Numrat 11

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Ankime të popullit.Zjarri i Zotit

11:1 Por populli u ankua dhe kjo nuk tingëlloi mirë në veshët e Zotit; sa e dëgjoi, Zoti u zemërua, dhe zjarri i tij shpërtheu midis tyre dhe shkatërroi skajin e kampit.

11:2 Atëherë populli i bërtiti Moisiut; Moisiu iu lut Zotit dhe zjarri u shua.

11:3 Kështu ky vend u quajt Taberah, sepse zjarri i Zotit ishte ndezur midis tyre.

Ankesat për ushqimin.Shkurtat

11:4 Dhe fundërrinën heterogjene që ishte midis popullit e pushtoi një lakmi e madhe; edhe bijtë e Izraelit filluan të ankohen dhe të thonë: "Kush do të na japë mish për të ngrënë?

11:5 Nuk i harrojmë peshqit që i hanim falas në Egjipt, kastravecat, pjeprat, preshtë, qepët dhe hudhrat.

11:6 Por tani e tërë qënia jonë ka shteruar; para syve tanë nuk ka asgjë tjetër veç kësaj mane".

11:7 Mana i ngjante farës së koriandrit dhe kishte pamjen e bdelit.

11:8 Populli shkonte rreth e rrotull për ta mbledhur; pastaj e bënte miell me mokrat ose e shtypte në havan, e zinte në një tenxhere ose përgatiste kuleç, të cilët kishin shijen e kuleçëve me vaj.

11:9 Kur binte vesa mbi kamp natën, binte mbi të edhe mana.

11:10 Por Moisiu dëgjoi popullin që ankohej, në të gjitha familjet e tij, secili në hyrje të çadrës së vet; zemërimi i Zotit shpërtheu me të madhe dhe kjo nuk i pëlqeu aspak edhe Moisiut.

11:11 Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Pse e trajtove kaq keq shërbëtorin tënd? Pse nuk gjeta hir para syve të tu për ta vënë barrën e gjithë këtij populli mbi mua?

11:12 Mos vallë unë e kam gjeneruar tërë këtë popull? Mos vallë kam qenë unë që e kam nxjerrë në dritë, që ti të më thuash: "Mbaje në prehrin tënd, ashtu si taja mban fëmijën që pi sisë, deri në vendin që ti u ke premtuar me betim etërve të tij"?

11:13 Ku mund të gjej mish për t`i dhënë tërë këtij populli? Sepse vazhdon të qajë para meje, duke thënë: "Na jep mish për të ngrënë!".

11:14 Unë nuk mund ta mbaj vetëm tërë këtë popull; është një barrë shumë e rëndë për mua.

11:15 Në qoftë se kjo është mënyra me të cilën ti dëshiron të më trajtosh, të lutem, më vrit menjëherë po të kem gjetur hir para syve të tu; por mos lejo që unë të shoh fatkeqësinë time!".

11:16 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Mblidhmë shtatëdhjetë njerëz nga pleqtë e Izraelit, që ti i njeh si pleq të popullit dhe funksionarë të tij; silli në çadrën e mbledhjes dhe të rrinë aty me ty.

11:17 Unë do të zbres dhe aty do të flas me ty; do të marr pastaj nga Fryma që është mbi ty dhe do t`ua kaloj atyre, me qëllim që ta mbajnë bashkë me ty barrën e popullit, dhe të mos e mbash ti vetëm.

11:18 Pastaj do t`i thuash popullit: Shenjtërohuni për nesër, dhe do të hani mish, sepse keni qarë në veshët e Zotit, duke thënë: "Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ishim kaq mirë në Egjipt!". Prandaj Zoti do t`ju japë mish dhe ju do ta hani.

11:19 Dhe do ta hani jo për një ditë, jo për dy ditë, jo për pesë ditë, jo për dhjetë ditë, jo për njëzet ditë,

11:20 por për një muaj të tërë, deri sa t`ju dalë nga hunda dhe t`ju shkaktojë neveri, sepse keni hedhur poshtë Zotin dhe keni qarë para tij, duke thënë: "Pse vallë dolëm nga Egjipti?"".

11:21 Atëherë Moisiu tha: "Ky popull, në mes të të cilit ndodhem, ka gjashtëqind mijë të rritur, dhe ti ke thënë: "Unë do t`u jap mish dhe ata do të hanë mish një muaj të tërë!".

11:22 Mos duhen therur kope të tëra bagëtish të trasha dhe të imta që të kenë mjaft mish? Apo duhet mbledhur për ta gjithë peshku i detit që ta kenë një sasi të mjaftueshme?".

11:23 Zoti iu përgjegj Moisiut: "Krahu i Zotit është shkurtuar ndofta? Tani do të shikosh në se fjala ime do të shkojë në vend apo jo".

11:24 Pastaj Moisiu doli dhe i njoftoi popullit fjalët e Zotit; mblodhi pastaj shtatëdhjetë njerëz pleq të popullit dhe i vendosi rreth e qark çadrës së mbledhjes.

11:25 Atëherë Zoti zbriti në renë dhe i foli atij, mori nga Fryma që qëndronte mbi të dhe e çoi mbi të shtatëdhjetë pleqtë; por kur Fryma u vu mbi ta, ata bënë profeci, me gjithë se më vonë nuk bënë më.

11:26 Por dy njerëz, njëri quhej Eldad dhe tjetri Medad, kishin mbetur në kamp; dhe Fryma u vu edhe mbi ta; këta ishin ndër të regjistruarit, por nuk kishin dalë për të shkuar në çadër; megjithatë bënë profeci në kamp.

11:27 Një djalë shkoi me vrap t`ia referojë këtë gjë Moisiut dhe i tha: "Eldadi dhe Medadi po bëjnë profeci në kamp".

11:28 Atëherë Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Moisiut, një nga të rinjtë e tij, filloi të thotë: "Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë!".

11:29 Por Moisiu iu përgjegj: "Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!".

11:30 Pastaj Moisiu u kthye në kamp bashkë me pleqtë e Izraelit.

11:31 Atëherë u ngrit një erë me urdhër të Zotit dhe solli shkurta nga ana e detit, dhe i la të binin pranë kampit, një ditë ecjeje nga një anë dhe një ditë ecjeje nga ana tjetër rreth e qark kampit, me

11:32 Populli mbeti në këmbë gjithë atë ditë, tërë natën dhe tërë ditën vijuese, dhe mblodhi shkurtat. (Ai që mblodhi më pak pati dhjetë homer); dhe i shtrinë rreth e qark kampit.

11:33 Kishin akoma mishin ndër dhëmbë dhe nuk e kishin përtypur akoma, kur zemërimi i Zotit kundër popullit u ndez dhe ai e goditi popullin me një plagë shumë të rëndë.

11:34 Kështu ky vend u quajt Kibroth-Hataavah sepse aty u varrosën njerëzit që ishin dhënë pas epsheve.

11:35 Nga Kibroth-Hataavau populli u nis për në Haltseroth dhe u ndal në këtë vend.

[previous][next]