesë e gjuhës është tallëse duke përshkruar rebelimin e njeriut: «Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, duke thënë: “Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre”» (49). Skena tani është në qiell: «Ai që ulet në qiejt do të qeshë, Zoti do të tallet me ta» (50). Fakti se një e qeshur tallëse vjen nga Perëndia është një provë e tmerrshme se durimit të Tij i ka ardhur fundi. Gjykimi do të bjerë! 

Ky Psalm profetik flet për Jerusalemin, Mesinë që do të sundojë atje, kundërshtimin e njeriut ndaj Perëndisë dhe ndëshkimin e Perëndisë për shkak të këtij rebelimi. Perëndia ka paralajmëruar botën: «Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai» (Psalmi 2:12). Por njerëzimi si i tërë refuzon të gjunjëzohet para Krijuesit dhe Birit të Tij dhe me kryeneçësi bie në gjykim. 

Arkitektët e hartës drejt paqes (dhe botës që e mbështet, përfshi kombet myslimane dhe Izraelin) kanë dy zgjedhje. Ose të pendohen për kundërshtimin e tyre ndaj premtimeve të Perëndisë bërë Izraelit dhe të pranojnë faljen e Tij sipas kushteve të Tij ose do të mbeten në kundërshtim të hapur dhe do të shkojnë me dashje dhe me vetëdije drejt gjykimit. Perëndia po finalizon përmbushjen e profecisë në kohën tonë. Ai e ka bërë Jerusalemin një kupë hutimi për fqinjët e tij dhe një gur pengese për tërë botën. Dhe saktësisht siç ka thënë, Ai do të vënë të gjithë kombet kundër Izraelit për t’i ndëshkuar atje për shpërndarjen e popullit të Tij dhe për ndarjen e vendit (Joeli 3:2). Duket e padiskutueshme që kjo është mënyra se si po shkon bota. 

SHPËTIMI I IZRAELIT

Nuk ka ndarje në kapituj në dorëshkrimet origjinale biblike. Ezekieli 39 është një vazhdim i kapitullit 38. Përsëri gjuha është e qartë: «Kështu do ta bëj të njohur emrin tim të shenjtë në mes të popullit tim të Izraelit dhe nuk do të lejoj më të përdhoset emri im i shenjtë… shtëpia e Izraelit do të pranojë që unë jam Zoti, Perëndia i tij» (51). Gjuha këtu, ashtu si më parë, nuk mund të vlejë për ndonjë ndodhi paraprake, por vetëm për kulimin e sjelljes së Perëndisë me botën dhe Izraelin. 

Izraeli më në fund është çuar në pendim me anë të gjykimit tmerrues të Perëndisë, thërret që Mesia ta shpëtojë dhe shndërrohet me anë të të dukurit të Tij si përgjigje e përgjërimit të tij të dëshpëruar për ndihmë, për të mos qënë më Perëndia kundër tyre: «“Nuk do t’ua fsheh më fytyrën time, sepse do ta përhap Frymën time mbi shtëpinë e Izraelit” – thotë Zoti, Zoti» (52). Vetëm Armagedoni mund të gjunjëzojë Izraelin dhe të bëjë që çdo jude i mbetur gjallë në tokë të thërrasë me nënshtrim dhe gatishmëri të përulur për të pranuar Mesinë e vërtetë. 

Perëndia shpall: «Ata do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i çoi në robëri midis kombeve, por që i ka mbledhur gjithashtu në vendin e tyre, duke mos lënë jashtë asnjë prej tyre» (53). Asnjë jude që do të mbetet në tokë nuk do të qëndrojë jashtë Izraelit; të gjithë do të jetë kthyer në mënyrë të mrekullueshme në Tokën e Premtuar. Kjo është ajo që Krishti i referohet te Mateu 24: mbledhja përfundimtare e çdo pasardhësi fizik të Abrahamit, Isakut e Jakobit lënë në tokë në Izrael për mbretërimin mijëvjeçar të Mesisë me Ardhjen e Tij të Dytë për të shpëtuar Izraelin në mes të Armagedonit: «Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri…» (54). 

SA KOHË MBETET DERI NË DITËN E GJYKIMIT?

Ashtu siç e kemi përmendur tashmë, Presidenti Bush ka miq dhe këshilltarë të krishterë (si Condoleezza Rice) të cilët i thonë se Izraeli është zëvendësuar nga kisha dhe se për këtë arsye Joeli 3:2, i cili shpall gjykimin ndaj atyre që ndajnë tokën, nuk vlejnë më. Për të mbështetur këtë ide qindra profeci biblike që parathonë një mëkëmbje përfundimtare të Izraelit në tokën e tij duhen mohuar apo gjetur një kuptim frymëror. Merrni në konsideratë vetëm një prej këtyre profecive: 

Do t’ju bëj më tepër të mira se sa në fillimet tuaja; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti… Do t’ju marr nga kombet, do t’ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t’ju çoj përsëri në vendin tuaj… Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri… kështu qytetet e shkatërruara do të mbushen me kope njerëzish. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti (55). 

