BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Vendosja e llambave
8:1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
8:2 "Foli Aaronit dhe i thuaj: Kur do të vendosësh llambat, shtatë llambat duhet të ndriçojnë pjesën e përparme të shandanit".
8:3 Dhe Aaroni veproi kështu: i vendosi llambat në mënyrë që të ndriçonin pjesën e përparme të shandanit, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
8:4 Shandani ishte ndërtuar kështu: ishte prej ari të rrahur; ishte punuar me çekiç nga këmba e tij deri tek lulet e tij. Moisiu e kishte bërë shandanin simbas modelit që i kishte treguar Zoti.
Shenjtërimi i Levitëve
8:5 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
8:6 "Merr Levitët ndër bijtë e Izraelit dhe pastroji.
8:7 Do të veprosh kështu për t`i pastruar: do të spërkatësh ujë mbi ta për t`i pastruar; pastaj do të heqin një brisk mbi tërë trupin e tyre, do të lajnë rrobat e tyre dhe do të pastrohen.
8:8 Pastaj do të marrin një dem të vogël me blatimin e ushqimit prej majë mielli të përzier me vaj ndërsa ti do të marrësh një dem tjetër si flijim për mëkatin.
8:9 Do t`i afrosh Levitët përpara çadrës së mbledhjes dhe do të thërrasësh tërë asamblenë e bijve të Izraelit.
8:10 Kështu do t`i afrosh Levitët përpara Zotit dhe bijtë e Izraelit do të vënë duart e tyre mbi Levitët;
8:11 pastaj Aaroni do t`i paraqesë Levitët si ofertë të tundur para Zotit nga ana e bijve të Izraelit, me qëllim që të kryejnë shërbimin e Zotit.
8:12 Pastaj Levitët do të vënë duart e tyre mbi kokën e demave të vegjël, dhe ti do të ofrosh njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust për Zotin, për të bërë shlyerjen për Levitët.
8:13 Do t`i mbash më këmbë Levitët përpara Aaronit dhe para bijve të tij dhe do t`i paraqitësh si një ofertë të tundur për Zotin.
8:14 Kështu do t`i ndash Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit dhe Levitët do të jenë të mitë.
8:15 Pas kësaj Levitët do të hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimin; kështu ti do t`i pastrosh dhe do t`i paraqitësh si një ofertë të tundur,
8:16 sepse më janë dhënë plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit; unë i mora për vete, në vend të të gjithë atyre që çelin barkun e nënës, në vend të të parëlindurve të të gjithë bijve të Izraelit.
8:17 Sepse të gjithë të parëlindurit e bijve të Izraelit, si të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, më takojnë mua; i shenjtërova për vete ditën që godita tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit.
8:18 Mora Levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të bijve të Izraelit.
8:19 Dhe i dhurova Aaronit dhe bijve të tij Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit me qëllim që të kryejnë shërbimin e bijve të Izraelit në çadrën e mbledhjes dhe që të bëjnë shlyerjen për bijtë e Izraelit, që të mos ndodhë asnjë fatkeqësi midis bijve të Izraelit kur i afrohen shenjtërores".
8:20 Kështu vepruan Moisiu, Aaroni dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit me Levitët; bijtë e Izraelit u bënë Levitëve të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.
8:21 Dhe Levitët u pastruan dhe i lanë rrobat e tyre; pastaj Aaroni i paraqiti si një ofertë të tundur përpara Zotit dhe bëri shlyerjen për ta, për t`i pastruar.
8:22 Pas kësaj Levitët hynë në çadrën e mbledhjes për të bërë shërbimin e tyre në prani të Aaronit dhe të bijve të tij. Ata u bënë Levitëve atë që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.
8:23 Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë:
8:24 "Kjo është ajo që u takon Levitëve; nga mosha njëzet e pesë vjeç e lart Leviti do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimet e rastit;
8:25 në moshën pesëdhjetë vjeç do ta ndërpresë këtë shërbim dhe nuk do të shërbejë më.
8:26 Do të mund të ndihmojë vëllezërit e tij në çadrën e mbledhjes, ndërsa këta kryejnë detyrat e tyre; por ai vetë nuk do të kryejë asnjë shërbim. Kështu do të veprosh me Levitët lidhur me detyrat e tyre".