BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Kufijtë e Perëndise të caktuar për Kanaanin
 34:1  Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
 34:2  "Urdhëro bijtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin e Kanaanit, ky është vendi që ju takon si trashëgimi, vendi i Kanaanit me këta kufij të veçantë:
 34:3  Kufiri juaj jugor do të fillojë në shkretëtirën e Tsinit, gjatë kufirit të Edomit; kështu kufiri juaj do të shtrihet nga skaji i Detit të Kripur në drejtim të lindjes;
 34:4  kufiri juaj do të shkojë pastaj nga e përpjeta e Akrabimit, do të kalojë nëpër Tsin dhe do të shtrihet në jug të Kadesh-Barneas; do të vazhdojë pastaj në drejtim të Hatsar-Adarit dhe do të kalojë nëpër Atsmoni.
 34:5  Nga Atsmoni kufiri do të kthejë deri në përroin e Egjiptit dhe do të përfundojë në det.
 34:6  Kufiri juaj në perëndim do të jetë Deti i Madh; ky do të jetë kufiri juaj perëndimor.
 34:7  Ky do të jetë kufiri juaj verior: duke u nisur nga Deti i Madh do të caktoni kufirin tuaj deri në malin Hor;
 34:8  nga mali Hor do të caktoni kufirin tuaj deri në hyrje të Hamathit, dhe skaji i kufirit do të jetë në Tsedad;
 34:9  kufiri do të vazhdojë pastaj deri në Zifron dhe do të mbarojë në Hatsar-Enan; ky do të jetë kufiri juaj verior.
 34:10  Do ta vijëzoni kufirin tuaj lindor nga Hatsar-Enani deri në Shefam;
 34:11  kufiri do të zbresë nga Shefami në drejtim të Riblahut, në lindje të Ainit; pastaj kufiri do të zbresë dhe do të shtrihet deri sa të arrijë bregun lindor të detit të Kinerethit;
 34:12  pastaj kufiri do të zbresë në drejtim të Jordanit, për të arritur deri në Detin e Kripur. Ky do të jetë vendi juaj me kufijtë e tij rreth e qark".
 34:13  Kështu Moisiu u njoftoi këtë urdhër bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Ky është vendi që do të merrni si trashëgimi duke hedhur short, dhe që Zoti ka urdhëruar t`u jepet nëntë fiseve e gjysmë,
 34:14  sepse fisi i bijve të Rubenit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe fisi i bijve të Gadit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, dhe gjysma e fisit të Manasit e kanë marrë trashëgiminë e tyre.
 34:15  Këto dy fise e gjysmë e kanë marrë trashëgiminë e tyre në lindje të Jordanit, mbi bregun përballë Jerikos, në drejtim të lindjes".
Personat e zgjedhur nga Perëndia për të ndarë vendin
 34:16  Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
 34:17  "Këta janë emrat e burrave që do të kryejnë ndarjen e vendit midis jush: prifti Eleazar dhe Jozueu, bir i Nunit.
 34:18  Do të merrni edhe një prijës nga çdo fis, për të bërë ndarjen e vendit.
 34:19  Këta janë emrat e burrave: Kalebi, bir i Jefunehut, nga fisi i Judës;
 34:20  Shemueli, bir i Amihudit, nga fisi i bijve të Simeonit;
 34:21  Elidadi, bir i Kislonit, nga fisi i Beniaminit;
 34:22  prijësi Buki, bir i Joglit, nga fisi i bijve të Danit;
 34:23  prijësi Haniel, bir i Efodit, për bijtë e Jozefit, nga fisi i bijve të Manasit;
 34:24  prijësi Kemuel, bir i Shiftanit, për fisin e bijve të Efraimit;
 34:25  prijësi Elitsafan, bir i Parnakut, për fisin e bijve të Zabulonit;
 34:26  prijësi Paltiel, bir i Azanit, për fisin e bijve të Isakarit;
 34:27  prijësi Ahihud, bir i Shelomit, për fisin e bijve të Asherit;
 34:28  dhe prijësi Pedahel, bir i Amihudit, për fisin e bijve të Neftalit".
 34:29  Këta janë burrat të cilët Zoti i urdhëroi t`u jepnin trashëgiminë bijve të Izraelit në vendin e Kananit.