Sa larg në të ardhmen ndodhen këto ngjarje të profetizuara? Profecitë e Isaisë përfundojnë me mëkëmbjen e Izraelit në tokën e tij dhe me Mesinë që mbretëron në paqe mbi gjithë botën. Duket se po përjetojmë që tani gjërat që Isaia ka parathënë se do të çojnë drejt mëkëmbjes përfundimtare. Gjuha, gjë të cilën e kemi cituar më parë pjesërisht, të vë me shpatulla pas murit: 

Kush vallë ka dëgjuar një gjë të tillë, kush vallë ka parë gjëra si këto? A lind vallë një vend brenda një dite të vetme apo një komb vjen vallë në dritë brenda një çasti? Por Sioni, me të ndjerë dhembjet, lindi fëmijët e saj. “Do të çoj vallë në çastin e lindjes pa e bërë të pjellë?” – thotë Zoti. “Unë që bëj të lindin a do ta mbyllja vallë barkun e nënës?” – thotë Perëndia yt. Gëzohuni me Jerusalemin dhe ngazëlloni me të, ju të gjithë që e doni. Gëzohuni me të madhe me të, ju të gjithë që mbani zi për të… (56). 

Me siguri një komb që lind “brenda një dite të vetme” i referohet vetëm rilindjes së Izraelit më 1948. Ajo ishte një ndodhi e paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Dhe, ashtu siç përshkruan Isaia, ishte gjithashtu një lindje që nuk u krye në një çast. Ka qenë në proces e sipër për më tepër se një shekull dhe arriti kulmin në gjashtëdhjetë vitet e fundit. Perëndia po e bën “të pjellë”, barku është i hapur, por Izraeli nuk do të lindë plotësisht derisa të zotërojë tërë territorin që Perëndia i dha, ashtu siç përshkruhet te Zanafilla 15:18-21. Atë lindje të mrekullueshme që është tani në proces e sipër, Perëndia nuk do ta mbyllë “barkun”. Kjo rilindje nuk mund të vazhdojë shumë më tepër pa një çlirim të plotë të Izraelit. 

Sapo Sioni të vuajë nga dhimbje te lindjes, Ai do të lindë fëmijët e tij. Mundimi më i madh në historinë e Sionit ishte pa dyshim Holokausti. Po të mos kishte qenë për atë tmerr dhe sëmbim të paharruar të ndërgjegjes midis kombeve të botës, Organizata e Kombeve të Bashkuara kurrë nuk do të kishte votuar për ndarjen e Palestinës. Ajo votë i jep Izraelit ligjshmërinë, për të cilën OBK-ja voton kundër sot, arabët e mohojnë akoma, dhe të cilën, pak nga pak, “procesi i paqes” është lënë pas dore. 

Ka njoftime nga dëshmitarë okularë se shumë judenj shkuan te të vdekurit e tyre në dhomat me gaz të nazistëve duke kënduar psalme besimi në Perëndinë. Me siguri, në shtrëngimin e tyre, shumë duhet të kenë besuar në premtimin e Perëndisë për Mesinë dhe kanë kuptuar atë që nënkuptonte për ta personalisht dhe përjetësisht. Pa dyshim që shumë i kanë thirrur Perëndisë së Abrahamit, Isakut e Jakobit dhe kanë gjetur mëshirë sipas premtimit të Tij: «Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet» (57). Nuk pati ndërhyrje të mrekullueshme për viktimat e Holokaustit, por do të ketë në Armagedon. 

“Do të çoj vallë në çastin e lindjes pa e bërë të pjellë?” – thotë Zoti. “Unë që bëj të lindin a do ta mbyllja vallë barkun e nënës?”. Kjo është një gjuhë sigurie. Kemi bërë një rrugë të gjallë në histori. Izraeli është çuar në çastin e lindjes edhe një herë në vendin e tij; ai rrethohet nga armiq që janë të gjithë të bashkuar për ta shkatërruar; teknologjia dhe armët janë gati për të përmbushur profecitë të cilat nuk mund të ishin kuptuar në brezat e mëparshëm. Shumë profeci po përmbushen para syve tanë. Perëndia do ta zgjasë shumë dhe të presë edhe disa shekuj. Dita është afër kur Izraeli do të lindë përsëri! Tani është koha që tërë njerëzimi të bëjë një zgjedhje të përjetshme. 

[previous][next]