Numrat 35

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Qytetet për Levitët

35:1 Zoti i foli akoma Moisiut në fushat e Moabit pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos, dhe i tha:

35:2 "Urdhëro bijtë e Izraelit që, nga trashëgimia që do të zotërojnë, t`u japin Levitëve disa qytete për të banuar, do t`u jepni gjithashtu kullota rreth qyteteve.

35:3 Dhe ata do të kenë qytete për të banuar, ndërsa kullotat do t`u shërbejnë për bagëtinë e tyre dhe për të gjitha kafshët e tyre.

35:4 Kullotat e qyteteve që do t`u jepni Levitëve do të shtrihen nga muret e qyteteve e tutje, një mijë kubitë, rreth e qark.

35:5 Do të masni, pra, jashtë qytetit dy mijë kubitë nga ana e lindjes, dy mijë kubitë nga ana e jugut, dy mijë kubitë nga ana perëndimore dhe dy mijë kubitë nga ana veriore; qyteti do të ndodhet në mes. Këto janë tokat për kullotë rreth qyteteve që do t`u përkasin Levitëve.

Qytetet e strehimit

35:6 Ndër qyetet që do t`u jepni Levitëve do të caktoni qytete strehimi, në të cilat mund të gjejë strehim ai që ka vrarë dikë; dhe këtyre qyteteve do t`u shtoni dyzet e dy qytete të tjera.

35:7 Gjithsej qytetet që do t`u jepni Levitëve do të jenë, pra, dyzet e tetë bashkë me tokat për kullotë.

35:8 Qytetet që do t`u jepni Levitëve do të rrjedhin nga pronësia e bijve të Izraelit; nga fiset më të mëdha do të merrni më shumë, nga fiset më të vogla do të merrni më pak; çdo fis do t`u japë Levitëve ndonjë nga qytetet e tij, në përpjestim me trashëgiminë që do t`i takojë".

35:9 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

35:10 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur të kaloni Jordanin për të hyrë në vendin e Kanaanit,

35:11 do të caktoni disa qytete që do të jenë për ju qytete strehimi, ku mund të ikë vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje.

35:12 Këto qytete do t`ju shërbejnë si vende strehimi kundër hakmarrësve, që vrasësi të mos vritet para se të ketë dalë në gjyq përpara asamblesë.

35:13 Nga qytetet që do të jepni, gjashtë do të jenë, pra, qytete strehimi.

35:14 Do të jepni trie qytete në pjesën në lindje të Jordanit dhe trie qytete në vendin e Kanaanit; këto do të jenë qytete strehimi.

35:15 Këto gjashtë qytete do të shërbejnë si vende strehimi për bijtë e Izraelit, për të huajin dhe për atë që banon midis jush, me qëllim që ai që ka vrarë dikë pa dashje të mund të strehohet.

35:16 Por në rast se dikush godet një tjetër me një vegël hekuri dhe ky vdes, ai person është vrasës dhe si i tillë do të vritet.

35:17 Dhe në rast se e godet me një gur që kishte në dorë, që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ai person është vrasës; vrasësi do të vritet.

35:18 Ose në rast se godet me një vegël druri që kishte në dorë, dhe që mund të shkaktojë vdekjen, dhe i godituri vdes, ky person është vrasës; vrasësi do të vritet.

35:19 Do të jetë vetë hakmarrësi i gjakut ai që do ta vrasë vrasësin; kur do ta takojë, do ta vrasë.

35:20 Në rast se dikush i jep një të shtyrë një personi tjetër sepse e urren apo e qëllon me diçka me dashje, dhe ai vdes,

35:21 ose e godet për armiqësi me dorën e vet dhe ai vdes, ai që ka goditur do të vritet; ai është vrasës; hakmarrësi i gjakut do ta vrasë vrasësin kur do ta takojë.

35:22 Por në rast se në një moment i jep një të shtyrë pa armiqësi, ose e qëllon me diçka, por pa dashje,

35:23 ose, pa e parë, shkakton që t`i bjerë mbi trup një gur që mund të shkaktojë vdekjen, dhe ai vdes, pa qenë ai armiku i tij ose që kërkon të keqen e tij,

35:24 atëherë asambleja do të gjykojë midis atij që ka goditur dhe hakmarrësit të gjakut në bazë të këtyre rregullave.

35:25 Asambleja do ta lirojë vrasësin nga dora e hakmarrësit të gjakut dhe do ta lejojë të shkojë në qytetin e strehimit ku kishte ikur, dhe ai do të banojë atje deri sa të vdesë kryeprifti që është vajosur me vaj të shenjtëruar.

35:26 Por në rast se vrasësi në çfarëdo kohe del jashtë kufijve të qytetit të strehimit ku kishte ikur,

35:27 dhe hakmarrësi i gjakut e gjen vrasësin jashtë kufijve të qytetit të strehimit dhe e vret, hakmarrësi i gjakut nuk do të jetë fajtor për gjakun e derdhur,

35:28 sepse vrasësi duhet të kishte mbetur në qytetin e tij të strehimit deri sa të vdiste kryeprifti; mbas vdekjes së kryepriftit, vrasësi mund të kthehet në tokën që është pronë e tij.

35:29 Këto le t`ju shërbejnë si rregulla të së drejtës për të gjithë brezat tuaja, kudo që të banoni.

35:30 Në qoftë se dikush vret një person, vrasësi do të vritet në bazë të deponimit të dëshmitarëve; por nuk do të dënohet askush në bazë të deponimit të një dëshmitari të vetëm.

35:31 Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e jetës së një vrasësi që është dënuar me vdekje, sepse ai duhet të vritet.

35:32 Nuk do të pranoni asnjë çmim për shpengimin e një vrasësi që ka ikur në qytetin e tij të strehimit, me qëllim që të kthehet të banojë në tokën e tij para vdekjes së kryepriftit.

35:33 Nuk do të ndotni vendin ku jetoni, sepse gjaku ndot vendin; nuk mund të bëhet asnjë shlyerje për vendin, për gjakun që është derdhur në të veçse me anë të gjakut të atij që e ka derdhur.

35:34 Nuk do të ndotni, pra, vendin ku banoni, dhe në mes të të cilit banoj edhe unë, sepse unë jam Zoti që banon midis bijve të Izraelit.