Numrat 22

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Blaku dërgon të thërasë Balaamin

22:1 Pastaj bijtë e Izraelit u nisën dhe ngritën kampin e tyre në fushat e Moabit, matanë Jordanit, në bregun e kundërt të Jerikos.

22:2 Por Balaku, bir i Tsiporit, pa të gjitha ato që Izraeli u kishte bërë Amorejve;

22:3 dhe Moabi pati një frikë të madhe nga ky popull, që ishte kaq i madh; Moabin e zuri një frikë e madhe për shkak të bijve të Izraelit.

22:4 Kështu Moabi u tha pleqve të Madianit: "Tani kjo turmë do të gllabërojë gjithçka që kemi rreth nesh, ashtu si kau përlan barin e fushave". Balaku, bir i Tsiporit, ishte në atë kohë mbreti i Moabit.

22:5 Ai i dërgoi lajmëtarë Balaamit, birit të Beorit, në Pethori që është pranë Lumit, në vendin e bijve të popullit të tij, për ta thirrur dhe për t`i thënë: "Ja, një popull ka dalë nga Egjipti; ai mbulon faqen e dheut dhe është vendosur përballë meje.

22:6 Eja, pra, të lutem, dhe mallkoje për mua këtë popull, sepse është tepër i fuqishëm për mua; ndofta do t`ia dal ta mund dhe ta dëboj nga vendi im; sepse unë e di mirë që ai që ti bekon është i bekuar dhe ai që ti mallkon është i mallkuar".

22:7 Atëherë pleqtë e Moabit dhe pleqtë e Madianit u nisën duke mbajtur në dorë shpërblimin e shortarit dhe, kur arritën te Balaami, i treguan fjalët e Balakut.

22:8 Por Balaami u tha atyre: "Kalojeni natën këtu dhe do t`ju njoftoj përgjigjen që Zoti do të më japë". Kështu princët e Moabit mbetën me Balaamin.

22:9 Atëherë Perëndia i shkoi Balaamit dhe i tha: "Ç`janë këta njerëz që janë me ty?".

22:10 Dhe Balaami iu përgjegj Perëndisë: "Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, më ka çuar fjalë:

22:11 "Ja, populli që ka dalë nga Egjipti mbulon faqen e dheut; prandaj eja dhe mallkoje për mua; ndofta do t`ia dal ta mund dhe ta dëboj"".

22:12 Dhe Perëndia i tha Balaamit: "Ti nuk do të shkosh me ta, nuk do ta mallkosh atë popull, se është një popull i bekuar".

22:13 Kështu Balaami u ngrit në mëngjes dhe u tha princërve të Balakut: "Kthehuni në vendin tuaj, sepse Zoti nuk më dha leje të vij me ju".

22:14 Pas kësaj princët e Moabit u ngritën, u kthyen te Balaku dhe thanë: "Balaami nuk pranoi të vijë me ne".

22:15 Atëherë Balaku dërgoi përsëri disa princa, në një numër më të madh dhe më të rëndësishëm në krahasim me të parët.

22:16 Ata erdhën te Balaami dhe i thanë: "Kështu thotë Balaku, bir i Tsiporit: "Asgjë nuk duhet të të ndalë të vish tek unë,

22:17 sepse unë do të të mbush me nderime dhe do të bëj të gjitha ato që do të më thuash ti; eja, pra, të lutem, dhe mallkoje këtë popull për mua"".

22:18 Por Balaami u përgjegj dhe u tha shërbëtorëve të Balakut: "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij të mbushur me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrin e Zotit, Perëndisë tim, për të kryer veprime të vogla apo të mëdha.

22:19 Prandaj, ju lutem, rrini këtu këtë natë, në mënyrë që të mësoj çfarë do të më thotë tjetër Zoti".

22:20 Dhe Perëndia i shkoi atë natë Balaamit dhe i tha: "Në rast se këta njerëz kanë ardhur të të thërresin, çohu dhe shko me ta; por do të bësh vetëm ato gjëra që unë do të të them".

