Numrat 31

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Fitorja e Izraelit mbi Madianitët

31:1 Pastaj Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Merrua hakun bijve të Izraelit kundër Madianitëve;

31:2 pas kësaj do të bashkohesh me popullin tënd".

31:3 Atëherë Moisiu i foli popullit, duke thënë; "Disa njerëz ndër ju të armatosen për luftë dhe të marshojnë kundër Madianit për të kryer hakmarrjen e Zotit mbi Madianin.

31:4 Do të dërgoni në luftë një mijë burra nga çdo fis, nga të gjitha fiset e Izraelit".

31:5 Kështu u rekrutuan ndër divizionet e Izraelit një mijë burra nga çdo fis, domethënë dymbëdhjetë mijë burra, të armatosur për luftë.

31:6 Pastaj Moisiu i nisi për luftë, njëmijë njerëz nga çdo fis, së bashku me Finehasin, birin e priftit Eleazar, që kishte në dorë veglat e shenjta dhe boritë e alarmit.

31:7 Dhe luftuan kundër Madianit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, dhe vranë tërë meshkujt.

31:8 Bashkë me viktimat që ata bënë, ata vranë edhe mbretërit e Madianit: Evin, Rekemin, Tsurin, Hurin dhe Reban, pesë mbretërit e Madianit; vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit.

31:9 Bijtë e Izraelit zunë robinja edhe të gjitha gratë e Madianit dhe fëmijët e tyre, rrëmbyen tërë bagëtinë e tyre, tërë kopetë e tyre dhe tërë pasuritë e tyre;

31:10 pastaj u vunë zjarrin të gjitha qyteteve ku ata banonin dhe të gjitha kalave të tyre,

31:11 dhe morën gjithë plaçkën e luftës dhe tërë prenë, njerëz dhe kafshë:

31:12 pastaj i çuan të burgosurit, prenë dhe plaçkën e luftës Moisiut, priftit Eleazar dhe asamblesë së bijve të Izraelit, që ishin vendosur në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos.

31:13 Moisiu, prifti Eleazar dhe të gjithë prijësit e asamblesë dolën për t`i takuar jashtë kampit.

31:14 Por Moisiu u zemërua me komandantët e ushtrisë, me krerët e mijësheve dhe të qindësheve, që po ktheheshin nga kjo fushatë lufte.

31:15 Moisiu u tha atyre: "Keni lënë gjallë të gjitha gratë?

31:16 Të nxitura nga Balaami, ato i shtynë bijtë e Izraelit të mëkatojnë kundër Zotit, në ngjarjen e Peorit, kur shpërtheu fatkeqësia në asamblenë e Zotit.

31:17 Prandaj vrisni çdo mashkull nga fëmijët dhe vrisni çdo grua që ka marrëdhënie seksuale me një burrë,

31:18 por ruajini të gjalla për vete të gjitha vajzat që nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale me burra.

31:19 Ju do të qëndroni jashtë kampit shtatë ditë; kushdo që ka vrarë dikë dhe kushdo që ka prekur një person të vrarë, do të pastrohet ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ky rregull vlen si për ju ashtu dhe për robërit tuaj.

31:20 Do të pastroni gjithashtu çdo rrobë, çdo send prej lëkure, çdo punë të bërë me leshin e dhisë dhe çdo vegël prej druri".

31:21 Pastaj prifti Eleazar u tha ushtarëve që kishin shkuar në luftë: "Kjo është rregulla e ligjit që Zoti i ka përcaktuar Moisiut:

31:22 vetëm arin, argjendin, bronzin, hekurin, kallajin dhe plumbin,

31:23 çdo gjë që i reziston zjarrit, do ta kaloni nëpër zjarr dhe do të bëhet i pastër; por do të pastrohen edhe me ujin e pastrimit kundër papastërtisë; ndërsa tërë gjërat që nuk mund t`i rezistojnë zjarrit, do t`i trajtoni me ujë.

