Hebrenjve 5

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


5:1 Sepse çdo kryeprift, që merret prej njerëzve, vihet kryeprift mbi njerëzit për gjërat që kanë të bëjnë me Perëndinë, për të ofruar dhurata dhe flijime për mëkatet;

5:2 kështu ai mund të ketë dhembshuri për ata që janë të paditur dhe të gënjyer, sepse edhe ai është i veshur me dobësi,

5:3 dhe për këtë arsye është i detyruar të ofrojë flijime për fajet, si për popullin ashtu edhe për veten e tij.

5:4 Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni.

5:5 Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë lavdinë që të bëhet kryeprift, por ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, sot ti më linde“,

5:6 dhe ashtu si thuhet diku gjetiu: “Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut“.

5:7 I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.

5:8 Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,

5:9 dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden,

5:10 duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndiaa sipas rendit të Melkisedekut,

5:11 për të cilin kemi shumë gjëra për të thënë, por të vështira për t`u shpjeguar, sepse ju jeni rënduar nga veshët për të dëgjuar.

5:12 Sepse, ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t`ju mësojnë njohuritë e para të orakujve të Perëndisë, dhe keni nevojë për qumësht, dhe jo për ushqime të forta.

5:13 Sepse kushdo që ushqehet me qumësht nuk ka përvojën e fjalës së drejtësisë, sepse është foshnjë;

5:14 kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen.

[previous][next]