22:21 Kështu Balaami u çua në mëngjes, shaloi gomaricën e tij dhe shkoi bashkë me princat e Moabit.

22:22 Por zemërimi i Perëndisë u ndez sepse ai ishte nisur; dhe Engjëlli i Zotit i doli rrugës si armik kundër tij. Ai i kishte hipur gomaricës së tij dhe kishte me vete dy shërbëtorë.

22:23 Gomarica pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë, doli nga rruga dhe hyri nëpër ara. Atëherë Balaami e rrahu gomaricën për ta kthyer përsëri në rrugë.

22:24 Por Engjëlli i Zotit u ndal në një shteg të ngushtë midis vreshtave, ku kishte një mur nga një anë dhe një mur nga ana tjetër.

22:25 Kur gomarica pa Engjëllin e Zotit, u shtrëngua pas murit dhe e shtypi këmbën e Balaamit pas murit; kështu Balaami e rrahu përsëri.

22:26 Atëherë Engjëlli i Zotit shkoi tutje dhe u ndal në një vend të ngushtë, ku nuk mund të lëvizje as djathtas as majtas.

22:27 Gomarica pa Engjëllin e Zotit dhe u shtri nën Balaamin; zemërimi i Balaamit u shtua dhe ai rrahu gomaricën me bastunin e tij.

22:28 Atëherë Zoti ia çeli gojën gomaricës që i tha Balaamit: "Çfarë të kam bërë që më rreh në këtë mënyrë tri herë me radhë?".

22:29 Dhe Balaami iu përgjegj gomaricës: "Pse je tallur me mua; sikur të kisha një shpatë në dorë, tani do të të vrisja".

22:30 Gomarica i tha Balaamit: "A nuk jam vallë gomarica me të cilën ke udhëtuar gjithnjë deri më sot? Mos vallë jam mësuar të sillem kështu me ty?". Ai u përgjegj: "Jo".

22:31 Atëherë Zoti ia hapi sytë Balaamit dhe ai pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë. Dhe Balaami u përkul dhe ra përmbys me fytyrën për tokë.

22:32 Engjëlli i Zotit i tha: "Pse e rrahe plot tri herë gomaricën tënde? Ja, unë kam dalë si armiku yt, sepse rruga që ndjek ti nuk pajtohet me vullnetin tim;

22:33 gomarica më pa dhe më ka evituar plot tri herë; në rast se nuk do të më kishte evituar, me siguri do të të kisha vrarë duke e lënë atë të gjallë".

22:34 Atëherë Balaami i tha Engjëllit të Zotit: "Unë kam bërë mëkat, sepse nuk e dija që ti rrije në rrugë kundër meje; prandaj tani, në se ajo që po bëj nuk të pëlqen, atëherë unë do të kthehem prapa".

22:35 Por Engjëlli i Zotit i tha Balaamit: "Shko, pra, me këta njerëz; por do të thuash vetëm ato gjëra që do të të them unë". Kështu Balaami shkoi me princat e Balakut.

22:36 Kur Balaku dëgjoi që Balaami po vinte, shkoi ta takojë në qytetin e Moabit që ndodhet në kufirin e shënuar nga Arnoni, në skajin e fundit të territorit të tij.

22:37 Kështu Balaku i tha Balaamit: "A nuk të kisha dërguar të të thërrisja me urgjencë? Pse nuk erdhe tek unë? A nuk jam vallë në gjendje të të nderoj?".

22:38 Balaami iu përgjegj Balakut: "Ja, erdha te ti; por tani a mund të them diçka? Fjalën që Perëndia do të më vërë në gojën time, atë do të them unë".

22:39 Balaami shkoi bashkë me Balakun dhe arritën në Kirjath-Hutsoth.

22:40 Pastaj Balaku flijoi qe dhe dele dhe u dërgoi disa prej tyre Balaamit dhe prijësve që ishin me të.

22:41 Në mëngjes Balaku mori Balaamin dhe u ngjit në Bamoth Baal, dhe këtej ai pa pjesën skajore të popullit.