31:24 Dhe ditën e shtatë do të lani rrobat tuaja dhe do të jeni të pastër; pas kësaj mund të hyni në kamp".

31:25 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

31:26 "Ti, me gjithë priftin Eleazar dhe me kryefamiljarët e asamblesë, llogarite tërë plaçkën e zënë, njerëzit dhe bagëtinë;

31:27 dhe ndaje plaçkën midis atyre që kanë marrë pjesë në luftë dhe që kanë vajtur të luftojnë dhe gjithë asamblesë.

31:28 Do të marrësh nga luftëtarët që kanë vajtur të luftojnë një haraç për Zotin; domethënë një të pesëqindtën e personave, të bagëtive të imta dhe të trasha dhe të gomarëve.

31:29 Do të marrësh nga gjysma e tyre dhe do t`ia japësh priftit Eleazar si një ofertë për Zotin.

31:30 Dhe nga gjysma që u takon bijve të Izraelit do të marrësh një të pesëdhjetën e personave, të bagëtisë së imët dhe të trashë dhe nga gomarët do t`u japësh Levitëve, që kanë përgjegjësinë e tabernakullit të Zotit".

31:31 Dhe Moisiu e prifti Eleazar vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

31:32 Dhe plaçka që mbetej nga plaçkitja e kryer nga luftëtarët përbëhej nga gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë dele,

31:33 shtatëdhjetë e dy mijë lopë,

31:34 gjashtëdhjetë e një mijë gomarë,

31:35 dhe tridhjetë e dy mijë persona gjithsej, domethënë gra që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra.

31:36 Gjysma, domethënë pjesa për ata që kishin shkuar në luftë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dele,

31:37 nga të cilat gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë për haraçin e Zotit;

31:38 tridhjetë e gjashtë mijë lopë, nga të cilat shtatëdhjetë e dy për haraçin e Zotit;

31:39 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë, nga të cilët gjashtëdhjetë e një për haraçin e Zotit;

31:40 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë persona, nga të cilët tridhjetë e dy për haraçin e Zotit.

31:41 Kështu Moisiu i dha haraçin, që ishte oferta e ngritur e Zotit, priftit Eleazar, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti.

31:42 Gjysma që u përkiste bijve të Izraelit, që Moisiu kishte ndarë nga pjesa që u takonte njerëzve që kishin shkuar në luftë,

31:43 gjysma që i përkiste asamblesë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dele,

31:44 tridhjetë e gjashtë mijë lopë,

31:45 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë,

31:46 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë persona.

31:47 Nga gjysma që u përkiste bijve të Izraelit, Moisiu mori një të pesëdhjetën e njerëzve dhe të kafshëve, dhe ua dha Levitëve të cilët kanë përgjegjësinë e tabernakullit të Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

31:48 Komandantët e mijësheve të ushtrisë, krerët e mijësheve dhe të qindësheve, iu afruan Moisiut;

31:49 dhe ata i thanë Moisiut: "Shërbëtorët e tu kanë bërë llogarinë e luftëtarëve që ishin nën urdhrat tona, dhe nuk mungonte asnjëri prej tyre.

31:50 Prandaj ne po sjellim, si ofertë për Zotin, sendet e arit që secili ka gjetur: zinxhirë, byzylykë, unaza, vathë dhe gjerdanë për të bërë shlyerjen për ne përpara Zotit.

31:51 Kështu Moisiu dhe prifti Eleazar morën nga duart e tyre tërë objektet e punuara.

31:52 Tërë ari i ofertës që ata i paraqitën Zotit nga ana e krerëve të mijësheve dhe nga ana e krerëve të qindëshëve, peshonte gjashtëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë sikla.

31:53 (Njerëzit e ushtrisë mbajtën për vete plaçkën që kishin siguruar).

31:54 Moisiu dhe prifti Eleazar morën pastaj arin nga krerët e mijëshëve dhe të qindësheve dhe e çuan në çadrën e mbledhjes, si kujtim i bijve të Izraelit përpara Zotit.