Numrat 16

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Koreu ngre krye kunder Moisiut dhe Aaronit

16:1 Koreu, bir i Itsharit, bir i Kehathit, bir i Levit, tok me Dathanin dhe Abiramin, birin e Eliabit, dhe me Onin, birin e Pelethit, bij të Rubenit,

16:2 u ngritën para Moisiut, së bashku me disa bij të tjerë të Izraelit, dyqind e pesëdhjetë prijës të asamblesë, anëtarë të emëruar të këshillit, njerëz që u shkonte fjala.

16:3 Ata u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit, dhe u thanë: "Mjaft më me ju, sepse tërë asambleja është e shenjtë, secili nga anëtarët e tij, dhe Zoti është në mes tyre; pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?".

16:4 Me të dëgjuar këto fjalë, Moisiu ra përmbys me fytyrën për tokë;

16:5 pastaj i foli Koreut dhe gjithë njerëzve të tij, duke u thënë: "Nesër në mëngjes Zoti do të tregojë kush është i tij dhe kush është i shenjtë, dhe ai do ta afrojë pranë vetes; do të afrojë pranë vetes atë që ai ka zgjedhur.

16:6 Bëni kështu: merrni temjanica, ti Kore, dhe gjithë njerëzit e tu;

16:7 nesër i mbushni me zjarr dhe u hidhni sipër temjan para Zotit; dhe ai që Zoti do të ketë zgjedhur do të jetë i shenjtë. E kaluat masën, o bij të Levit!".

16:8 Pastaj Moisiu i tha Koreut: "Tani dëgjoni, o bij të Levit!

16:9 A është gjë e vogël për ju që Perëndia i Izraelit ju ka ndarë nga asambleja e Izraelit dhe ju ka afruar ndaj vetes që të kryeni shërbimin e tabernakullit të Zotit dhe që të rrini përpara asamblesë dhe t`u shërbeni atyre?

16:10 Ai ju ka afruar ndaj vetes ty dhe të gjithë vëllezërit e tu, bij të Levit bashkë me ty. Po tani kërkon të kesh edhe priftërinë?

16:11 Për këtë arsye ti edhe tërë njerëzit e tu jeni mbledhur kundër Zotit. Dhe kush është Aaroni që të murmurisni kundër tij?".

16:12 Atëherë Moisiu dërgoi të thërrasin Datanin dhe Abiramin, bij të Eliabit; por ata thanë: "Ne nuk do të ngjitemi.

16:13 A është vallë gjë e vogël që na nxore nga një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, për të na lënë të vdesim në shkretëtirë, me qëllim që ti të sundosh mbi ne?

16:14 Përveç kësaj nuk na çove në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë dhe nuk na ke lënë si trashëgim fusha dhe vreshta! Dëshiron ti t`u nxjerrësh sytë këtyre njerëzve? Nuk do të ngjitemi".

Gjykimi i Zotit kundër Koreut dhe njerëzve të tij

16:15 Atëherë Moisiu u zemërua shumë dhe i tha Zotit: "Mos prano blatimin e tyre; unë nuk kam marrë prej tyre as edhe një gomar dhe nuk u kam bërë atyre asnjë padrejtësi".

16:16 Pastaj Moisiu i tha Koreut: "Ti dhe gjithë njerëzit e tu paraqituni nesër para Zotit, ti dhe ata bashkë me Aaronin;

16:17 dhe secili prej jush të marrë temjanicën e tij, t`i shtjerë temjan dhe secili të sjellë temjanicën e tij para Zotit; do të jenë dyqind e pesëdhjetë temjanica. Edhe ti dhe Aaroni do të merrni secili temjanicën e tij".

16:18 Dhe kështu secili mori temjanicën e tij, e mbushi me zjarr, vuri përsipër temjan dhe qëndroi në hyrjen e çadrës së mbledhjes bashkë me Moisiun dhe Aaronin.

16:19 Koreu thirri tërë asamblenë kundër tyre në hyrje të çadrës së mbledhjes; dhe lavdia e Zotit u shfaq para tërë asamblesë.

16:20 Atëherë Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

16:21 "Ndahuni nga kjo asamble dhe unë do t`i zhduk në një çast".

16:22 Por ata ranë përmbys me fytyrën për tokë dhe thanë: "O Perëndi, Perëndia i frymëve të çdo mishi! Sepse një njeri i vetëm ka mëkatuar, a duhet të zemërohesh ti me të gjithë asamblenë?".

16:23 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

16:24 "Foli asamblesë dhe u thuaj: "Largohuni nga afërsia e banesës së Koreut, të Dathanit dhe të Abiramit"".

16:25 Pastaj Moisiu u ngrit dhe shkoi te Datani dhe Abirami; atë e ndoqën pleqtë e Izraelit.

