Numrat 24

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Orakulli i tretë i Balaamit

24:1 Kur Balaami u bind se në sytë e Zotit ishte një gjë e mirë të bekoje Izraelin, nuk përdori si herët e tjera magjinë, por ktheu fytyrën nga shkretëtira.

24:2 Dhe, me sytë e ngritur, Balaami pa Izraelin që kishte fushuar sipas fiseve, dhe Fryma e Perëndisë e mbuloi atë.

24:3 Atëherë shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit, kështu thotë njeriu, sytë e të cilit janë hapur,

24:4 kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Perëndisë, ai që kundron vizionin e të Plotfuqishmit, ai që rrëzohet, por syçelë:

24:5 "Sa të bukura janë çadrat e tua, o Jakob, banesat e tua o Izrael!

24:6 Ato shtrihen si lugina, si kopshte gjatë një lumi, si aloe që Zoti ka mbjellë, si kedra pranë ujërave.

24:7 Do të derdhë ujë nga kovat e tij, pasardhësit e tij do të banojnë pranë ujërave të shumta, mbreti i tij do të ngrihet më lart se Agagu dhe mbretëria e tij do të lartësohet.

24:8 Perëndia, që e nxori nga Egjipti, është për të si brirët e fuqishëm të buallit. Ai do të gëlltisë kombet armike për të, do të coptojë kockat e tyre dhe do t`i shpojë tej për tej me shigjetat e tij.

24:9 Ai përkulet, mblidhet kruspull si një luan dhe si një luaneshë; kush do të guxojë ta çojë? Qoftë i bekuar ai që të bekon dhe qoftë i mallkuar ai që të mallkon!"".

24:10 Atëherë zemërimi i Balakut u ndez kundër Balaamit; kështu ai rrahu duart dhe Balaku i tha Balaamit: "Unë të thirra për të mallkuar armiqtë e mi, kurse ti i bekove tri herë me radhë.

24:11 Tani ik në shtëpinë tënde! Kisha thënë se do të të mbushja me nderime; por ja, Zoti nuk ka lejuar t`i marrësh".

24:12 Balaami iu përgjigj kështu Balakut: "A nuk u kisha folur lajmëtarëve që më kishe dërguar, duke u thënë:

24:13 "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij plot me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrat e Zotit për të bërë të mirë ose të keq me nismën time, por duhet të them atë që Zoti do të thotë"?.

24:14 Dhe ja, tani do të kthehem te populli im; eja, unë do të njoftoj atë që ky popull do t`i bëjë popullit tënd në ditët e fundit".

Orakulli i katërt i Balaamit

24:15 Atëherë ai shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit; kështu thotë njeriu sytë e të cilit janë hapur,

24:16 kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Zotit, që njeh shkencën e të Lartit, që sodit vizionin e të Plotfuqishmit, ai që bie por syçelë:

24:17 E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër: një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli, i cili do ta shtypë Moabin fund e krye dhe do të rrëzojë tërë bijtë e Shethit.

24:18 Edomi do të bëhet pronë e tij, po ashtu edhe Seiri, armiku i tij, do të bëhet pronë e tij; Izraeli do të kryejë trimërira.

24:19 Nga Jakobi do të dalë një sundues që do të shfarosë ata qytetarë që kanë mbijetuar.

Orakulli i Balaamit mbi popujt e tjerë

24:20 Pastaj shikoi nga ana e Amalekut dhe shqiptoi orakullin e tij, duke thënë: "Amaleku ishte i pari i kombeve, por fundi i tij do të kulmojë në shkatërrim".

24:21 Shikoi edhe nga Kenejtë dhe shqiptoi orakullin e tij, duke thënë: "Banesa jote është e fortë dhe foleja jote është vendosur në shkëmb;

24:22 megjithatë Keneu do të shkretohet, për deri sa Asiri do të të çojë në robëri".

24:23 Pastaj shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Medet! Kush do të mbetet gjallë kur Zoti ta ketë kryer këtë?

24:24 Por anije do të vinë nga Kitimi, do të poshtërojnë Asurin dhe Eberin, dhe ai do të shkatërrohet gjithashtu".

24:25 Pastaj Balaami u ngrit, u nis dhe u kthye në shtëpinë e tij; edhe Balaku iku në rrugën e tij. e Moabit