Zanafilla 15

SHKRIMI I SHENJTË—PËRKTHIMI DIODATI I RI

Perëndia i premton një bir Abramit

15:1 Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: "Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh".

15:2 Po Abrami i tha: "Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?".

15:3 Pastaj Abrami shtoi këto fjalë: "Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im".

15:4 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: "Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt".

15:5 Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t`i numërosh", pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu".

15:6 Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.

Flijimi i kafshëve dhe besëlidhja e Zotit me Abramin

15:7 Pastaj Zoti i tha: "Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend".

15:8 Dhe Abrami pyeti: "Zot, Perëndi, nga mund ta dij unë që do ta kem si trashëgim?".

15:9 Atëherë Zoti i tha: "Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri".

15:10 Atëherë Abrami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau.

15:11 Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrami i përzuri.

15:12 Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abramin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë.

15:13 Atëherë Zoti i tha Abramit: "Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet.

15:14 Por unë do të gjykoj kombin shërbyesit e të cilit do të kenë qënë; pas kësaj, ata do të dalin me pasuri të mëdha.

15:15 Sa për ty, do të shkosh në paqe pranë prindërve të tu dhe do të varrosesh pasi të kesh arritur një pleqëri të bukur.

15:16 Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu, sepse padrejtësia e Amorejve s`ka arritur ende kulmin".

15:17 Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndarë.

15:18 Po atë ditë Zoti bëri një besëlidhje me Abramin duke i thënë: "Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit:

15:19 Kenejtë, Kenizejtë, Kadmonejtë,

15:20 Hitejtë, Perezejtë, Refejtë,

15:21 Amorejtë, Kanaanejtë, Girgazejtë dhe Jebuzejtë".