16:26 Pas kësaj i foli asamblesë duke thënë: "Largohuni nga çadrat e këtyre njerëzve të këqij, dhe mos prekni asgjë që u përket atyre që të mos treteni në të gjitha mëkatet e tyre".

16:27 Kështu ata u larguan nga afërsia e banesës së Koreut, të Datanit dhe të Abiramit. Datani dhe Abirami dolën dhe u ndalën në hyrje të çadrave të tyre bashkë me gratë e tyre, me bijtë e tyre dhe me të vegjëlit e tyre.

16:28 Atëherë Moisiu tha: "Nga kjo do të mësoni që Zoti më ka dërguar për të bërë tërë këto vepra dhe se nuk kam vepruar me kokën time.

16:29 Në qoftë se këta njerëz vdesin si vdesin gjithë njerëzit, në qoftë se fati i tyre është fati i përbashkët i të gjithë njerëzve, Zoti nuk më ka dërguar;

16:30 por në qoftë se Zoti bën diçka të re, në qoftë se toka hap gojën e saj dhe gëlltit ata dhe çdo gjë që ata kanë, dhe ata zbresin të gjallë në Sheol, atëherë do të pranoni që këta njerëz kanë përçmuar Zotin.

16:31 Por ndodhi që, posa mbaroi shqiptimi i këtyre fjalëve, dheu u ça poshtë tyre,

16:32 toka hapi gojën e saj dhe i gëlltiti me gjithë familjet e tyre, me të gjithë njerëzit që mbanin anën e Koreut, me të gjitha pasuritë e tyre.

16:33 Kështu zbritën të gjallë në Sheol; toka u mbyll mbi ta dhe ata u zhdukën nga asambleja.

16:34 Tërë Izraeli që ndodhej rreth tyre, duke dëgjuar britmat e tyre ua mbathi këmbëve, sepse thoshte: "Të mos na gëlltisë toka edhe ne!".

16:35 Dhe një zjarr doli nga prania e Zotit dhe gëlltiti dyqind e pesëdhjetë veta që ofronin temjanin.

16:36 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

16:37 "I thuaj Eleazarit, birit të priftit Aaron, të nxjerrë jashtë temjanicat nga zjarri, sepse ato janë të shenjta dhe ta hedhë zjarrin larg;

16:38 dhe nga temjanicat e atyre që kanë kryer mëkate duke vënë në rrezik jetën e tyre, të bëhen aq petëza të rrahura për të veshur altarin, sepse i kanë paraqitur para Zotit dhe për këtë arësye janë të shenjta; dhe do të shërbejnë si një qortim për bijtë e Izraelit".

16:39 Kështu prifti Eleazar mori temjanicat prej bronzi të paraqitura prej atyre që ishin djegur, dhe bëri petëza për të veshur altarin,

16:40 me qëllim që t`u shërbenin si kujtim bijve të Izraelit, dhe asnjë i huaj që nuk ishte nga fisi i Aaronit të afrohej për të ofruar temjan para Zotit dhe të mos pësonte fatin e Koreut dhe të njerëzve të tij, ashtu si Zoti i kishte thënë me anë të Moisiut.

Izraeli ngre krye kundër Moisiut dhe Aaronit

16:41 Të nesërmen gjithë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit, duke thënë: "Ju keni bërë të vdesë populli i Zotit".

16:42 Por ndodhi që, ndërsa asambleja po mblidhej kundër Moisiut dhe Aaronit, ata u kthyen nga çadra e mbledhjes; dhe ja, reja e mbulonte atë dhe u shfaq lavdia e Zotit.

16:43 Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan përpara çadrës së mbledhjes.

16:44 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

16:45 "Largohuni nga kjo asamble dhe unë do t`i zhduk në një çast". Dhe ata ranë përmbys me fytyrën për tokë.

16:46 Kështu Moisiu i tha Aaronit: "Merr temjanicën, vër brenda saj zjarr të marrë nga altari, vendos mbi të temjan dhe çoje shpejt në mes të asamblesë, dhe bëj shlyerjen e fajit për ta, sepse ka shpërthyer zemërimi i Zotit, dhe plaga ka filluar".

16:47 Atëherë Aaroni mori temjanicën, ashtu siç kishte thënë Moisiu, dhe vrapoi në mes të asamblesë; dhe ja, fatkeqësia kishte filluar në mes të popullit; kështu ai vuri temjanin në temjanicën dhe bëri shlyerjen për popullin.

16:48 Dhe u ndal midis të gjallëve dhe të vdekurve, dhe fatkeqësia u ndal.

16:49 Ata që vdiqën nga fatkeqësia ishin katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind veta, përveç atyre që kishin vdekur për ngjarjet e Koreut.

16:50 Kështu Aaroni u kthye te Moisiu në hyrje të çadrës së mbledhjes, sepse fatkeqësia ishte ndalur.