Numrat 27

[no_toc]

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR

Ligji mbi trashëgiminë

27:1 Pastaj u afruan bijat e Tselofehadit, birit të Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, i familjeve të Manasit, birit të Jozefit; dhe këto janë emrat e bijave: Mahlah, Noah, Hoglah, Milkah dhe Thirtsah,

27:2 dhe ato u paraqitën para Moisiut, para priftit Eleazar, prijësve dhe tërë asamblesë në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe thanë:

27:3 "Ati ynë vdiq në shkretëtirë, por nuk bënte pjesë në grupin e atyre që u mblodhën kundër Zotit, në grupin e Koreut, por vdiq për shkak të mëkatit të tij pa patur bij.

27:4 Pse duhet të humbasë emri i atit tonë në mes të familjes së tij nga që nuk pati bij? Na jep, pra, një pronë në mes të vëllezërve të atit tonë".

27:5 Atëherë Moisiu e shtroi rastin e tyre para Zotit.

27:6 Dhe Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

27:7 "Bijat e Tselofehadit kanë hak. Po, do t`u japësh atyre si trashëgimi një pronë midis vëllezërve të atit të tyre dhe do t`u kalosh atyre trashëgiminë e atit të tyre.

27:8 Do t`u flasësh gjithashtu bijve të Izraelit dhe do t`u thuash: "Kur një njeri vdes pa lënë ndonjë bir, trashëgiminë e tij do t`ia kaloni bijës së tij.

27:9 Në qoftë se nuk ka asnjë bijë, trashëgiminë e tij do t`ua jepni vëllezërve të tij.

27:10 Në rast se nuk ka vëllezër, trashëgiminë e tij do t`ua jepni vëllezërve të atit të tij.

27:11 Dhe në rast se ai nuk ka asnjë vëlla, trashëgiminë e tij do t`ia jepni fisit më të afërt të familjes së tij; dhe ai do ta zotërojë". Kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një formë e së drejtës, ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun.

Jozueu cakohet si trashëgimtar i Moisiut

27:12 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu mbi malin e Abarimit dhe sodit vendin që unë po ju jap bijve të Izraelit.

27:13 Mbasi ta kesh parë, edhe ti do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu siç u bashkua Aaroni, vëllai yt,

27:14 sepse ngritët krye kundër urdhrit tim në shkretëtirën e Tsinit kur asambleja kundërshtoi, dhe nuk më shenjtëruat në ujërat para syve të tyre". (Këto janë ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Sinit).

27:15 Pastaj Moisiu i foli Zotit, duke i thënë:

27:16 "Zoti, Perëndia i frymëve të çdo mishi, le të caktojë mbi këtë asamble një njeri

27:17 që të hyjë dhe të dalë para tyre, dhe t`i bëjë të hyjnë e të dalin, në mënyrë që asambleja e Zotit të mos jetë si një kope pa bari".

27:18 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Merr Jozueun, djalin e Nunit, njeriun brenda të cilit është Fryma, dhe vërë dorën tënde mbi të;

27:19 pastaj do ta paraqitësh para priftit Eleazar dhe para tërë asamblesë dhe do t`i japësh disa urdhra në prani të tyre,

27:20 dhe do ta bësh pjesëmarrës të autoritetit tënd me qëllim që tërë asambleja e bijve të Izraelit t`i bindet.

27:21 Ai do të paraqitet përpara priftit Eleazar, i cili do të kërkojë për të mendimin e shprehur nga Urimi përpara Zotit; me urdhër të tij do të hyjnë dhe do të dalin, ai dhe tërë bijtë e Izraelit, tërë asambleja".

27:22 Moisiu, pra, bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti; mori Jozueun dhe e paraqiti përpara priftit Eleazar dhe tërë asamblesë;

27:23 pastaj vuri duart e tij mbi të dhe i dha urdhra ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.

[previous][next]